Nick Hornby më ka pëlqyer me novelën e tij ‘Fever Pitch’. Por, edhe në skenën filmike kontributi i tij nuk mbetet mbrapa falë titujve si ‘About a Boy’ dhe ‘An Education’. Derisa skenari i ‘Brooklyn’ është disi i veçantë (nuk do të bëja krahasim, sepse bajagi dallojnë në trajtimin e temës) ai nuk ofron diçka të tillë në botën e filmit. Ndoshta edhe filmi nuk është i dedikuar kryekëput për mua, që të dashurohem në të, ama mbetet një film shumë mirë i realizuar, në të gjitha aspektet. Por, jo ndër më të mirët e vitit, ashtu siç perceptohet në qarqe të ndryshme.

Eilis është një irlandeze e cila vendos të imigroj në SHBA në kërkim të jetës më të mirë. Me tu vendosur përtej oqeanit, ajo nis të adaptohet në jetën e saj të re, gjë që pas një kohë përfshin edhe rënien në dashuri. Dhe, si zakonisht, kur gjithçka duket të jetë si më së miri, ndodh një tragjedi që e detyron të kthehet në vendlindje. Tani e avancuar profesionalisht dhe në një pozitë shoqërore krejt më të ndryshme, ajo arrin lehtë të ‘riatdhesohet’ duke ‘harruar’ jetën përtej oqeanit. Në Irlandë ajo gjen punë, dashuri, dhe strehë. Por, nuk mund ti ketë të dy jetët. Duhet të zgjedh vetëm njërën.

Tani, Eilis është Saoirse Ronan. Për talentin e saj jemi njoftuar në ‘Atonement’ nga ku na mbetet në pjesën e kujtimeve negative në trurin tonë. Më pas, karriera e saj ka pasur periudhën e filmave për të rinj dhe horrorat para një pjese në ‘The Grand Budapest Hotel’. Të shohësh atë në rolin kryesor, në një rol në të cilin bazohet krejt filmi, tregimi ka qenë një risi e vërtetë. Them këtë për film ‘serioz’, jashtë dy kategorive të përmendura më lartë. Ajo bën punë të shkëlqyeshme në adaptimin e karakterit të saj i cili evoluon gjatë filmit nëpër disa faza jetësore dhe shoqërore. Emory Cohen e Domnhall Gleeson vijnë si bashkë-aktorët e këtij tregimi duke mos dëshpëruar, sidomos Gleeson i cili ka një bagazh jo të vockël në këtë zhanër.

Julie Walters e Jim Broadbent më kanë pëlqyer në rolet e tyre dytësore duke më mbetur në kujtesë për kontributin jo aq të padukshëm që bëjnë gjatë filmit. Interesante ishte të shihja gruan e dytë (gjatë serialit) të Don Draper – Jessica Pare. Gjithnjë kam nënvlerësuar aftësitë e saja, por tek ‘Brooklyn’ nuk dëshpëron aspak.

‘Brooklyn’ vlerësohet njëri nga filmat më të mirë të vitit, me Saoirse Ronan kandidate serioze për Oskar si aktorja më e mirë. Derisa pajtohem që performanca e Ronan mund të jetë në pesë më të mirat të vitit, nuk mund të them të njëjtën edhe për ‘Brooklyn’. Film mirë i shtjelluar, temë interesante, aktrim i përkryer. Nota personale: 4/5