Si do e definonit vrasjen? T’ia marrësh jetën dikujt në një moment të caktuar, t’i shkaktosh lëndim, dëmtim që do të përfundoj me vdekje? Ligjërisht janë disa shkallë të vrasjes të cilat dënohen varësisht prej situatës. E disa, nuk dënohen fare, sidomos ato që janë për të parandaluar një krim të rëndë.

Pas Planet Earth 2, David Attenborough emri i të cilit do të duhej të mësohej menjëherë pas mësimit të alfabetit, na ri-sjell Blue Planet, por 16 vite më vonë, në një teknologji superiore, dhe një planet ujor i cili është dëmtuar më tutje që nga ‘The Blue Planet’.

Bota ujore është akoma ajo e bukura, ajo e mahnitshmja, pamje të cila pos që të lënë pagojë, të japin një valë dridhërimash të heshtura që të zgjojnë lëkurën duke të ofruar një freski, dhe njëherë edhe mrekullinë që na rrethon, e të cilën nuk e shohim.

Dhe gjersa dëshmojnë këtë botë të magjishme, shohim se sa të vegjël jemi karshi natyrës, karshi krijesave tjera me të cilët ndajmë këtë planet, të vetmin të jetuar, të cilat nuk i njohim dhe nuk do i kishim njohur kurrë po mos të ishte David Attenborough, i cili tashmë gjysmë shekulli sjell kësisoj produktesh, me një skuadër fantastike, e mbi të gjitha guximtare. Për guximin e tyre më së shumti mësojmë nga ‘ditarët’ që na ofrohen në fund të secilit episod. Thellësitë, limitet të cilat sfidojnë për të na sjell mrekullitë e botës ujore, kjo skuadër janë të pabesueshme.

Dhe këtë botë të mrekullueshme ujore të pasqyruar në ‘Blue Planet 2’, për të cilën nuk dimë gjë në krahasim me ato që do të mësojmë, po e shkatërrojmë ne, specia jonë. Dhe atë e bëjmë çdo ditë, në mënyrë të paqëllimtë, të pamenduar ndoshta. Në shumë mënyra, pos njerëzimit, ne dëmtojmë edhe ato që specie që nuk kanë avancimet tona për të mbrojtur planetin.

Është pjesa me balenën foshnje të porsalindur, dhe të vdekur, e cila në oqeanin në kushte aktuale nuk ka mundur të mbijetoj. Janë lloje të shumta të shpezëve që kemi mësuar tek ‘Planet Earth 2’ të cilat vriten duke pandehur plastikën për ushqim. Dhe plastika e shkrirë për një kohë të gjatë në ujë, kthehet në ushqim të peshqve të cilët pos ata, dëmtojnë edhe njeriun si vet shkaktar i kësaj ndotjeje. Dhe cikli i ndotjes vazhdon, prek edhe koralet, edhe gjallesat tjera shtazore e bimore në planetin tonë, në mënyra të paparashikuara.

E kur shohim programet në mbrëmjet e fundjavës, të dielën në mëngjes, oraret familjare në televizionet tona, me çfarë bërlloku mbushen, atëherë nuk mund të presim ngritje të vetëdijes kolektive kosovare karshi botës ujore, karshi ruajtës së ambientit. Karshi plastikës, të cilën e gjejmë në trotuare, në rrugë, e mbi të gjitha në kodrina e shkurre, të cilat shërbejnë si deponi ilegale bërlloku. Dokumentari është detyrim shoqëror për ta parë. Dhe nuk ka detyrë që do kënaq njeriun, do e ushqej sytë, zemrën, e trurin tonë me madhështitë e natyrës. Nota personale: 5/5

 

About Author

Writer?!

You might also enjoy:

%d bloggers like this: