Categories
Filma

Blade Runner 2049 (2017) – Recensim

Janë disa filma që krijojnë një ndikim aq të madh sa që shndërrohen në kult. Janë gjëra të pashpjegueshme për shumicën tjetër, në të shumtën e rasteve edhe nënçmuese ndaj ndjekësve të këtij kulti. Të jesh jashtë, është vërtetë e çmendur se si dikush mund të jetë i dhënë pas diçkaje ashtu. Të jesh brenda është aq mrekullueshëm sa që bëhet e pashpjegueshme. Në fakt edhe nuk provon tu shpjegosh të tjerëve.

Bota e Blade Runnerëve është e tillë. Universi i tyre është i tillë.

Ose je brenda, ose je jashtë. Do të provoj të bëj një ndërlidhje ndërmjet këtyre botëve, për tu shpjeguar pse të tjerëve mund tu pëlqej.

Tek ‘Blade Runner’ i parë, ngjarja ishte vendosur në vitin 2019. Aty, një korporatë e madhe kishte krijuar replikantë, njerëz të krijuar me inxhinieri biologjike, të cilët i kishte përdorur për planete tjera. Disa prej tyre kishin dal nga kontrolli dhe ishin kthyer në planetin Tokë. Karakteri  i Rick Deckard kishte marr përsipër kapjen e tyre.

Misioni vazhdon edhe në vitin 2049, tek filmi i fundit, ku karakteri i Ryan Gosling është duke mbytur replikantët jashtë kontrollit. Kur mbyt njërin në fillim të filmit, ai gjen informata për një replikante e cila kishte lindur, diçka që ishte e pamundur në bazë të inxhinierimit të replikantëve.

Këtu nis beteja personale e K (Ryan Gosling) – të vazhdoj punën për policinë e Los Anxhelosit, apo të provoj të mësoj më shumë për të vërtetën. E të vërtetën nuk ka kush ta di më mirë se sa Rick Deckard (karakteri i Harrison Ford) i zhdukur tashmë për 30 vite.

Filmi është i gjatë, 164 minuta! Është një temë që nuk ka zhvillime të shpejta dhe dikujt mund ti duket e përgjumur. Por, janë këto momentet e përgjumura që të furnizojnë me madhështi kinematografike, e cila shoqërohet me një kolonë zanore që i përshtatet notë për notë filmit. Me atë thënien që ‘fotografia vlen sa një mijë fjalë’ do të ishte e kotë të shkruaja për fotografinë magjepsëse që ka filmi.

Është një realizim fenomenal në aspektin teknik. Denis Villeneuve dëshmon aftësitë e tija në këtë punë, derisa Roger Deakins me të cilin Villeneuve ka bashkëpunuar tek Sicario e Prisoners, vetëm çka përmbush kërkesat e filmdashësve.

Si një film me nuanca të filmave noir, neo-noir, me një të ardhme të shkatërruar, ku fotografia vazhdon të jetë me kontraste të mprehta, ‘Blade Runner 2049’, për mua që nuk e konsideroj veten fans të kësaj bote filmike, është një film artistik i realizuar me mjeshtëri të përkryer. Nota personale: 5/5