Si fëmijë ndërtojmë një botë imagjinare, e cila në vend se me na bo ‘të trent’ na ngacmon trurin, na e vendos në veprim. Dhe kjo botë imagjinare mbyllet, rrethohet me një lum, si kështjellat nëpër filmat e vizatuar, dhe e lëmë vetëm një urë që sigurisht hapet e mbyllet nga brenda!

Me t’u rritur, ndjejmë një nevojë të ndahemi nga kjo botë imagjinare, fëmijërore. E kemi atë presionin të rritemi. Dhe atëherë na digjet kjo urë për tek imagjinata jonë duke na ngufatur me realitetin e kotë, të mërzitshëm, e të pakuptimtë me të cilin ngujohemi deri në pleqëri.

Jeta e Llezllit duket sikur nga ato që na ofrohen nëpër filma televiziv – familje artistike, shpeshherë nomade, të cilat nuk kanë televizor, për ta ruajtur çiltërsinë njerëzore. Komshiu i saj, Xhesi, është nga një familje e zakontë amerikane. Të dy këta i lidhë edhe interesimi për vrapin, por nuk di pse po shpjegoj temën kur dyshoj të mos e ketë parë dikush ‘Bridge to Terabithia.’

E imagjinatës tonë i duhet një shkëndijë a dy për t’i dhënë flakën, ashtu siç i nevojitet një plaku një mbesë a nip që ta bëjë të kënaqet me lojërat fëmijërore edhe në moshë të shtyrë. E kjo dëshmon që imagjinatë, magjia e fëmijërisë sonë nuk zhduket kurrë. Ura nuk digjet, vetëm se na vjen marre të shkojmë e ta kalojmë, të futemi në kështjellën tonë të magjishme. Na vjen marre të bëhemi fëmijë, të harrojmë gjithçka që duhet të bëjë një njeri i ‘rritur.’

Tek Llezlli kemi një arkitekte të Terabithias, e ajo inspirohet nga një mësuese e cila ende nuk ka fikur magjinë fëmijërore. Këto dy shkëndija i mjaftojnë Xhesit të zhytet në atë botën imagjinare ku problemet e jetës së përditshme nuk kanë vend. Të marrë hovin e të kalojë lumin që e ndanë nga Terabithia.

Sepse është bota imagjinare, që në ditët si këto na jep një prehje nga krejt zallamahia që na e çanë kokën. Janë filmat si ‘Bridge to Terabithia’ që na kthejnë në vitet e qeta të fëmijërisë.

Ndoshta do të lëshojmë urën edhe ne, ndonjë ditë. Urën jo vetëm në botën imagjinare. Nëse nuk ndërtojmë një urë tek e ardhmja e ndritur në botën reale, do të ngelemi me dy urat e vetme që kemi sot – pyjet e Hungarisë dhe A2shin e gjermanishtes.

Deri të vendosim se çfarë ure dëshirojmë, le të shikojmë filmat që i japin magji botës sonë, derisa të gjithë po rrimë në shpi. #RriNShpi