Categories
Filma

Bombshell (2019) – Recensim

Sheryl Sandberg, revolucionarja e Google, e cila ka mbi një dekadë që është COO e Facebook, në librin e saj ‘Lean In’, e përmend një gjë paksa të çuditshme në plan të parë – ‘pengesat më të mëdha në zhvillimin e femrës janë vet femrat’!

Kontekstin në të cilin e përdorë këtë thënie është që mungesa e ndihmës për njëra-tjetrën është një e metë në zhvillimin e pozitës së femrës në shoqërinë moderne. Tek ‘Bombshell’ kemi një shembull relevant ku përkrahja më e madhe e femrave ndaj njëra-tjetrës do të kishte ndryshuar jetët e shumë punonjëseve në kanalin Fox News.

Charlize Theron vjen në rolin e Megyn Kelly, njëra nga prezantueset më të njohura në televizionet amerikane, më shumë për pikëpamjet e saj konservative, e cila si figura kryesore e Fox News has në një udhëkryq për të përkrahur kolegen e saj, Gretchen Carlson, e portretizuar nga Nicole Kidman, e cila hap serinë e akuzave kundër shefit të tyre. John Lithgow vjen në rolin e Roger Ailes, një ‘përbindësh’ i cili ashiqare u thotë prezantueseve që duhet të tregojnë më shumë ‘lëkurë’ në ekran. Njëra ndër këto është gazetarja e portretizuar nga Margot Robbie. Pa pasur nevojën të përmendim aktorët dytësor, e shohim që është një super-ansambël, i një filmi për një lëvizje të njohur, i realizuar në mënyrë solide.

Tema shtjellohet mirë, marrë parasysh ngjarjet, por nuk mund ta mohojmë nuancën ‘liberale pro-Hollywoodiane’ që ka në vete. Të gjithë armiqtë i kemi konservativët e Fox News, jo vetëm karakterin e Roger Ailes, derisa Megyn Kelly të cilës nuk i është falur historia e saj në Fox News, mbetet në një baraspeshë. Pikëpamjet konservative të televizionit sulmohen edhe duke portretizuar Fox News si një kanal sipërfaqësor, tentimin për një rreth ngacmuesish e shpërdoruesish seksual, deri tek një ambient që nuk lejon shprehjen e lirë, jo vetëm politike, por edhe seksuale.

Dhe nëse ndani një pikëpamje të kundërt, do të ishte mirë të lexonit edhe librin e Ronan Farrow ‘Catch and Kill: Lies, Spies, and a Conspiracy to Protect Predators’, i cili jep edhe një anë tjetër të Hollywoodit, përfshirë ‘zotin’ e Meryl Streep. Për librin tek ‘Maniakë të Leximit’ në të ardhmen.

Përkundër kësaj, nuk do të mund të fajësonim për njëanshmëri e të kërkonim më shumë barazi nga producentët e filmit. Por, disi është një ndjenjë që ngjarjet nuk ndërlidhen mirë në fund, historitë e tri grave kryesore. Ka mundur të jetë një shtrirje më e mirë. Duket sikur një potencial i çuar poshtë në tentim për të kënaqur votuesit e Akademisë së Arteve Amerikane.

Megjithatë është një film më se i nevojshëm, dhe shpresoj vetëm i pari në listën e filmave që sjellin edhe një anë të errët të Hollywoodit. Do të doja të kishim edhe diçka për Matt Lauer, e mbi të gjitha ‘zotin’ e Meryl Streep, Harvey Weinstein. Oh, për pak të harroj edhe aktrimin fenomenal të Charlize Theron. Nota personale: 3/5