Categories
Milan

Barselona!

Thonë se ishte ndër ndeshjet më të mira këtë sezonë kundër Sampdorisë. Pajtohem deri diku pasi kemi poseduar topin mjaft kohë, kemi lëvizur, kemi shënuar, dhe kemi pësuar. Skuadra është në një periudhë të mirë që rezultoi me shumë rezultate të favorshme. Barazimi nga Sampdoria vjen si pasojë e një gabimi të vetëm në mbrojtje. Gjithashtu më ka habitur edhe qëndrueshmëria e disa lojtarëve në fushë pasi lodhja nuk u vërejt në një masë të madhe, por megjithatë shihej. Allegri nuk ka ndryshuar formacionin ka kohë, dhe do të fitonim sikur të inkuadrohej Ronaldinjo që nga fillimi. Gjithashtu Bonera nuk e ka vendin në anën e majtë, as në të djathtën, askund në Milan. Fati ynë ishte që edhe skuadrat tjera dështuan të na afroheshin këtë javë dhe përsëri gjendemi mirë në krye larg konkurrentëve kryesor. Me Sampdorinë ishte ndeshja e fundit e vështirë në atë serinë e ndeshjeve që i konsideroja të mundimshme. Nuk është e lehtë të fitohet në “Marasi”, por, është mëkat të humbasësh epërsinë aty. Sidoqoftë edhe një pikë më kënaq mua, pasi do të na mundësojë të marrim frymë më lirshëm këtë javë, para ndeshjeve me Breshan, Ajaksin, dhe Bolonjan. Me Ajaksin është mirë të angazhojmë skuadrën e rezervistëve pasi nuk do të kemi asgjë për të luajtur për. Bresha dhe Bolonja nuk po kalojnë kohë të mirë, dhe shpresoj të mos bëjmë gabime ndaj skuadrave të tilla, sepse ne zakonisht gabojmë ndaj këtyre skuadrave. Shpresoj të mbajmë formën e mirë dhe të përfundojmë këtë vit në krye dhe me një epërsi së paku 3 pikë ndaj të dytit, kushdo qoftë aty. Tri pikë na nevojiten që në fund të sezonit të kemi dy javë kohë përgatitje për finalen e Ligës së Kampionve në Uemblli, 28 maj, ndërsa xhiroja e fundit e Serie A zhvillohet me 22 maj!!!!!

Skuadra në përgjithësi ishte e lodhur dhe nuk ishte shumë e dobët në ndeshje me Sampdorian. Prandaj, nuk do të përqëndrohem tek paraqitja individuale e futbollistëve, por në diçka që nuk ka lidhje direkte me Milanin.

Gjithë bota kishte sytë tek “el klasiko” mbrëmë. Ishte një lojë e mrekullueshme e Barselonës. Po pra, vetëm Barselona luante futboll, Reali shikonte dhe merrte mësimet fillestare për futboll, 1-01. Kjo më bën të kthehem 16 vite më parë kur isha shumë i ri dhe kur pata filluar të dashurohem në një skuadër futbolli që bënte kërdi në atë kohë. Barselona është një emër i bukur dhe çdo fëmijë do t’i bënte përshtypje një emër i tillë. Edhe lojtarët që kishte Barselona atëherë ishin yjet e botërorit të mbajtur në SHBA në vitin 1994, Romario dhe Stoiçkov, si dhe lojtarë tjerë si Guardiloa, Mihael Laudrup, Kuman, Ferrer, Zubizarreta, Salinas, Amor, Nadal (mixha i Rafael Nadal), Begirishtan (ish-drejtori sportiv i Barselonës), Gojkoçea, etj, të gjithë nën udhëheqjen e legjendës së futbollit Johan Krojf. Kjo skuadër me plotë yje dominonte futbollin atë kohë, kishte fituar Kampionatin e Spanjës me 30 gola të Romarios, kishin arritur në finale të Ligës së Kampionve ku ishin favorit kryesorë ndaj Milanit të cilin e kishte braktisur Arrigo Saki (që disa e konsiderojnë si njërin nga trajnerët më të mirë në histori të futbollit) dhe futbollistët kryesor si Van Bsten, Rajkard dhe Gullit. Por, ajo çfarë ndodhi atëherë ishte ndër befasitë më të mëdha në histori të futbollit. Milani mposhti atë Barselonën dominuese me rezultat të thellë 4:0. Disa milanista të vjetër akoma kujtojnë ato kohë, dhe kur shohin Barselonën në mënyrë ironike deklarojnë që këtë Barselonë e kemi mposhtur 4:0. Këtë e përdorin gjithnjë për të lavdëruar Milanin dhe akoma bëhet ëndërrimtarë kur kujtojnë ato çaste. Vërtetë ka qenë kënaqësi kur shënoheshin ato golla, kur çmendej Zubizareta dhe kur Krojfi i shokuar vetëm shikonte mrekullinë që bënin 11-shja e Kapellos. PLAP! Zgjohuni! Loja e mbrëmshme e Barselonës ishte mrekulli që nuk është parë në futbollin e shekullit XXI. Barselona posedonte topin deri në 80% dhe 350 milionë e shpenzuar në transfere dukej që i kishte marrë uji i tualitetit. Nuk kishte faj Reali, as Murinjo, as Perez, fajtore ishte Barselona që s’di çfarë bënte, vetëm e bënte mirë! Skuadra e Barselonës përbëhej prej 9 futbollistëve që janë rritur në shkollën e Barselonës, përbëhej prej futbollistëve që luajnë me zemër, dhe jo mercenarëve që luajnë për para dhe famë. Çfarë dua të them?! Vazhdoni lexoni nëse keni arritur deri këtu!

Pas atyre ndeshjeve kundër Realit, transferimit të Kakas, 6-shes të vitit të kaluar të Murinjos, dhe dominimit të Interit, milanistat urrejnë Murinjon dhe Realin në përgjithësi. Kanë arsye për t’u ndjerë ashtu. Tani kjo fitorja e Barselonës në një mënyrë është hakmarrje e vockël e milanistëve. Reali ndoshta ka pësuar pesë gola prej Barselonës, ndoshta është turpëruar Murinjo, ndoshta milionat e Perezit i kanë marrë ujërat e zeza, por Reali na mposhti këtë vit, po kualifikohet i pari nga grupi ynë, Murinjo… e po ky njeri na ka shkaktuar shumë dhimbje, dhe Perezi na ka marrur Kakan, vitin e ardhshëm do të na marrë Paton ose Tiago Silvan. Pra, pa marrë parasysh çfarë bën Reali ndaj Barselonës, me Milanin e ka krejt ndryshe.

Dhe kur përmenda finalen e Ligës së Kampionve në filim të tekstit atëherë duhet të kujtojmë që Barselona është akoma në Ligën e Kampionve, dhe ne ndoshta do të gjejmë atë pak fat që të ndeshemi me Shakhtarin, Totenhemin, Shallken apo Lionin në rrethin e dytë, dhe mund ta shtyjmë kështu deri në finale, por çfarë nëse na bie të takohemi me Barselonën?! Çfarë do të na bëj Barselona neve, çfarë do t’i bëjë mesfushës tonë të plakur?! Mua më mbetet vetëm një gjë, të lutem të menjanohemi nga ndonjë skuadër në penallti, ose të menjanojë dikush tjetër Barselonën para se të takohemi ne. Më e keqja është të takohemi në rrethin e parë me Barselonën. Megjithatë do të doja të takoheshim me Barselonën që të shihni diferencën në mes të Milanit dhe Barselonës, dhe pastaj të kujtonim me ironi ato kohët e arta që janë fanitur në memoriet tona. Vetëm ato na kanë mbetur!

Luan Morina

Kolumna “Ditari i një milanisti” për ACMilan-Shqip dhe Shqipmedia

Twitter: @morinaluan