Fëmijët e luftës tonë tash janë prindër, fatmirësisht me fëmijë të lirisë! Urojmë që mos të kenë nevojën kurrë të shpjegojnë për fëmijët e tyre se çfarë është lufta.

E lufta vjen në forma të ndryshme, dhe e jona nuk ishte luftë. Ishte një mbrojtje duarthatë kundër një armiku të armatosur deri në dhëmbë.

Belfast do kuptohej edhe më mirë nëse keni më shumë informata për problemet në ishullin e Irlandës dhe ndasitë ndërmjet Republikës dhe pjesës përbërëse të Mbretërisë së Bashkuar.

Badi, i portretizuar nga Jude Hill, është një fëmijë që jeton me nënën e vëllain e tij gjersa puna e mbanë babanë kryesisht në rrugë. Pranë tyre jetojnë edhe gjyshërit e Badit. Fëmijëria e tij trazohet me fillimin e trazirave të viteve 1960ta në qytetin e Belfastit kur Badi edhe njoftohet me ‘luftën’.

Të gjitha ndasitë religjioze shtyjnë familjen e Badit të mendojnë migrimin nga shtëpia, nga rruga, nga lagjja që për Badin ka qenë jeta e vetme që ka njohur. Largimin nga gjyshi dhe gjyshja që janë vet jeta për të.

Trekëndëshi ndërmjet Badit dhe gjyshit e gjyshes, dialogët ku këta të fundit provojnë t’i japin një pamje sa më të ‘lehtë’ për ngjarjet që po ndodhin rreth tyre janë ato që e bëjnë këtë film të shkëlqyeshëm. Njëjtë ndodhë edhe me prindërit e shoqërinë e tij të ngushtë, të cilët i sjellin pikëpamje të ndryshme mbi jetën dhe trazirat që e rrethojnë.

Kemi një fëmijë të ngujuar në udhëkryq të luftës derisa nuk e ka idenë se çfarë duhet të bëjë, kë të dëgjojë, e aq më pak çfarë po ndodhë rreth tij.

Aktrimi i Jude Hill është simpatik, i këndshëm, që të bën të ndjesh një afërsi prindërore e kujdestare karshi karakterit të tij. Të bën të ndjesh një afërsi gjyshërore pa marrë parasysh moshën me aktrimin e Judi Dench e sidomos Ciaran Hinds. Është një film ‘përqafues’, e që për fëmijët tanë të luftës mund të zgjojë kujtime të këndshme nga një periudhë e kobshme.

Caitriona Balfe e Jamie Dornan vijnë në rolin e prindërve të Badit, të cilët janë në një dimension më ndryshe se ai i gjyshërve të Badit karshi jetës së tij. Aktrimi është po aq i mirë, derisa një skenë që përfshin nënën dhe Badin do mbetet gjatë në kujtimet tona. Sepse për disa prindër edukata është po aq e rëndësishme në luftë sa edhe në paqe!

Pastaj kemi Kenneth Branagh që bën regjinë dhe skenarin, në një mënyrë madhështore. Filmi bardhë e zi përshtatet për merak me historinë, derisa këndet statike që kapin karakteret në qoshe të ndryshme derisa flasin për ngjarjen e duke të thelluar në mendjen e tyre diku gjetiu janë art.

Njëri ndër dy filmat më të mirë të vitit 2021. Nota personale: 5/5

About Author

Writer?!

You might also enjoy:

%d bloggers like this: