Categories
Filma

Captain Marvel (2019) – Recensim

Për të mbyllur fazën finale të MCU, finalen e madhe të Avengers, nevojitej një kapitene e mahnitshme.

Dhe e mahnitshme është Brie Larson, e cila si në çdo punë që ka të bëjë me filmin, edhe në atë të aktrimit shkëlqen. Personalisht mendoj që është një shpërblim i merituar dhënia e një roli të këtillë për Larson, ky i Captain Marvel me një peshë që ka në botën e MCU. Sigurisht që nuk zhgënjen në paraqitjen e këtij karakteri, të cilin pos që e mishëron shkëlqyeshëm, arrin edhe të krijoj harmoni skenike të duhur me ato karaktere me të cilat ndanë skenën.

Si asnjëherë më parë ndoshta shohim karakterin e Fury, i cili njëjtë ka merituar minutat që ka pasur në këtë film, të parafundit para Endgame. Annette Benning, Bend Mendelsohn, e Jude Law kanë role të ndryshme dytësore, që të gjithë mirë të përshtatur me historinë. E historia është shkruar e realizuar nga dyshja pak e njohur Anna Boden e Ryan Fleck, për të cilët Captain Marvel ishte projekti i katër radhazi që e realizojnë së bashku si skenarin ashtu edhe regjinë. Mendoj që kjo ka bërë edhe më të mirë (dhe më të lehtë) realizimin e këtij filmi, ndonëse më i rëndësishmi për ta.

E Captain Marvel është një super-heroinë e cila ka aftësi për të shndërruar energjinë diellore në disa superfuqi, të rigjenerojë veten, të fluturojë, të rrit mençurinë, të teleportohet, e edhe të krijojë iluzione. Pra, është njëri ndër heronjtë më të fuqishëm në MCU. Ajo është banore e një civilizimi alien, Kree, dhe pahiri mëson të kaluarën dhe aftësitë e saja të vërteta.

Duket të jetë një botë e kufizuar e saj, sidomos në krahasim me karakteret tjera të MCU, tashmë të përpunuara dukshëm dhe të familjarizuar me shikuesit, por sikur një urë ndërmjet alienëve dhe njerëzimit, Captain Marvel pritet të jetë një urë edhe ndërmjet fazave të MCU. Film mirë i realizuar. Nota personale: 4/5