Ed Bllum ka qenë gjithçka. Budalla, peshkatar, udhëtar, i dashuruar… mbi të gjitha ka qenë një legjendë. Dhe legjenda e tij do të ju lë mbresa të pashlyeshme me një grumbull citatesh që do të zënë vend në abetaren e jetës tuaj. Nëse keni një të tillë.

Tregimet e tija kanë qenë aq të çmendura sa të birit, Uillit, i kanë plasur kokën! Gjithnjë ka dyshuar në to, si të stërmadhuara dhe utopike. Tani që Edi po vdes, ai kthehet për të përcjell në udhëtimin e fundit të atin. Dhe rishqyrton gjithçka që i ka treguar Edi.

Në këtë ritregim, do të jemi prezent edhe ne si shikues. Është një tregim i përzier me përrallat, historitë me një imagjinatë tejet të bukur vizuale. Por mbi të gjitha është një histori e rrëfyer që do të na humb për nja dy orë, duke na larguar nga realiteti dhe logjika që na limiton mendjen.

Logjikë nuk ka në shumicën e veprimeve të Ed Bllum. “Kur takoni dashurinë e jetës tuaj, koha ndalon. Por, nuk ju tregojnë që kur të nis të lëvizën më pas, nxiton sa kurrë s’mund ta kapeni më.” Një javë, një muaj, një vit, një jetë. Dhe për atë moment Edi ka një thënie tjetër. por këtë do të duhej ta mësoni në film. Ngjashëm edhe arsyen pse të gjitha gjërat e liga dhe ziliqare janë ashtu siç janë, e edhe pse është mirë nganjëherë të jesh ai budallai që vazhdon të ndjek anijen që ka lundruar tashmë.

Edi i plakur vjen nga Albert Finney. Më i këndshëm se ky është vetëm Edi i ri – Ewan McGregor. Një kombinim i mrekullueshëm aktrimi. Jessica Lange vjen si Sandra, gruaja e tij, derisa Billy Crudup vjen në rolin e Uillit – të birit. Ka edhe shumë aktorë tjerë me role të këndshme, sidomos Matthew McGrory në rolin e Karlit Gjigant, dhe si zakonisht gruaja e Tim Burton – Helena Bonham Carter, e cila megjithatë dëshmon se në çdo film meriton rolet që merr. Shtrigë më të mirë se ajo s’mund të gjejmë.

Aktrimi është i shkëlqyeshëm siç thashë. Regjia edhe skenari edhe më të mirë. Një film përrallor që do të ju ushqej imagjinatën deri në maksimum. Nota personale: 5/5