Është viti 26 p.k. një princ i pasur çifut, Judah Ben-Hur, jeton një jetë të qetë në Jerusalem me nënën, motrën, dhe shërbëtoren e tyre. Një vizitë nga dy miq të fëmijërisë i ndryshon jetën në dy drejtime të kundërta. Së pari ai takon Estherin – shoqen nga fëmijëria në të cilën dashurohet. Pastaj takon Messalan, shokun nga fëmijëria i cili është konvertuar në një qytetar romak, të cilën gjë ia predikon edhe Judah-së.
Kur Judah nuk pranon të lë religjionin e tij, atëherë Messala provon të përdor gjitha forcat që të shkatërrojë jetën e Judah si dhe të familjes së tij. Rruga e Judah deri tek hakmarrja do të jetë e gjatë, 3 orë e 32 minuta, në njërën nga rrugëtimet më epike dhe të kompletuara të realizuar nga Hollywoodi.
Filmi ka fituar 11 oskarë duke humbur vetëm për skenarin e adaptuar. Skenari është i adaptuar nga romani me të njëjtin titull, i bazuar në ngjarje fiktive, nga Lew Wallace. Derisa Wallace dhe kolegu i tij nga ky film, Karl Tunberg, nuk janë aq të njohur në botën e filmit, William Wyler është një nga kolosët e Hollywoodit dhe epokës së artë revolucionuare të filmit amerikan.
Regjia, dhe përgatitja në tërësi e filmit është fantastike. Sigurisht që për shikuesit e sotëm mund të duket e gjatë, por është një rrugëtim i paharrueshëm në një ambient të përpunuar mahnitshëm. E vërtetë, është edhe një udhëtim i mundimshëm, i përvuajtur, e i rraskapitur, ashtu si historia e Judah Ben-Hur.
Portretizimin e Judah Ben-Hur në film e bën Charlton Heston. Është kjo edhe një arsye shtesë, kryesorja me gjasë, pse duhet të shihni këtë film. Puna që bën në këtë film Heston është ndër aktrimet më të mira në histori të Hollywoodit. Aq mahnitshëm mishërohet në karakterin kryesor sa të ngreh brenda në film, duke të rekrutuar si një përkrahës virtual në rrugëtimin e tij drejt drejtësisë.
Sigurisht që në këtë film vjen me përvojën e Moses tek ‘The Ten Commandments’ që është po kaq madhështorë. Një dallim është që tek ‘Ben-Hur’, Heston ka më shumë skena ku nevojitet përgatitja fizike, sidomos në garën legjendare me kuaj.
Një film epik i pashoq mbetet ‘Ben-Hur’ sot e përgjithmonë. Nota personale: 5/5