Categories
TV Reviews

Barry – Sezoni 2

Janë disa persona që mjafton t’i shikosh në fytyrë dhe të trishtojnë.

Bill Hader ka pasur disa role të këtilla, kur zgurdullonte sytë, në Saturday Night Live. Dhe pastaj ka pasur Stefonin në segmentin e Weekend Update që të pshurrte nga të qeshurat! Berri është kombinim i të dyjave!

Por, edhe nëse nuk keni parë SNL, do të kënaqeni me këtë seri prej dy sezoneve (deri tani) me 16 episode në total. Tamam për një kohë të këtillë! Dhe komedia është gjeniale, me 6 Emmy të fituar, përfshirë dy vitet e fundit për aktorin më të mirë në komedi, si dhe shumë nominime tjera.

E Berri Berkman është një ish-marinë i cili tani punon si një vrasës me pagesë. Në ndjekje të viktimës së tij të radhës, ai gjen dashurinë për teatrin në Los Anxhelos. Dhe dashurinë e jetës së tij?! Si dhe përzihet në nëntokën e qytetit të engjëjve me mafinë çeçene të cilët kanë edhe NoHon i cili është ndoshta katalizatori më i mirë i krejt ngjarjes.

NoHo është Viktor Zas i ‘Gotham’, dhe nëse ju ka pëlqyer ky karakter, nuk keni nevojë më shumë të bindeni për të parë ‘Barry’. E kushëriri i Berrit që e përzien atë në krejt këtë pazar është Monro, i portretizuar nga Stephen Root (The Man in High Castle, NewsRadio). Henry Winkler është një emër tjetër i njohur që vjen si mentor teatri, dhe Sarah Goldberg si një nxënëse tjetër dhe vajza që i pëlqen Berrit.

Fillimisht mund të ju duket më shumë si dramë se sa komedi, por nuk shkon shumë kohë kur do të qeshni me shumicën e ngjarjeve që ndodhin, dhe atë falë një skenari të jashtëzakonshëm. Kemi disa skena që në vete përmbajnë një pjesë komedi dhe një tjetër dramë. Thjesht, ju do të qeshni derisa dikush tjetër po lufton për të mbetur gjallë!

Aktrimi i Bill Hader, ngjashëm si i aktorëve dytësor është fenomenal. Kjo ndihmohet nga skenari dhe regjia e hatashme. Edhe historia duket sikur po shkon në një rrugë pa dalje, me një ide që s’do të ketë shumë episode kur gjithçka do të përfundojë. Por, ne po presim sezonin e tretë!

Më e mira është që ju mund të shijoni dy sezone një pas një, pa pasur nevojë të prisni një vit ndërmjet. Nota personale për dy sezonet e para: 5/5