Categories
Filma

Black Panther (2018) – Recensim

Kur të rriteni (lexo: plakeni) dhe koha për të parë filma iu pakësohet (ose iu nevojitet të shihni së paku 110-120 filma të rinj çdo vit për ‘punë’) atëherë nisni e kategorizoni se cilët filma ia vlejnë të marrin kohën tuaj, ato 2-3 orë të lira në fundjavë! E me kalimin e viteve, kjo kohë për filmat me super-heronj iu duket humbje!

‘Black Panther’ nuk është humbje kohe. Është një film super-heronjsh i mirë, i freskët, pak më larg temave të rëndomta të filmave për super-heronj. E vërtetë që vjen në një zhanër të stër-mjelë, por, nëse gjeni 2-3 filma që do të shikonit këtë vit nga ky zhanër – atëherë besoj që do të zinte vend në këtë listë.

Kësaj radhe, heronjtë zhvendosen në Wakanda të Afrikës, një mbretëri e avancuar teknologjikisht, por e cila mbetet pa lider kur lider i në radhë sfidohet nga një pretendues tjetër për fron. Dhe ky dyluftim del të jetë goxha mirë i realizuar, përfshirë ngjarjet që shpien deri tek kjo ngjarje dhe ato pasuese.

Chadwick Boseman dhe Michael B. Jordan janë në rolet kryesore, derisa ansamblit të aktorëve afrikano-amerikan i bashkëngjiten edhe disa nga emrat më të njohur së fundmi në film dhe televizion nisur nga Lupita Nyong’o, Daniel Kaluuya, Sterling K. Brown, Angela Bassett, e Forest Whitaker. Në krejt këtë mes kemi edhe Martin Freeman-in. Është një kohezion i mirë skenik ndërmjet këtyre falë një skenari mirë të përpunuar, i cili shmanget sadopak nga ai segmenti klasik i filmave me super-heronj. Meritat Ryan Cooglerit i shkojnë edhe për regjinë e mirë realizuar, diçka me të cilën keni mundur të njiheni tashmë në filmat si ‘Fruitvale Station’ e ‘Creed’.

Padyshim që filmi në radhë të parë lavdërohet për përfshirjen e gjerë të afrikano-amerikanëve, mirëpo nuk është pozitiviteti i vetëm nga ky film. E përsëris që është ndër filmat e freskët të këtij zhanri. Nota personale: 4/5