Categories
TV Reviews

BBC Dynasties – Sezoni 1

A mund ta gjeni një njeri që quhet Luan që peshon 180 kilogram dhe vrapon 80kmh? Sigurisht jo ky Luan, i cili mezi që guxon të vozitë 80kmh e lëre më të vrapoj!

Shumica nga lloji ynë i krijesave sheh një superioritet ndaj kafshëve. Për më tepër edhe fjalët më ofenduese i kemi me emrat e kafshëve – lopë, kali, gomar, buallice, etj. Mbi të gjitha, ne i gjuajmë për argëtim, i vrasim për arsye bizare, për të shfaqur këtë superioritet.

Mirëpo, po të shihni këto episode për pesë dinasti të ndryshme kafshësh, do të mësoni se sa qenie e dobët dhe e turpshme jemi. E mbi të gjitha, jemi të tillë të cilët qeniet më të forta se ne i shfarosim në mënyrë të pashpirt. Ndoshta për të treguar superioritetin intelektual.

Të jesh anëtar i religjioneve kreacioniste nuk duhet të përjashtojë patjetër ngjashmëritë që kemi me botën tjetër, përfshirë edhe atë shtazore. Dhe, si anëtar i një religjioni të tillë, por mbi të gjitha një qenie njerëzore, superioritetin e lartpërmendur të cilin shumë nga nesh e mbajnë me lavdi, nuk e kam ndjerë kurrë. Përkundrazi, një emër kafshësh ndoshta më ka bërë të interesohem më shumë për ato. Dhe, kur shoh historinë e luanit në këtë seri, më vjen të ndërrojë emrin tim.

Asgjë nuk është historia e luanit sa është ajo e pinguinit. Si njeri që mërdhihem, kur e shoh një pinguin që ruan venë e foshnjës të tij në -50 gradë celsius me stuhi ngrirëse, atëherë e kuptoj se sa i dobët jam, sa të dobët jemi si qenie që frymojmë.

Seria nis nga shimpanzet, për të vazhduar me pinguinët që është nga më prekëset nga këto pesë episode. Luani, ujqit e ngjyrosur, dhe tigrat janë tri episodet e fundit që na fusin në brendësi të një cikli jetësor të këtyre pesë lloje kafshësh, si asnjëherë më parë.

Kinematografia, njohuria enciklopedike, e narracionin e bëjnë këtë seri ndër më të mira të Sir David Attenborough. ‘Dynasties’ është edhe një seri shtesë dokumentare që na dëshmon madhështinë e jetës, e krijimit, dhe sa minimale është bota jonë në këtë planet të mbushur me krijesa të mrekullueshme. Nota personale: 5/5