Filmat e Scott Cooper sikur po marrin një ngjyrë të venitur. Pas ‘Out of the Furnace’, tani edhe ‘Black Mass’ vjen me një ngjyrë të hirtë përgjatë gjithë filmit, që veçse përshtatet me temën që shtjellon. E kur jemi tek temat dhe skenari, karriera e tij nuk ka ndonjë ndryshim në trajektore. Edhe tek ‘Black Mass’ kemi një temë që për dallim nga filmi i tij i parafundit merr një konkluzion të qartë.
‘Black Mass’ sjell tregimin e Jimmy ‘Whitey’ Bulger – një anëtar i nëntokës së Bostonit Jugor. Whitey është vëllai i senatorit Billy Bulger, dhe që të dy janë miq të ngushtë fëmijërie me John Connollyn nga FBI. Ky i fundit, pasi Jimmy kthehet nga Alkatrazi dhe nis të rimerr territorin e humbur, fton Jimmyn të jetë bashkëpunëtor/informues për FBI-në në luftë kundër krimit. Whitey shfrytëzon këtë për të likuiduar konkurrentët e tij të nëntokës.
Tema është e shtjelluar mirë. Nis në një moment të caktuar, kur Jimmy kthehet nga Alkatrazi dhe nis misionin e tij të sundimit të nëntokës. Kapen momente vendimtare gjatë këtij rrugëtimi, dhe duke qenë se bazohet në një ngjarje të vërtetë, mendoj që regjisori dhe skenaristët kanë arritur të sjell pikët kyçe nga jeta e Jimmyt si një filmi biografik, duke kapur si jetën private, atë profesionale, dhe lidhjet e ndikimin që jeta e tij ka pasur në personat që kanë qenë të lidhur me të, me apo pa dashje.
Ajo që bie në pah tek ky film është aktrimi, sidomos i Johnny Depp. Mund të them që nuk e kam parë Depp që nga ‘Sweeney Todd’. Duhet të pranoj që kanë qenë tetë vite që duhet harruar nga karriera e tij, dhe ky film rishfaq zotësitë e tija prej një aktori që meriton të çmohet për punën që bën. Rol të madh luan edhe departamenti i makijazhit, i cili ka punë në më shumë aktorë se sa veç Depp.
Joel Edgerton vjen në rolin e John Connollyt – agjentit të FBI-së. Është një karakter labil, i ngujuar ndërmjet të kaluarës dhe të tashmes, miqësisë dhe profesionit. Edgerton, i cili njihet për role më ekstreme se sa ky i Connollyt, bën një punë të mirë edhe në këtë film. Impresionues për mua ka qenë Benedict Cumberbatch i cili vjen në rolin e Billyt, duke adaptuar një theks të pastër Bostoni. Peter Sarsgaard, Dakota Johnson, Kevin Bacon, Adam Scott, janë një kast i mirë dytësor, nga i cili do të veçoja Corey Stoll. Ai më ka mbetur në kujtesë për rolin e tij të shkëlqyeshëm tek ‘House of Cards’ dhe ‘Homeland’, por nuk më ka dëshpëruar asnjëherë nëpër filma artistik. Ngjashëm edhe këtu shfaqet për mrekulli në një karakter me hapësirë të limituar, por që shërben si katalizator i përfundimit të aktit të fundit.
Në përgjithësi, ‘Black Mass’ mbetet një film i rëndomtë për krimin në Boston. Kemi filma të shumtë që merren me këtë temë, por janë të paktë ku aktrimi i karakterit kryesor sjell një performancë si kjo e Johnny Depp. Nota personale: 4/5