I lumi unë për veti që po të paguhesha për këto kolumne do të merrja pagë të dyfishtë falë Barcelonës. Pak nga ju e dini që unë pos kritikave të herë pas hershme ndaj Milanit, kritikoj edhe filma dhe televizion shumë më tepër. E vetmja vegëz ndërmjet këtyre dy gjërave është Barcelona. Aha, Barcelona është ajo që mundet të krijoj ambientin për të kritikuar Milanin dhe aktrimin në të njëjtën kolumne. Ju që keni lexuar kolumnet javore në Shqipmedia ndoshta e dini që shpesh herë kam lavdëruar lojën e Barcelonës. Sinqerisht atë çfarë ata e bëjnë në fushë është vështirë ta bëjnë të tjerët. Dua të them mënyra se si lëvizin, emocionet në fytyre, gjestet janë të një shkalle që askush deri më sot në një mënyrë kolektive s’ka mundur ti pasqyrojë. Për këtë sigurisht që shërben edhe një udhëheqje e shkëlqyeshme nga Guardiola si dhe komunikimi jashtëzakonisht perfekt i tërë skuadrës. Nuk kam pasur mundësinë ti dëgjoj fjalët e tyre, pos disa herë kur kanë arritur të çjerrin disa decibela mbi të zakonshmen, por në bazë të lëvizjeve të gojës nga pak kam arritur të hamendësoj për fjalët e tyre. Por, megjithatë kanë një të metë. Të gjitha këto që i përmenda më lartë do të kryenin punë në ndonjë telenovelë spanjolle që do të ju bënte të qëndronit para televizorit për kohë të pacaktuar. Aktrimi i tyre nuk është aq cilësor për filma, dhe jashtëzakonisht larg performancës së Javier Bardemit i cili shfaqet shumë më madho se tërë skuadra e Barcelonës, jo vetëm me ekuacionin e mbledhjes, por as shumëzimi s’do ti afrohej burrërisë së Bardemit. Nuk mund të them të njëjtën edhe për Penelope Cruz, por edhe ajo është shumë më lartë në disa sfera se sa futbollistët e Barcelonës.

                Futbollistët e Barcelonës ngjajnë sikur në prodhime të dobëta qelqi, prodhime që ndalohen rreptësisht në fushën e futbollit. Padyshim që ata kanë humbur rrugën dhe në vend se të përfundonin mbi akull për të bërë patinazh artistik apo në teatro baleti ata kanë përfunduar mbi një tepih të gjelbër. Arti që ata bëjnë në fushë, e kanë bërë edhe futbollistët-nxënësit e mi 11-12 vjeçar para disa viteve, kur stërvitnin me figura statike. E skuadra më e mirë e të gjitha kohërave e as të sotmes nuk mund të jetë një skuadër e tillë. Keni parë Monchengladbach-un?! Për momentin janë skuadër shumë më e mirë se Barcelona.

Sidoqoftë, pasi është një kolumne për Milanin atëherë do të jetë më mirë të përqendrohem tek skuadra kuqezi. Pa marrë parasysh rezultatet e kaluara të cilat ishin goxha të mira, përjashto dy të fundit, skuadra nuk është e nivelit standard të Milanit. Edhe një herë i kthehem asaj që kam përsëritur tashmë dy vite, pleqërisë.
E keni vërejtur që mesfusha si kundër Fiorentinës dhe Barcelonës nuk ka ekzistuar fare edhe në disa ndeshje paraprake sidomos në 30 minutat e fundit. Kjo është pika më e dobët e skuadrës. Për momentin të gjithat e mesfushës janë inferiore ndaj shumicës së skuadrave të mëdha, përjashto ndoshta moshën që e kemi më të madhen shpesh herë.
Derisa nuk luante Seedorf në mesfushë para dy ndeshjeve të fundit kemi pasur mesfushë më të lëvizshme që është pasqyruar në rezultate. Problemi kryesor i skuadrës për momentin është Seedorfi që luan pozitën kyçe, por nuk është as afër përmbushjes së detyrës që do të duhej të bënte. Ai është lojtari që do të duhej të lidhte mbrojtjen dhe sulmin, por paaftësia e tij për të realizuar këtë po na shtyn drejt një loje me topa të gjatë të cilët me skuadra që kanë vijë të ulët mesfushe nuk po kryejnë punë. Kjo na detyron të luajmë më shumë edhe me anë të krahëve, të cilët kundër Barcelonës nuk kanë qenë thjesht kërkah. Ani, Abate mund të ketë bërë disa intervenime në mbrojtje duke mbuluar mesfushën dhe qendërmbrojtësit, por, nuk është dhe s’do të jetë kurrë, nëse vazhdon kështu kalibër i Milanit. Për të bërë një vlerësim më të lehtë për Abate do të ju sugjeroja ta krahasonit me mbrojtësit e djathtë të skuadrave më të mëdha evropiane për momentin si dhe me paraardhësit në atë pozitë në Milan, Cafu, Stam, Tassoti etj. Zambrotta ka qenë njëri ndër mbrojtësit më të mirë anësor, por kjo ka ndodhur kur ka qenë në Juventus e Barcelona. Tanimë i ka bërë një kallaballëk vite si shumica e bashkëlojtarëve të tij. Nuk është një lojtar që mund të përballoj krah sulmi të skuadrave të mëdha. Abbiati ka qenë sensacional, por kurrë nuk dihet se cilin Abbiati do ta kemi në fushë, sidomos në ndeshjet e fundit kur bën gabime amatoreske. Por, kundër Barcelonës ka qenë ai që na ka shpëtuar nga një debakël. Thiago Silva më bën të ndjehem keq kur shoh në skuadrën tonë. Po të isha në vend të tij do të lëshoja Milanin në mundësinë e parë. Nuk mund të luash pesë pozita në një lojë. Kjo të sjell stresin dhe gabimet në fushë, të cilat ai po i shmang për mrekulli. Ndryshe është të jesh pjesë e mbrojtjes së Chelseat, Cityt, apo Realit e ndryshe Milanit. Gjithnjë duhet të jetë gati të përmirësosh gabimet e tre mbrojtësve tjerë, si dhe mesfushorëve.
Për Van Bommel kam folur moti kohë. Është bateri e shpenzuar dhe nuk është dashur të vinte as në janar e lëre më ti vazhdohej kontrata. Ngjashëm edhe për Seedorf e Ambrosini. Boateng jo vetëm për shkak të atij goli që mund ta përkthenim në një frazë “haj ‘mokat edhe ‘kojm papa” për Abidalin, por është një mesfushor që nuk filozofon shumë, përkundrazi të tjerëve që do të konkurronin me Aristotelin e Platonin. Guxon të provoj e rrezikoj dhe shpesh kjo i shpërblehet me supergola si ndaj Lecces. Bën gjënë e parë që i bie në mend dhe kështu jep një rrjedhë më të shpejtë lojës. Ngjashëm e kemi edhe Urby Emanuelson i cili në anën e majtë do të kontribuonte shumë më tepër se sa mbrapa sulmuesve. Aquilani nuk mund të jetë i vetmi lojtar që do të kontribuoj në mesfushë, sidomos si kundër Barcelonës ku ishte vendosur në një pozitë të humbur brenda Van Bommel (defanziv/qendror) dhe Seedorf (ofanziv). Të mbulosh dy vrima në mesfushë dhe të luash me dy pleq gërnjar nuk është aspak lehtë. Nocerino akoma nuk ka përvojë, por në Serie A po kontribuon shumë më tepër sesa pjesa tjetër e skuadrës, ndoshta sepse ka mendjen në tokë.
Dikush mund të qahet për largimin e Pirlos, të cilin unë e kam dëshiruar prej shumë kohe. Akoma qëndroj pas këtij mendimi dhe megjithëse ndoshta ai po kalon një formë më të mirë në Juventus, si në aspektin financiar ashtu edhe në atë taktik largimi i tij është vendim i qëlluar. Por, është dashur të sjellim dikë më të ri dhe me më shumë perspektiv se ai, gjë që nuk ka ndodhur akoma.
E kur jemi tek transferimet flitet shumë për Montolivon, së fundmi edhe Tevezin dhe dikë që nuk kemi dëgjuar asnjëherë, Guilherme më duket. Montolivo dihet se moti kohë është në radarin e Milanit, por skuadra akoma ngurron dhe luan me zjarrin pasi Fiorentina shumë lehtë mund të pranoj një ofertë nga çfarëdo skuadre në dimër. Edhe po të ketë marrëveshje mes Gallianit dhe agjentit të Montolivos, Fiorentina mund ta shtyej Montolivon të largohet e nëse nuk e bën këtë mund ta vendosin në rezerva që do të ja zvogëlonte gjasat të luante në Euro 2012. Në rregull është një teori konspirative, por nuk besoj se bën të humbim edhe një talent tjetër italian. I kujtoni sukseset e Italisë në 2 dekadat e fundit? Ato pak suksese që i kanë arritur, i kanë arritur kur kanë pasur skuadrën të përqendruar tek futbollistët kuqezi, si mesfusha e 2006’tës ashtu edhe mbrojtja e 1994’tës. Për Guilherme s’di çfarë them sepse këtë emër e kam dëgjuar vetëm nëpër telenovela latine. E me Tevezin, Milani do të bëhet sikur ajo klasa që gjendet në fund të korridorit, që kanë derën e thyer, 1807 mungesa gjatë vitit, nuk punon asnjë llambë, si prizat e spinat dhe çdo muaj vijnë lajmërime për parapërjashtim nga shkolla, derisa janë ata pak nxënës të urtë e të mirë të cilët mundohen të ruajnë një imazh më të balancuar të klasës. Nga një skuadër xhentëlmenësh jemi shndërruar në një skuadër vagabondësh, por, të cilët na shërbejnë shumë në fushën e marketingut (paramendoni sa fanella të Tevezit dhe talentë të argjentinas do të shihni Milanin si të ardhmen), e pse jo edhe në fushën e blertë. Nuk kam qenë tifoz i madh i Tevez, por ardhja e tij e realizon njërën ndër dëshirat më të mëdha milaniste për mua, më në fund do të kemi të lirë numrin 9 në skuadër.
Reparti i sulmit kundër Barcelonës ka qenë në nivel, por Allegri ka mundur të bëj gjëra më të mençura. Të nisemi nga gjërat pozitive së pari. Ka shfaqur guxim dhe mençuri me qasjen ndaj lojës. Ka hedhur formacion gjysmë-ofanziv dhe ka sulmuar. I lumtë, pasi është vendim shumë më i mençur se vendime që kanë marrë Sir Alex, Mourinho, e trajner të tjerë më me përvojë në gara ndërkombëtare. Kundër Barcelonës do të sulmohesh, edhe do të pësosh herët a vonë, dhe për këtë nuk ja vlen të mbrohesh, por thjesht bëj lojën tënde dhe kënaq shikuesit, gjë që ndodhi për pjesën e parë të ndeshjes.
Pjesa e dytë filloi me gabimin e parë që ishte largimi i Robinhos dhe futja e Patos. Me këtë ai largoi një krah të skuadrës duke vendosur Ibrën dhe Paton së bashku në qendër, një strategji që ka dështuar tërë sezonin e kaluar. Pato nuk ka mundur të luaj nga fillimi, pasi akoma nuk është në formën më të mirë dhe gjithashtu nuk bën të rrezikosh një lojtar të vyeshëm si ai për një ndeshje që nuk ka shumë rëndësi, sidomos kur kemi mungesa në sulm. Vendosja e Van Bommel ka qenë e detyrueshme për formacionin që ka luajtur atë natë Milani. Megjithatë po të vendoseshin Aquilani dhe Nocerino në vend të Van Bommel, do të mbulonin shumë më mirë pjesën e lartë të mesfushës së Barcelonës duke mbyllur qendrën që ishte arma kryesore e kundërshtarëve atë natë, që në mungesë të Alvesit kishin ndryshuar strategjinë. Boateng do të qëndronte para Nocerinos e Aquilanit duke i mundësuar skuadrës lëvizje më të lehtë në mesfushë, të tre këta fizikisht janë shumë më të përgatitur se Seedorf e Van Bommel. Shkakthtësia e Boatengut në mesfushë do të shpërqendronte krahët e Barcelonës në mesfushë duke i krijuar më shumë hapësirë në krah Robinhos dhe Patos, pasi qendërmbrojtja ishte shumë e koncentruar tek Ibra. E në mungesë të krahut të djathtë punë fantastike me harkime do të kryente Taiwo që më kujton mrekullitë e Serginhos. Gjithashtu ai është edhe shumë më i mirë se Zambrotta në atë anë, dhe kur Taiwo gjendet në lojë edhe Abate ka më shumë hapësirë në të djathtë. Pra do të krijonim mundësi sulmi nga të tri drejtimet derisa në mbrojtje do të mbulonim qendrën pa harruar edhe ndihmën që Aquilani dhe Nocerino do të bënim në krah për Abaten e Taiwon.
Allegri ka potencial, ndoshta, por përvoja po i mungon. Këtë mungesë po tentoj ta mbuloj me përvojën e lojtarëve e cila vetëm çka po na dëmton më shumë.