Fillimi i fundit!

Dhe nuk ka qenë vetëm në episodin e fundit të sezonit ky fillim, por qysh herët. Aty kah episodi i katërt, i pestë, kur Ejmi zhvendoset tek Peni, e më pas edhe Shelldoni shkon për ti bërë shoqëri. Kështu do të mbetet për sezonet vijuese, deri në fund. E fundi besoj që do të jetë me sezonin e dymbëdhjetë pasi veç është duke u harxhuar seria.

Ndoshta Chuck Lorre edhe do të pres që dikush nga kasti të çmendet që ta zëvendësoj më Ashton Kutcher!

I pari që do të çmendej do të duhej të ishte Shelldoni! Mirëpo unë do veja bast në Hauardin. Veprimi më i pështirë që kanë bërë producentët ka qenë zëri i foshnjës së Hauardit dhe Bernadetës. Gjyshja e kësaj foshnje ka qenë e ëmbël, përkundër atij zëri. Ama e qara e foshnjës, ueeeueeeueee, të gërryen me çfarë ke brenda. Është fund e krye bërllog!

Ka pasur gjëra të mira, episode të mira. Provimi i hobive të rinj nga Shelldoni, episodi me gjeologun, punët për CIA-n, ‘vjedhja’ e apartamentit, menaxhimi i Razhit nga Shelldoni. Nuk ka qenë sezon koti. Por, drejtimi në të cilën po ecën… Personalisht nuk po më pëlqen!

Tashti do të duhej të martoheshin Shelldoni me Ejmin, Peni e Lenardi të bëjnë fëmijë, Razhi të vazhdoj shoqërinë me Stjuartin si dy dado të foshnjës së Hauardit e Bernadetës. Ka hapësirë për të krijuar skenar të ndryshëm, aktivizimin e karaktereve dytësore, mysafirë. Ka mundësi edhe të hidhen themelet për ndonjë spinoff seri bazuar në ndonjërin prej karaktereve. Por, nuk ka kohë për të humbur shumë. Ndoshta vërtetë duhet ‘të çmendet’ dikush.

Sidoqoftë, shikueshmëria ka rënë, dhe rrezikon të gërryen edhe më shumë në rast se nuk ka ndonjë risi. E risitë janë zor të sillen në këtë seri. Ndoshta ndonjë spinoff tjetër pos ‘young sheldon’.

Nota e sezonit: 4/5