Annacat e ‘American Housewife’ mbetet fëmija më i lezetshëm në televizion për momentin. Së paku nga ata që i përcjell unë. Mirëpo, afër, shumë afër i afrohet Chloe Mackenzie e ‘Big Little Lies’.
‘How was school today?’
‘Well… TGIF…”
Veç një pjesë e vogël prej shumë dialogëve që përcillen me një aktrim tepër të këndshëm të Darby Camp. Ajo është një prej shumë fëmijëve pjesë e serialit. Bashkë me Ziggy Chapman të dy kanë më së shumti hapësirë skenike nga të gjithë fëmijët e klasës së parë. Tek fëmijët nis tregimi në fillim.
Gjithë çfarë dihet në fillim është se dikush ka vdekur. Karakteret janë duke u rrëfyer në polici, dhe në anën tjetër nis zhvillimi i ngjarjes nga dita e parë e shkollës. Nuk më ka kënaqur ndonjë seri e re kështu moti kohë. Ka shumëçka, mos të them gjithçka, që vjen në mënyrë të përkryer në serial.
Fotografia është e mahnitshme, kap mote të ndryshme, me një kontrast bukur të ngjyrosur sidomos në orët e muzgut. Shumica e këtyre skenave vijnë me dialog minimal. Pasi ngjarja zhvillohet në bregdet kemi shumë erëra që pasqyrohen në mënyrë direkte në skena, si dhe atë indirekte duke prekur edhe vet karakteret. Skenat pa dialog kanë muzikë që të kënaq veshët. Është një muzikë e përzgjedhur me shumë mençuri, e përshtatshme për situatat për të pasqyruar gjendjen shpirtërore që përjetojnë karakteret në ato momente. E karakteret…
Aktrimi është fenomenal. Është një ansambël aktorësh të zot. Që të gjithë vijnë me një bagazh të konsiderueshëm të vlerësuar jo vetëm me nominime për shpërblimet më të mëdha në botën e aktrimit. Nicole Kidman ka një paraqitje të papërshkrueshme me fjalë; Reese Witherspoon vjen edhe si producentë ekzekutive; Shailene Woodley në rolin që e pjek, por në të cilin edhe ka nisur karrierën. Të tri këto kanë aktrim të shkëlqyeshëm, ndihmuar nga karakteret dytësore të cilat janë të përzgjedhura për merak. Një vlerësim të veçantë edhe për departamentin e kastingut. Nuk mund të lë anash aktrimin e Adam Scott i cili më ka impresionuar jashtëzakonisht me karakterin e tij në këtë mini-seri.
E bazuar në novelë, David E. Kelley, puna e të cilit goxha më ka pëlqyer gjatë viteve meriton një lëvdatë të lartë për mënyrën e shtjellimit të tregimit. Jean-Marc Vallee bën regjinë e të gjithë episodeve, i cili rikthen bashkëpunimin me Reese Witherspoon e Laura Dern pas ‘Wild’. Në aspektin teknik edhe kreativ mini-seria është e përkryer. As aktrimi nuk mbetet mbrapa. E tash…
SPOILERAAAAAAA
Dreka në bregdet e Madeline e Jane në episodin e katërt ka qenë momenti kur kam zgjedhur babanë e Ziggyt. Pjesa tjetër ka mbetur deri në fund, edhe pse që prej aty dyshimet për djemtë e Perryt, dhe vet atij. Pjesët fillestare kanë qenë të vështira për të gjetur se çfarë ka ndodh dhe kush është vrarë. Krejt çonte kah Renata edhe dukej sikur një zënke ndërmjet grave. Mirëpo me zbulimin për të kaluarën e Jane pak a shumë marrim një drejtim se kah ecën seria. Edhe në fund, kur mendojmë se kemi zbuluar gjithçka, vjen Bonnie! BAM! Tepër, tepër mini-seri e shkëlqyeshme!