shkrime për filma, seriale, sport, e filozofi jete

Category: Journal (Page 1 of 12)

Djegia e depresionit

Kemi dëgjuar shpeshherë të përmendet ‘Pushim mendor’ nga puna, për të lehtësuar ngarkesën psikike që na shtohet nëpër vendet tona të punës, për shkak të orarit pothuajse 24/7 falë emailave e rrjeteve sociale, por edhe vet jetës ‘moderne’ teknologjike në përgjithësi.

Një term i ri që është përhapur është ‘High Functioning Anxiety/Depression’.

Ky term, kjo ‘diagnozë’, ani pse nuk ekziston në termet mjekësore, i përshkruan më shumë ata që anksiozitetin e depresionin e përkthejnë në punë të tepruar. Më thjesht, është një metodë tjetër për tu përballur me depresionin dhe anksiozitetin e vazhdueshëm.

Mbilodhja

Ndonëse kam qenë i diagnostikuar me Anksiozitet të përgjithshëm, dhe depresion të zbutur para më shumë se 7 viteve, dhe gjatë kësaj kohe në periudha të ndryshme më është dashur të marr terapi të ndryshme, për asnjë ditë, nuk kam qenë i lirë nga puna.

Përkundrazi, më është dashur të bëj edhe punë dytësore për të përmbushur nevojat dhe kryer obligimet e një qytetari të këtij vendi.

Dhe krejt kjo, derisa përbrenda anksioziteti e më rrallë edhe depresionin, më gërryenin mendjen e shpirtin.

Më shumë punë

Një punë kryesore. Edhe një punë dytësore. Marrim edhe një projekt për kohën e mbetur. Diçka vullnetare. Uh, edhe bamirësi.

Gjithçka.

Pse?

Për dy arsye:

  • Një punë më shumë, do të thoshte një pagë më shumë, e rrjedhimisht më shumë siguri, dhe mundësi për të marr një pushim më afatgjatë e për tu marr me mendjen time.

Një projekt interesant do të thoshte mundësi për të siguruar të hyra në të ardhmen e largët, dhe rrjedhimisht më shumë pushim e kohe për të pushuar mendjen e lodhur.

Një punë vullnetare, një projekt bamirësie, ndoshta do të më mundësonte të ndjehem shpirtërisht më mirë e më rehat, më i kënaqur me veten. Rrjedhimisht, do të më ndihmonte të jem më i qetë në mendje e të merrem me problemet e mira psiqike.

  • Sa më pak kohë të lirë, për Zotin. Sa më pak kohë të lirë. Çdo minutë e lirë do të thoshte më shumë kohë për mendjen, për kokën, për mendimet e mija për të bredhur e shkruar skenarët më të rrezikshëm që veçse kishin filluar vite më parë dhe tani isha në rrugën e ferrit.

Zhytja në punë, qoftë edhe duke sikur s’do të sillte gjë, ishte më mirë se koha e lirë e cila do të mundonte edhe më shumë psikiken. Zaten, shumë veta fajësojnë kohën e lirë e ‘kotësinë’ në ‘lindjen’ e sëmundjeve psikike. Prandaj, ‘s’ka kohë për pushim’. Çfarëdo angazhimi kryen punë.

Gjeneza

Derisa kam lexuar që GAD e depresionin mund të kenë bazën në ADN e të kenë edhe një mundësi trashëgimie, kur mendoj të kaluarën tonë në këtë vend – ku rrezikohej jeta jote dhe e më të dashurve tuaj çdo ditë që kalonte, ngjashëm si puna e të hyrat e tyre. Dhe ndonëse në adoleshencë e para ishte larguar, e dyta vijonte, bashkë me pasigurinë ekonomike, sociale, e një jetë të kaluar nën zhurmën e agregateve e kërcënimeve për prishje të paqes vazhdimisht, duke rrezikuar kthimin e të parës në një mënyrë a tjetrën, disi të kthente në pikën 0, veçse tash ishe më i pjekur për të kuptuar rrezikun e njëmendtë.

Sikur sot, e di momentin e vendimit që do të më shkaktonte ‘shterjen’ e parë, i cili vendim ishte marr bazuar në idenë time për mirësinë e shoqërisë. E di pikën 0, të cilën e kisha mësuar shumë vite më vonë.

Kurrë ma

Ideja është që të mos përsërisim gabimet e së kaluarës.

Rrjedhimisht, angazhimi i tepërt, në disa punë e projekte, shterja psikike e fizike më kishte shtyrë matanë shkëmbit duke më hedhur në humnerë, nga e cila ende nuk kam dalë, ndonëse jam afruar disa herë tek maja.

Për këtë arsye, çdo herë kur ndjehem që po kthehem në atë pikë të depresionit, e shterjes psikike, lë punët, lë miqtë, lë projektet, dhe mbyllem në vete.

Njëjtë kishte ndodhur edhe gjatë vitit të kaluar, kur krejt pasiguria e pandemisë, dhe punët shtesë që më ishin ngarkuar, më kishin bërë të përjetoj edhe një shterje psiko-fizike, e cila në fund të vitit të kaluar, e në fillim të këtij viti, u pasua me një periudhë relativisht të këndshme.

Si çdo gjë e ndrydhur në thellësi, edhe lodhja, mostrajtimi i anksiozitetit e depresionit, del me të madhe. Sa më shumë e shtrydh, aq më fuqishëm do shpërthejë.

Fundi

Një punë dytësore. Pastaj një punë tjetër.

Dy projekte. Edhe një projekt.

Një nga një, binin sikur domino.

Një miqësi. Edhe një tjetër. Dhe pastaj tjerat… Më shumë se miqësitë.

Gjithçka kishte filluar të zbrazej, të rrënohej, sikur po hiqja barrën nga koka, dhe kësaj radhe nuk mjaftonte rruajtja e kokës për ‘ta lehtësuar’.

Ditë kur dëshiroja të ‘galavitesha’ në shtrat, të mos lëvizja, të mos flisja, të mos haja, të mos ekzistoja. Të zhdukesha në kohë dhe të zgjohesha disa vite më herët. Nja 20. Apo më vonë. Apo kurrë.

Të mos isha.

Pas disa minutave përfundonte kjo.

Vishesha, kryeja rutinën. Vazhdoja të bëja ato që duhej të bëja. Derisa përbrenda… nuk di, nuk mund ta përshkruaj. S’do të mundem. S’do të mundeni, ani pse shumë nga ju keni ndje diçka të ngjashme.

Euro2020

Në mesin e gjërave nga të cilat kisha heqë dorë ishte edhe gazetaria sportive. Përfshirë arsye tjera. Gjatë Euro2020, vendosa të provoj diçka më individuale – pa obligime, i pavarur.

Plani fillestar ishin kolumnet, artikujt, dhe podcasti ditor. E para dhe e fundit, nga 21 të dyja.

Rezultati?

Nga e para i bëra 17, nga e dyta as 7.

Isha në fund të djegies, dhe kisha heqë dorë nga shumëçka.

Medikamentet më shtynin shpesh të flija para se të përfundonin ndeshjet e orës 9 në mbrëmje. Ka pasur raste kur as pjesën e parë s’mund ta përfundoja. Për të qenë më korrekt, nevojitej ta shihja të nesërmen, e të bëja ato çfarë duheshin.

Dhe ndeshja shikohet lehtë. Të gjesh arsyen, të gjesh fjalët, të bësh analizën, derisa vet truri yt është i përzier, është e rëndë sa ferri.

Mbi të gjitha ky ishte një obligim ‘për qejf’, sa për të testuar ndoshta vetveten.

Paramendojeni punët tjera obliguese, të cilat medoemos duhet t’i kryesh.

Duhet të vishesh – që për dikë në depresion është ferri i parë, të ‘ndreqesh’, të buzëqeshësh e të qeshësh, të jesh ‘konstruktiv’, e mbi të gjitha produktiv. Krejt këto derisa trupi yt ose është duke sabotuar çdo veprim konstruktiv, ose është i përgjumur sikur një ari dimri.

Të punosh me depresion e anksiozitet të ndrydhur, vërtetë është një superfuqi. Një funksionim mbinjerëzor.

Zgjidhja?

Të mbijetojmë ndoshta.

Të funksionojmë si supermena, nëpër krejt këtë ferr. Por, dikur, edhe HFA po digjej. Çfarë të bëjmë kur depresioni të pushton edhe funksionimin ditor?

Astra Zeneca – D1

Masi dje më konfirmun që po jepen veç Astra Zeneca, dje vonë masdite e bona terminin për sot në mëngjes.

Si zakonisht, shkova dy orë më herët, dhe masi sistemi fillimisht nuk kish qenë mirë, mas disa minutave më lajmërun që më duhet fotokopja e dokumentit të cilin nuk e kisha bo. Rrjedhimisht, prita deri mas 8ve.

Për 2-3 minuta u kryn procedurat – regjistrimi, nënshkrimi, e vaksinimi. 15 minuta si zakonisht duhet me prit.

Ni njeri në moshë para meje, edhe unë, derisa te doza e dytë, nja 7-8 veta, për çudi, 90% me maska!

Krejt botë tjetër, për mësysh!

Vaksinën e mora se:

  • Tash jam në mesin e grupeve që kanë të drejtë mu vaksinu (jo me sëmundje kronike a ambasada)
  • Janë disa qindra mijëra vaksina në dispozicion, për krejt ata që kanë nevojë.

Mirëpo, ajo çfarë më boni ma t’pikëllum me këtë popull ke biseda që paqëllim më ra në veshë në 15 minutat e dytë.

Personi që ishte vaksinu para meje, priste për 15 minutat e tij, edhe ndërkohë erdhi dikush tjetër për dozën e dytë.

I vaksinumi me AZ, sikur unë, e përmendi që “po thojnë që janë pa afat, e që s’bojnë, po çka me bo… çfarë të kenë po e marrë se masanej mos vet…”

I ardhuri për dozën e dytë, njëjtë si ky shfaqi nifar frikë për AZ… “nuk di neve çfarë na japin… veç mu kthy kejt… shnosh kur të vijnë qato të Amerikës…”

U desh me ndërhy edhe m’i thanë që “çfarë e ke marrë të parën, edhe të dytën ta japin, mos u bo merak”… me ni lehtësim në fytyrë, edhe ni falënderim të lehtë, vazhdoi në anën tjetër të klinikës.

Deri tashti, mbi 2000 veta kanë vdekun, e ka pas ni kaos shoqëror e politik, veç e veç m’i ngi epshet e disa personave që për pushtet e pare edhe prindtë e vet i kanë sakrifiku!

E njëjta politikë, po vazhdon edhe sot, pa marrë parasysh se sa njerëz mundet m’i bo kurban në vjeshtë!

Kjo që kanë bo edhe vazhdojnë me bo mediat, e disa opozitarë, osht krim!

E në këto, kanë kontribu edhe disa ‘mjekë’ në fillim të periudhës së vaksinimit që refuzojshin AZ! Mjekë që kanë kalu 6 vite nëpër shkolla, edhe në fund konspiracione!

Gjysma e Britanisë kanë marrë Astra Zeneca. E për dallim prej ni pjese të ish-qeveritarëve e prostitutave të tyre në media, Britania nuk sakrifikon popullin për me mbet në pushtet.

Të dy vaksinat që jepen në Kosovë, kanë efektin e njëjtë 94% edhe 92% kundër hospitalizimit. Pra, prej 100 vetave, më së shumti 6-8 veta që ju bie virusi munden me pas simptome që kanë nevojë për intervenim mjekësor. Këtyre 92-94 vetave, edhe me ju ra virusi, nuk e vërejnë.

Së paku për llojet e COVID19 që janë shfaq deri tashti.

Sa ma herët i kryeni të dyja, aq ma lehtë e prisni dimrin.

Uh, edhe maskën e maj me vete, e me ju fol për dore nuk ju kish preferu. Paramendo unë kah e maj dorën tanë ditën, nëpër hundë, nëpër qel, edhe tani, hajde cake njo se qe dy vjet s’kemi fol. Ani mu përqaf… kejt djersë, qeli tu shkëlqy… blleh…

Mos m’pyetni qysh jam

Nuk ka send ma të thatë se sa kur dikush të pyet qysh je edhe ti ja kthen “mirë, mirë, ti?”

Në këtë mirë, fshihet ni libër përgjigjesh, të cilat mund të shpjegojnë shumë aspekte të jetës sonë, mirëpo nuk lodhemi me ja tregu nojkujt sepse s’ja vlen.

Nëse përgjigjemi që diçka nuk është në rregull, menihere vjen ajo replika:

“djali i ri, ec more, ti kështu-ashtu, ashtu-kështu…”

Nëse përgjigjemi me diçka të mirë, marrim ni kompliment që e dimë që po teprohet.

Të dyja përgjigjet janë të thata thellë në vete.

Nga e para, kryesisht bashkëbiseduesit provojnë të kalojnë në tema ma pozitive, sepse tuten që po shkojmë me ni pikë të frikshme e pikëlluese, nga instinkti njerëzor që nëse nuk e përmend ni të keqe, gjasat që ajo me ndodh janë ma të vogla, prandaj mendimi pozitiiiiiv.

Te e dyta, nëse ke diçka të mirë, menihere vjen lista me veprime e hapa që duhet të merren për me bo këtë diçka edhe ma të mirë. Domethanë, nuk mundesh kurrë mu ngi, po me i grahë misionit kapitalist ditë e natë.

E me m’pyet mu qysh jam, ju tuti :p

Veç pyetni disa nga shoqnia e ngushtë se çfarë trauma kanë marrë nga disa përgjigje, të vërteta, të frikshme, të çuditshme… traumatike!

Nuk osht që du mu dalë si ‘ma speshëll’, po nëse pyesni qysh jam, unë ju tregoj, edhe mundem edhe me ju mbajt monolog, i cili padrejtësisht zgjerohet nga arsyetimi i asaj gjendjeje shpirtërore e fizike, në tentim për me bind bashkëbiseduesin se përnime jemi në gjendjen në fjalë, nga e cila do të kalojmë në një gjendje tjetër më pozitive, në mendimin e tyre, derisa gjendja aktuale e jona të mos ndikojë negativisht në gjendjen e tyre psiko-fizike.

Po, në shumicën e rasteve, e themi ‘mirë’, ose diçka ma në hajgare ‘pleqniaaaa’, për të marrë drejtimin e bisedës, ku tani unë baj pyetjet, të cilat nuk ndalen deri në fund të bisedës. Kur vjen fundi, dhe bashkëbiseduesi kujtohet të na pyet, e kemi atë ‘tjetër herë flasim për mua’, e kjo hera tjetër nuk vjen kurrë, sepse ashtu menaxhojmë bashkëbisedimet e komunikimet me rrethin.

Dhe kjo osht për mos me ju tregu se qysh jemi njëmend.

Nuk po du me paragjyku bisedat e tjerëve ndërmjet vete, po si vesh i tretë, më ka rastis m’i ngu disa të tilla. Ka qenë moment i sikletshëm.

Janë biseda që kanë një fillim, një mes, e një fund, dhe përgjigjet të thurura paraprakisht. Kanihere kur zgjasin tepër kalojnë nëpër paragjykime e thashetheme, për palë të treta.

E unë, mendoj që dy njerëz, munden me komuniku për vet ata dy me ditë pa u ndalë.

Jeta që bëjmë në botën që jemi, osht shumë e pasun mu marrë me tema të kota, punë të hallkit, e paragjykime. Veç një ‘qysh je?’ mundet mu përgjigje me 15 minuta.

Po neve nuk na intereson qysh është bashkëbiseduesi, sa na interesojnë qysh po ja bojnë tjerët, edhe çka mundet me na tregu bashkëbiseduesi për këto.

Prandaj, nëse doni me ditë përnime qysh jam, mos m’thoni ‘qysh je?’ se ju mbajë dy orë bllok ligjërata!

Ani ‘çka bone?’ mundet me shku deri në tri orë ligjërata!

Vdekja e Kosovës

Te Maniakë të Muzikës, dy postime kanë dominu këtë vikend:

– Kaçurrelja nga Duka

– Ni kangë e dikujt të quajtur Enca

E para ka qenë adaptim i kangës së Muharrem Qenës, nga një femijë goxha simpatik. E dyta, ka qenë e refuzuar disa herë për shkak të pamjeve eksplicite për të cilat Facebooku jep vërejte (hala e kam nga postimi i 365dni verën e kaluar tek Filmat).

Qysh e ka adet me ba nostalgjia, edhe kësaj here më çoi ne YouTube, edhe masanej algoritmi i YouTube, që me njeh ma mirë se shpija jeme, nuk më lëshoi për bajagi do kohë.

Gjatë këtij lundrimi nëpër klasikët kosovar, vërejta një dukuri të çuditshme – nuk gjeta asgja klasike që më bënte ta largoja menjëherë. Dhe, mendova nëse do të ishte e mundur të gjeja diçka të tillë. Sidoqoftë, e lashë për ndonjë herë tjetër këtë mision.

Pastaj u përditësova dhe shkova tek hiti i fundit i pasluftës që më ka pëlqyer. Përfundova në Kopshtin e Kushtrimit edhe Hanës! Qaq.

Mixhën Ramë nuk e mbajë në mend, po e kam pa masanej në YouTube, 15 vite mas fjalëve të para që kam dëgju për të. I kam pa edhe do skeçe të Treshit Përsheshit, e edhe disa filma klasik kosovar.

Vendosa m’i krahasu edhe këto me 20 vitet e fundit.

Ka pasë ide të mira, seri të mira, programe të mira të pasluftës. Masanej, sidomos mas pavarësisë, gjithçka u bo bërllog. Ndoshta që u ndalën ndihmat e përkrahjet, dhe filloi kapitalizmi, biznesi me media, me art.

Arti nuk është dhe kurrë s’do të jetë biznes.

Arti vlerësohet nga populli, nga kultura dhe edukata e një populli që ka për artin.

Ne nuk kemi as edukatë e as arsimim për art.

Ne, thjesht sikur ajo shprehja ‘monkey see, monkey do’, qeshim kur të qeshin ata në televizor, ani pse nuk ka kurrfarë nevoje për të qeshur.

Dhe për këtë, nuk kemi faj ne që qeshim.

Për këtë ka faj Millosheviqi. Një milion kosovarë të dëbuar, dhjetëra mijëra të vrarë, mijëra të zhdukur, mijëra të gjymtuar. Dhe krejt këto, nuk janë pasojat më të rënda që ka pasur ky popull nga krimet e tija.

Shkaku i tij, 30 e kusur vite pas fjalimit famëkeq, me ndihmën indirekte të shumë shpirtkëqijve shqipfolës, sot kemi një popull pa kulturë, pa art, një turmë njerëzish që vlerësojnë vetëm paranë, ushqimin, dhe cullakhanen!

Ne jemi kafshë!

Dhe kjo politikë e Millosheviqit po vazhdon edhe sot, bile më mirë se sa që ai do të kishte mundur ta bënte!

“Mediat”!

Mediat, sot janë biznes që mbështeten në mungesën e inteligjencës dhe kulturës së popullit tonë duke ofruar bërllog, çdo ditë e natë, në televizione e portale, për përfitime personale!

Sigurisht, e mbrojnë veten që janë biznes dhe duhet të mbijetojnë.

Njëjtë edhe Millosheviqi e mbronte veten duke thënë që duhej ta mbronte popullin serb!

Mediat nuk janë biznes. Për biznes, hap ndërmarrje tregtare, edhe fito paratë.

Mediat si propagandë janë arma më e keqe që shkatërron shpirtin e një populli.

Ne sot jemi vetëm kafshë që konsumojmë rrena, ushqime të pashëndetshme, cullakhane, zhurmë, dhe ‘evente’ snobiste – shtatëjavorin e fëmijëve, të cilët si pleqtë i postojmë nëpër internet për të marrë llajka dhe mbushur egon tonë; dasma e para-dasma, syneti e para-syneti, pa thelb, pa substancë.

Ne vetëm se jemi kafshë.

Ne nuk mendojmë, nuk analizojmë ato që na servohen të gatshme, por ngajmë të kundërshtojmë njëri-tjetrin.

Ne jemi të gjithëdijshëm, por edhe njoftimet për diplomime i kemi me gabime amatoreske drejtshkrimore.

Ne jemi pellazgët, arbëreshët, ilirët, shqiptarët, por nuk dimë si të rendojmë, e lëre më pak veçoritë tjera të këtyre civilizimeve.

Në fakt, ne nuk jemi asgjë.

Jemi popull pa art, pa kulturë.

Jemi popull që jetojmë, por shpirtin e kemi të vdekur!

Na e kanë vrarë!

Dhe e kemi pasur, edhe shpirtin, edhe artin, edhe artistët.

Por të gjitha kanë vdekur, për ironi, me vdekjen e Jugosllavisë!

Demonstratat e para kosovare, ndonëse të vonshme kanë qenë për hapjen e shkollave shtesë, e pastaj për autonominë e zgjeruar/republikë.

Masat e para të dhunshme të kryekasapit të Ballkanit kanë larguar nga shkolla kosovarët, e pastaj kanë vijuar masat tjera.

Artin e njëmendtë kosovarët e kanë pasur nën komunizmin e ish-Jugosllavisë. Artistët më të mëdhenj të popullit kanë lindur e janë formësuar në kohën e komunizmit.

Si arti, edhe artistët, kanë vdekur në mjerim, në Kosovën e pavarur dhe demokratike! Atëherë kur të gjithë kemi pritur një rilindje të artit, por kemi marrë tallava, muzikë e seriale të bazuara rreth cullakhanes e nënkuptimeve seksuale.

Të mjerët na!

Agallarët e katundit tonë

Në katundin tonë ka shumë agallarë!

Bile, shprehja më krenare që mund t’i jepet dikujt është ‘aga Luan’!

Me agallarë nënkuptohet dikush që e shijon jetën – rri këmbë mbi këmbë, shtrirë mundësisht, mbështetur në shilte derisa djeg kaçakun në llullë e frynë tymi në njërën anë të buzëve nën mustaqet ngjyrë limoni.

Sigurisht, agallarët e këtillë kanë vdekur.

Por, a vdes tradita?!

Tradita është gjëja më e pasur tek shqiptarët, dhe mendoj që kjo vlen vetëm për një shkak – ne jemi shumë dembelë që të krijojmë diçka të re!

Prandaj, më e mira dhe më e lehta është ruajtja e traditës sepse kjo nënkupton të vazhdojmë ato çfarë kanë bërë paraardhësit, e sidomos nëse paraardhësit kanë qenë agallarë!

Agallarët kanë pasur edhe një veti tjetër – kanë rrahur gratë!

Në katundin tonë, ka pasur shumë që kanë shtypur gratë, por të jem i sinqertë nuk mendoj që kjo është një veti veç e katundit tonë!

Të konsideruara si klasë dytësore, gratë e katundit tonë kanë bërë më pak hapa se sa lopët që kanë mjelë po ato gra!

Po, më shumë liri për të dalë jashtë shtëpive kanë pasur lopët se sa gratë!

Ky fakt ka ndryshuar, fatmirësisht!

Kryesisht sepse 95% e shtëpive kanë larguar lopët!

Agallarët nuk e duan punën!

Prandaj, agallarët e kanë pasur vendin në ‘sokak’. Dhe atë pranë xhamisë së fshatit, varësisht në drejtim të së cilit pol. Pasdite e agallarëve kanë qenë në sokak, duke pritur të kalojë ndonjë veturë eventuale në vitet e rilindjes ekonomike pas LNÇ-së!

Tashti, vetura kemi sa të duash, por agallarët janë pakuar.

Megjithatë, ende kemi nipat e nipave, të cilët nuk e lënë të vdesë kjo traditë assesi.

Ka pasur ide që të ketë kafene larg rrugës kryesore, por këto ide janë tretur. Sepse agallarët duan të shohin se kush po ecën e çka po kalon.

Dhe, kur kalon andej nga agallarët, sidomos ata që pas namazit vendosin të shijojnë jetën agallarçe, shpohesh nga shikimet e gjykimet e jurisë së agallarëve. Sidomos nëse je grua!

Të ecësh nëpër katundin tonë, një apo disa gra, nëpër rrugën kryesore është ferr. Varësisht se në çfarë distance duhet të shkosh, do të kalosh nëpër dy-tri turma agallarësh, të cilët këmbështrirë rrinë e gjykojnë, derisa çojnë qejfin me eurot që i kanë marrë nga diaspora që ende ushqen parazitë!

Se sa e duan ‘sokakun’ katundarët tonë, tregon fakti që në çdo punim eventual – kanalizim, fibër optik, ujësjellës, është dashur të pritet gjysma e sokakut. Sepse agallarët megjen e kanë mu në sokak.

Por, gjërat po duken mirë!

Numri i agallarëve është pakuar, e gjenerata e reja e ka kuptuar se sa budallallëk është kjo ide. Dikur do të varrosim edhe agën e fundit të katundit. Keq që varrezat nuk janë afër sokakut.

E së paku kah varrezat, gratë po kalojnë të lira, larg shikimeve shpuese të ‘agallarëve’!

Rruga drejt Zotit!

Gjetja e rrugës për tek Zoti nuk ka qenë e lehtë.

Si çdo fillim, edhe fillimi i kuptimit më të gjerë të konceptit të Zotit, si vet jetës, universit, ekzistencës, nis në një kohë pasi një fëmijë ka mësuar themelet e shkrimit e leximit, të algjebrës, e proceseve themelore të natyrës që e rrethon.

Si në çdo lëmi të jetës, edhe në rrugën drejt Zotit, kemi mentor e udhëzues, mësues e predikues. Mësimet e tyre, këshillat e udhëzimet, gjithmonë duhet të merren parasysh në fazën e formimit të një njeriu, të pjekjes së një fëmije nëpër fazat e adoleshencës deri tek një i rritur i pavarur.

Pavarësia e një njeriu shihet më shumë si një pavarësi fizike e ekonomike, ndonëse do të duhej të ishte edhe një pavarësi shpirtërore e intelektuale. Dhe kjo do të duhej të vinte vetëm pas përpunimit së të gjitha njohurive që marrim nga të lartpërmendurit. E mbi të gjitha, kjo nuk duhet të jetë sikur një cak, pikë finale, kur mundemi të konsiderojmë se kemi arritur fundin e pjekjes dhe krijimit të një identiteti, përfshi edhe pikëpamjen tonë mbi Zotin.

Ngjashëm nuk do të duhej kurrë të mbyllnim kanalet për ushqimin e vetes sonë me njohuri për sa kohë që frymojmë. Rrjedhimisht, edhe pikëpamjet tona mund të ndryshojnë me kalimin e kohës, me shtimin e njohurive, me ndryshimin e qasjes dhe përpunimin e atyre gjërave që tashmë dimë.

Megjithatë, duhet të kemi një filtër dhe një peshore, për të vendosur se çfarë gjërash duhet të lejojmë të na marrin kohën e kufizuar në këtë jetë, veçmas të mos jenë të përsëritura të cilat një herë veçse i kemi përjashtuar nga vetja jonë. Për ato që kalojnë filtrin, do të na nevojitet një peshore për të përcaktuar vlerën dhe dobinë e gjërave në të mirë të vetes sonë, dhe shoqërisë. Por mbi të gjitha, duhet të zgjedhim ato që na japin rehati e paqe shpirtërore, duke mos i prishur të njëjtën gjë asnjë njeriu, bime, apo kafshe tjetër!

Zoti, për mua, është burim i të mirës së pashtershme, është burim i dashurisë, i lumturisë, i paqes, që sjell rehati e paqe shpirtërore. Zoti, për mua, është për tu dashur, për tu falënderuar, për tu adhuruar, si pikënisje e botës metafizike.

Arritja e një pavarësie individuale është një sprovë e madhe stoicizmi. Do mund, sakrificë, lexim, dëgjim, e mbi të gjitha mendim. Kur të njohim veten, kur të gjejmë paqen e shpirtit e zemrës sonë, atëherë do të nisim të jetojmë vërtet. Atëherë do të shijojmë jetën.

Njohuritë, informatat, lajmet, mësimet, e gjithçka duhet t’i marrim nga jashtë. Por përfundimet, vendimet, zbulimin, mësimin duhet ta nxjerrim nga vetvetja. Këtu arrijmë kur gjejmë një pikë që kënaq kokën e zemrën, shpirtin.

Edhe rruga për tek Zoti është e këtillë.

Zoti, për mua, është i pazbërthyeshëm në anën metafizike, por është pjesa finale në zbërthimin e metafizikës.

Sigurisht që tjerët e shohin Zotin me pikëpamje më ndryshe, dikush edhe nuk e sheh fare ndoshta. Por, kjo është puna e tyre. Humbja apo fitimi i tyre.

Besimi im në Zot, nuk dëmton askënd, përkundrazi Zoti është frymëzim për të bërë të mira për komunitetin, si dhe mbrojtja e tyre nga e liga, dhe kjo vetëm kur kërkojnë e pranojnë ndihmën.

Ju mbetet atyre për të vendosur se çfarë është e mirë apo e keqe, çfarë është Zoti, e gjithçka tjetër. Gjithmonë, deri në atë pikën kur nuk më cenojnë mua apo dikujt tjetër mendimin e tyre. Sepse gjetja e një bashkëjetese mendimesh e idesh, besimesh, e individësh nuk është mision i vështirë, është kusht për të dashur Zotin.

Por ky mision do të ishte shumë i lehtë, nëse Zotin, rrugën për tek Zoti e kërkojmë përbrenda vet neve, e nuk e marrim si të shtruar nga jashtë! Nuk e marrim rrugën e dikujt tjetër!

Rrugën për tek Zoti e gjejmë në zemrën tonë!

Këpucët bojëkafe (2) – #10VjetGAD

Jemi shumë të vogël që të kujtojmë hapin e parë, kur kemi filluar të ecim.

Tashti ia kujtojnë fëmijëve, jo vetëm hapin e parë, dhëmbin e parë, fjalën e parë, por edhe 15 javët, 13 mujorët e ‘festa’ të ngjashme. Për neve ka qenë më ndryshe, kohë lufte e paqartësie. Kohë okupimi e hiperinflacioni. Dhe krejt këto në një mënyrë a tjetrën kanë ndikuar në zhvillimin e fëmijëve të okupimit. Dhuna fizike nuk është e vetmja dhunë që kanë pësuar banorët e këtij vendi. Megjithatë, për dhunën (indirekte) psikike nuk flitet. Ngjashëm si për problemet psikike, të cilat padyshim se janë mbledhur në ato 10 vite të okupimit, në periudha të ndryshme, varësisht se sa kemi kujtuar.

Hapin e parë nuk e mbajmë në mend, por këpucët e para po.

Zakonisht bartnim patika me ngjitëse që është shenjë identifikuese fëmijërie. Patikat me lidhëse janë ato që na bënin të rritur, që na fusnin në grackë e të rriturit. Këpucët nuk janë për fëmijë. Pos nëse është ndonjë Manuel nga ‘Modern Family’. Pos, për Bajrame e festa tjera ku duhej të vishemi bukur.

Dhe këpucët e para, si çdo e fëmijëve, është lumturi e veçantë. Kanë qenë bojëkafe, jo me ‘maje’ pasi të kujtonin Çarli Çaplinin edhe këpucët e tij dy numra më të mëdhenj. Kanë qenë të rrafshëta me secilin qosh të prekur nga gishtat. Ka qenë një hare aq e madhe, sa që kur dilnim tek fqinjët, i merrja me vete, e i veshja, diçka sikur bëjnë gratë! Këpucët zgjatën deri kur nisja të godisja topin, duke humbur ngjyen në maje, para se të nisin të gërvishteshin, si zakonisht tek gishti i madh në këmbën e djathtë! Topi!

Pesëmbëdhjetë vite pas këtyre këpucëve, do të blija një palë patika në vlerë pesë eurosh. Edhe atë të portokallta. Kanë qenë aq të lehta, aq komode, si në punë, si në lojë futbolli, si në ngjarje zyrtare, sa më kanë lehtësuar më shumë se qethja totale e flokëve edhe ashtu të rralluara në një periudhë goxha të rëndë. Sigurisht, patikat nuk zgjatën aq shumë. Patën një amortizim prej 1e për vit, që dmth pas pesë viteve u desh të shkonin në bërllog. Por, për ato pesë vite pos një rehatie që kanë sjellë, me vete kanë pruar edhe pyetje dhe komentime nga të tjerët. Interesante, palidhje, marre, wow, jonormal, pse, kanë qenë disa nga pyetjet.

E kur jemi përgjigjur tek kjo e fundit pyetje me një shpjegim të thellë të asaj se çfarë po ndodhte në mendje, shumica kanë thënë ‘ec, djalë i ri, s’ki kurgjo’. Jo krejt kanë qenë ashtu, e askush nuk i ka mbathur ato patika që ta shihte se ‘si është të ecësh në to’. Sigurisht, edhe po të donin s’do të ju lejoja pasi nuk huazojmë veshmbathje. As këpucët e para që i vishja nëpër shtëpitë e lagjes.

Njëzetepesë vite pas atyre këpucëve, po shkruaj për periudhën e patikave të portokallta.

Thonë që ‘duhet të ecësh në këpucët e dikujt që ta kuptosh botën e tij/saj.’ Ne, zakonisht këpucët i shohim, i komentojmë, por rrallëherë provojmë të ecim. Qofshin të mira qofshin të parehatshme, i kthejmë në fund. Sidomos këto të parehatshmet.

Do të ishte mirë të provonin një herë të merrnin edhe kokën e mendjen e neve që kemi punë me stres kronik, depresion, anksiozitet, sulme paniku, e dukuritë e tjera mendore. Po të ishin aq të lehta sikur këpucët, do t’i hiqnim e do t’i blinim një palë tjera. Por, për dallim prej këpucëve, pa marrë parasysh çmimin e ngjyrën e formën, këto dukuri mendore janë diçka që nuk hiqen lehtë.

Edhe secili prej nesh mundohet, sepse është ferr të jetosh në një gjendje të tillë. Po të mundnim, do të iknim. Do të shqelmonim që të gjitha. Nuk është lehtë, e aspak më lehtë nuk bëhet me një mospërfillje apo qortim nga ana e tjerëve. Vetëm më keq. Krejt çfarë kërkojmë ne, është durimi dhe mirëkuptimi.

Nëse nuk mundeni të na lehtësoni diçka, së paku mos na e rëndoni më shumë.

Palaçot që i pamë (1) – #10VjetGAD

Duhet të jenë ata që shohin të kaltër fustanin ‘legjendar,’ të njëjtit që mendojnë se palaçot janë komik. Për neve që shohim të bardhë me të artë të njëjtin fustan, palaçot janë të llahtarshëm. Por, ngjashëm si me filmat e Çarli Çaplinit që më kanë futur ethet si fëmijë, edhe me palaçon e Leonkavallos mësohesh e adaptohesh sa më i vjetër që bëhesh.

Sa më shumë që njeh njerëzit.

E njerëzit, që të gjithë jemi palaço në periudha të ndryshme të jetës, në skena të ndryshme. Gjithnjë para se të dalim, vendosim maskën dhe bëhemi palaço për të kënaqur nevojat e të tjerëve. Pos rrobave të bukura e fytyrës së pastër, ia veshim vetes edhe një buzëqeshje, që t’ua bëjmë njëri-tjetrit ditën më të mirë, ani pse nuk i flasim e nuk i ndihmojmë askujt deri të arrijmë tek ‘strofulli’ ynë ku i shfaqim njëri-tjetrit dashuri për t’i plotësuar egon me fjalë, pas llajkave që i kemi dhënë më herët. Sipërfaqësore ‘duken’ të jenë jetët tona!

Në krejt punët që kam bërë, si palaço kam qenë më i dobëti!

Dhe kam luajtur rolin e palaços për shumë vite, por mbi të gjitha nja pesë të mira, duke iu dorëzuar shoqërisë e rrethit, se GAD me shoqëri nuk mund të strehohen tek një djalë i ri e plot jetë si unë. Sa më shumë që ndrydh e shtrëngon diçka, aq më fort do të pëlcet. E pëlcitja vjen në mënyra të ndryshme.

Tek opera e Leonkavallos, Palaçoja duhet të vendos maskën që të kënaq publikun, pas tragjedisë që i ka ndodhur kur shfaqja i është kthyer në realitet. Me maskë pret duartrokitjet dhe të qeshurat e publikut të cilët janë ata që i kërkojnë maskën. Shfaqja është më e ëmbël e më qesharake se realiteti i tij, për të cilin nuk kanë interesim.

Shumë tregime për gjëra të hareshme mund t’i pëlqejnë shumicës së njerëzve, të cilët kanë pasur një të qeshur a dy, dhe kanë vazhduar me jetë, mund të kem postuar. Por, janë tregime si këto, të cilat për të mirë u kanë ndryshuar e ndoshta edhe shpëtuar jetën një numri të vogël. Nuk janë tregime që marrin llajka, që sjellin të qeshura, por as të tilla që marrin keqardhjen e dikujt. Asnjëri nga këto nuk është qëllimi i këtyre ‘tregimeve’. Qëllimi është që të flitet më shumë për këto dukuri mendore.

Që ata që janë në mesin e palaçove, por janë lodhur nga maskat e përditshme dhe ferri që sjellin dukuri të ‘pakëndshme’ mendore si stresi, anksioziteti, depresioni, me njëqind miniatura që vijnë, të gjejnë veten në një rreth pa maska. Jo të gjithë preken në masë të madhe nga këto dukuri, ani pse të gjithë kemi momente jo të mira. I kam shpjeguar në një seri të shkrimeve të vitit 2017 pak a shumë, por tek secili shfaqen në mënyrë të veçantë. Janë shkrime që bëj rregullisht çdo verë, çdo fund të korrikut që për mua është periudha më e keqe e vitit, ani pse s’duhej të ishte ashtu! Janë shkrime që i bëj vetëm pasi kam diplomuar pa sukses në rolin e palaços të cilin e braktisa nja pesë vite më parë, pra vetëm kur General Anxiety-Disorder (GAD) e bëri të veten!

Une e Bajrami

E merkurja ka qene dite pazari para luftes, edhe ne klase te peste ne oren e pare kemi pas Edukate Fizike n’shkolle. Prej ores pare, deri ne te gjashten, teshat na i thithshin i thanin djerset, edhe ne rrethin n’pazar, me kqyr noj kasete te nintendo64, ishim tamam te rregullum.

E 97ta ka qene ndoshta vit i fundit kur kemi shpresu qe krejt ka mu bo mire. Si fmi kemi shpresu edhe masanej, deri kah 2010ta!

Mas nje pazari vjeshte, n’shpi kur kemi mrri kemi pa dy pale qizme t’vjetra e t’shqyera. Ni pale kane qene te Bajramit (emri i ndryshum).

Bajrami ka qene ni fmi rom, i cili ka pas nanen prej ni fshati ne rrethinen e Gilanit, edhe ne cdo vend ku ka qene pazar ka dale me lyp. Kane banu prane ni katundit ktu, ne mesin e shume romeve, mirepo na e kemi njoft Bajramin edhe nanen e tij.

Ne ate dite vjeshte, Bajrami e nana e tij kane qene brenda tu u nxeh me gjyshen teme. Edhe nuk ka qene e vetmja here qe kane qene brenda ne shpi. Deri mas luftes, kane qene pothuajse kalimtar te rregullt te merkurave.

Bajrami si rom, nuk ka qene i vetmi i ketij nacionaliteti qe ka qene ne shpine tone t’vogel. Romet nuk kane qene i vetmi nacionalet jo-shqiptar qe ka qene ne shpine tone t’vogel.

Nuk jemi njerez perfekt e per mesysh, po s’paku gjykimin e nencmimin e njerezve ne baze te nacionalitetit e races nuk e kemi bo. Per kete ‘faj’ ka familja jeme.

Nuk kane faj portalet, as lajmet e rreme, as policia, kerkush i dyti. Faj kemi secili qe ushqejm egon tone tu u shit si popull i vecante te cilit krejt na kane inati se jemi pellazgo-ilir. Mundemi me kon edhe jashtetokesor, a nipat e Ademit e Haves, ama a jemi njerez te mire?

Ashtu

Të qaj një herë
ah, të qaj një herë e mirë, o fëmijë
ashtu që lot mos t’u del më nga ata sy

të uritem një herë
ah, të uritem një herë e mirë, o fëmijë
ashtu që kurrë mos të dëgjoni ju fjalën uri

të vdes një herë
ah, të vdes një herë, o të vegjlit e mi
ashtu që vdekja mos të këput jetën tek asnjë fëmijë

Aziz Nesin (përkthim personal)

« Older posts

© 2023 Bllog Personal

Theme by Anders NorénUp ↑