Në masë të madhe, për shumë arsye ‘Boyhood’ më kujton ‘The Artist’. Derisa filmi i Hazanavicius ishte shpërblyer me Oskar vetëm për shkak të idesë dhe risisë që sillte në kinematografinë moderne duke ringjallur botën dyngjyrëshe, njëjtë edhe ‘Boyhood’ sjell risi në ide dhe mënyrë të realizimit. Të qartësoj një gjë qysh në fillim, ‘Boyhood’ është më i mirë se ‘The Artist’.
Ideja e ‘Boyhood’ është ndjekja e pjekurisë së Mason, nga mosha 5 deri në 18 vjeç, pra transformimi nga fëmijëria në burrëri. Është ide interesante, inovative deri diku, realizuar për mrekulli. Por, nuk është e përkryer, për disa arsye. Për këto më vonë.
Richard Linklater sjell rrugëtimin e Masonit nëpër faza të ndryshme të jetës. Filmi është realizuar për 12 vite, duke ndjekur zhvillimin e karakterit kryesor çdo verë nga pak (xhirimet çdo vit kanë zgjatur më pak se një javë). Ajo çfarë më pëlqen së tepërmi tek ky film është kalimi nga viti në vit. Nuk ka ndonjë informatë, apo skenë ndërmjetësuese që tregon se në çfarë moshe është Mason, duke i lejuar shikuesit vet të ndërlidh ngjarjet. Skenari është realizuar në mënyrë të përkryer, duke sjell karakteret në mos çdo vit, së paku nëpër disa vite për të parë ku përfundojnë. Ka dialogje interesante, por me kalimin e kohës sikur humb origjinaliteti me përsëritjen e ngjarjeve, ku si për shembull karakteri i nënës, Patricia Arquette has në fatkeqësi pas fatkeqësie sa i përket lidhjeve të saja. E kuptoj që kjo mund të jetë si një pasqyrim i kundërt me jetën e babait, Ethan Hawke, i cili megjithatë stabilizohet dikur. Ethan Hawke dhe Richard Linklater kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm, gjë që vërehet tek skenari i trilogjisë ‘Before…’ Këtu i angazhuar vetëm në aktrim, Ethan Hawke sjell një figurë babai të ndarë, larg fëmijëve në mënyrë të shkëlqyeshme duke qenë si një figurë që provon të jetë udhëzuese për të birin, por nuk depërtohet në thellësi të kësaj lidhjeje duke mbetur vetëm sipërfaqësore. E sipërfaqësore nuk është e pranishme vetëm në këtë pjesë të filmit.
Masoni, Ellar Coltrane më kujton në masë të madhe Kristen Stewart. Ai sjell një karakter të pandjenja për pjesën më të madhe të filmit, me një aktrim që duket se i është mërzitur si punë, dhe sikur është i detyruar ta bëj. Dhe kjo vjen vetëm në pjesën e dytë të filmit. Duket sikur dikush e shtyn me zor të aktroj, të thotë fjalët, duke sjell një karakter që shpesh di të bëhet edhe arrogant, derisa është indiferent për pjesën më të madhe të filmit. Çuditem si arrin të shpërblehet për yllin e ardhshëm të aktrimit nga disa qarqe.
Më interesante më është dukur aktrimi i Patricia Arquette. Tregimi i saj bëhet më interesant, më intrigues derisa ballafaqohet me probleme të ndryshme përgjatë tërë filmit. Ajo ndeshet në disa etapa me partnerët të padenjë, duke e bërë të zgjedhin ndërmjet dashurisë, jetës profesionale, dhe fëmijëve të saj. Është një jetë me plot probleme, dhe një aktrim i Arquette që të bën të lidhesh me të, duke lënë anash tregimin e Masonit, në plan sekondar. Fajësoni aktrimin e Arquette, por më shumë fajësoni paaftësinë e shfaqjes së emocioneve nga Coltrane.
Për shumicën ideja e realizimit të një filmi për 12 vite i është dukur e hatashme, e pashtjelluar më parë. Por, Michael Apted ka ndjekur jetën e 14 fëmijëve britanik nga viti 1964. Për dallim nga Linklater që ka shtrirë produksionin për një periudhë të vazhdueshme, Apted është kthyer çdo shtatë vite duke ndjek jetën e atyre fëmijëve, ku janë dhe çfarë bëjnë. Njihet si ‘Up Series’, dhe më shumë vjen si dokumentar në tetë pjesë duke ndjek fëmijët në moshat 7, 14, 21, 28, 35, 42, 49, dhe 56 – kjo e fundit e realizuar në vitin 2012. Kjo qe sa për të treguar se ka ide simotra, dhe nuk është vetëm Linklater ai gjeniu.
E punën e Richard Linklater e çmoj shumë. Trilogjia ‘Before…’, ‘Dazed and Confused’ dhe një mori komedish të rangut të dytë, e bëjnë një emër të respektuar në botën e kinematografisë. Tek ‘Boyhood’ ai ngrihet në një nivel më të lartë, më të suksesshëm, një projekt që fiton një respekt krejt tjetër nga këta paraprak. Kjo e bën ‘Boyhood’ një ide, dhe film i realizuar për mrekulli. Nota personale: 5/5.