Categories
Filma

The Boss Baby (2017) – Recensim

Gjëja e vetme e mirë nga ‘The Boss Baby’ është lajmi që punimet për ‘Madagascar 4’ janë në plan. Gjë e keqe nga ky lajm, është se Tom McGrath nuk është askund me cilësinë e filmave që ka bërë më herët – tre Madagascarët dhe Megamindin.

Nuk mund, nuk duhet të fajësoj direkt regjinë e filmit, sa skenarin, por çfarë mund të presim nga skenari nëse skenaristi në portofol ka titujt e ‘Austin Powers’. Mirëpo, edhe këtu ka një lajm sa të mirë, po aq të keq sikur për Tom McGrath. Vazhdimi i pestë i ‘Shrek’ është kumtuar, por skenarin do ta bëj pikërisht Michael McCullers.

Ideja pas filmit ‘The Boss Baby’ që vjen nga libri me të njëjtin emër i Marla Frazee, më është duke palidhje. Nuk ka thelb, nuk ka diçka konstruktive, lehtë të tajitur për fëmijët, e aq më pak argëtuese, interesante. Është ide që provon të sjell një botë të rriturish ndoshta në një botë fëmijëve, dhe mbi të gjitha, problemi më i madh është tek karakteri kryesor.

Karakteri i ‘The Boss Baby’ që nga posteri e traileri është antipatik, i lodhshëm, i kotë. Dhe për të sjell në jetë kanë përdorur zërin e Alec Baldwinit. Zëri i tij nuk më duket i përshtatshëm për filma të animuar, për dallim për shembull prej Jimmy Kimmel. Në ansamblin e zërave janë edhe Steve Buscemi, Lisa Kudrow, e Tobey Maguire. Nuk janë anët negative të filmit, nuk lëndojnë cilësinë e filmit sa lëndon ideja në përgjithësi. Sidomos karakteri kryesor që të prish nervat.

Dhe, kur shohim ‘The Boss Baby’ në mesin e të nominuarëve për filmin më të mirë të animuar të vitit, atëherë mund të konkludojmë se Akademia janë çmendur. E edhe më e çmendur është ideja që në vitin 2021 do të kemi ‘The Boss Baby 2’! Nota personale: 2/5