shkrime për filma, seriale, sport, e filozofi jete

Category: Sport (Page 1 of 12)

Fundi i parakohshëm i një ëndrre?!

Nuk është fundi i botës, e as i ëndrrës humbja e dy pikëve vitale kundër kombëtares më të dobët në grup. Tekefundit fitojmë si mysafirë ndaj Rumanisë a Zvicrës, e edhe këto dyja apo Izraeli mund të lëshojë pikë ndaj Bjellorusisë, sepse Andorrës vetëm ne i falim pikë.

Fundi i botës, edhe i ëndrrave, është kur e sheh një grup lojtarësh në formën më të mirë të karrierës të ngujohen me vetëm një mendim – harkime te Muriqi i rrethuar me pesë veta – për plot 90 minuta, pa provuar as edhe një alternativë tjetër.

Dhe kur nuk mund ta çash një Andorrë me lojtarë që stërvitin pasi të kryejnë punën e rregullt gjatë ditës, atëherë nuk mund të presësh të mposhtësh Rumaninë a Zvicrën si mysafire, e kushedi a mund të marrësh të gjashtë pikët ndaj Bjellorusisë, apo të kthehesh fitimtar nga Andorra.

Problemi nuk është te rezultati sa te qasja.

Në ndeshjen me Izraelin e pamë keqvendosjen e Dresheviq – ka qenë fantastik në rolin e qendërmbrojtësit për Karagumruk gjatë tërë sezonit – por në rolin e mesfushorit defansiv nuk ka luajtur as një minutë.

Dhe kjo detyrë i ngarkohet në njërën nga ndeshjet më kryesore të kampanjës.

Me Izraelin ishim goxha me fat që nuk ia dolën të çanin rrugën, ashtu siç ne dështuam kundër Andorrës! Por, së paku sulmuam në të dy ndeshjet.

Qasja e njëjtë si kundër Izraelit si kundër Andorrës është turp për Izraelin!

Në vend që të angazhonim sulmues apo mesfushor ofansiv e të lëviznim drejt një formacioni më sulmues, Giresse ndërronte lojtarët në pozitat e njëjta.

Njohuritë prej trajneri të strategut francez u panë në lojën kundër Andorrës.

Që nga ardhja e tij kemi mposhtur vetëm Qipron, gjersa pikë na kanë marrë edhe Armenia, Ishujt Faro, e Andorra – të tria në Prishtinë, ani pse dy të fundit vetëm miqësore.

Fundi i një gjenerate.

Rrahmani, Muriqi, Rashica, Berisha, Paqarada, Zhegrova, Muja, Krasniqi, po kalojnë formën e jetës te skuadrat e tyre, por te ne nuk ia dalin të inkorporohen në ekip, e ky i fundit as nuk ftohet!

Muriqi e Rrahmani, Hadërgjonaj, e Paqarada verën e ardhshme do jenë 30 vjeçar, Zeneli e Vojvoda 29, Rashica, e Celina 28. Katër vite më vonë, të gjithë do jenë në fund të karrierës së tyre nëse mendojmë për Euro2028.

E gjasat për Kupën e Botës në vitin 2026 duhet t’ia lëmë shortit, që më të mirë se ky zor që gjejmë, ose Ligës së Kombeve, nëse ka ndonjë rrugë andej.

Një gjeneratë të artë po ia lëmë kurban një matufi francez të paaftë për të gjetur një alternativë kundër Andorrës që vetëm në Shqipëri e Molldavi ka marrë pikë si mysafire në kualifikimet për kampionate evropian në 51 ndeshjet e fundit!

Federata kriminale.

Nuk mjafton vetëm arrestimi i kryetarit të FFK-së.

Ajo organizatë, siç është dëshmuar nga shumë intervista të atyre që kanë punuar brenda, është e kalbur, e korruptuar deri te rojtarët!

Një menaxher që kënaqet kur e shtynë një gazetar të thotë Kosovo, e kërcënon lojtarët që refuzojnë vendin; një avokat a kushedi sa punë kryen aty që ndalon stërvitjet sepse shefi është në burg, dhe një Këshill Ekzekutiv që nuk kanë asnjë fjali të përmendur në procesverbalet e mbledhjeve, tregon mjaft për mafinë e futbollit kosovar.

Me këta njerëz, mos pritni kualifikim.

As fitore ndaj Andorrës, Ishujve Faro, a Burkina Fasos.

Katari 2022 – Arabët (15)

Maroku

Kjo Kupë e Botës ka qenë e veçantë për globalizimin e një imazhi arab krejt ndryshe nga ata që janë shtyrë përpara nga mediat e ndryshme.

Nga Katari 2022 do të marrim me vete kujtimet për një rrugëtim fantastik të një kombëtare arabe e cila sa në fushë kënaqte edhe jashtë fushës së futbollit, e që njëkohësisht la pa punë tre përzgjedhës të kundërshtarëve të tyre.

Kemi një Arabi Saudite e cila dominoi titujt e mediave për 2-3 ditë pas fitores madhështore (ndonëse pak e dyshimtë) ndaj Argjentinës, që mund të mbarojë këtë garë si kampione.

Një respekt ndaj traditave lokale, kulturës arabe, e cila u tentua të sulmohet duke përdorur shumë armë tjera – të drejtat e punëtorëve (të cilat edhe unë i kam përmendur shumë herë), të drejtat e komuniteteve gjinore, mungesën e alkoolit, dhe politikë.

Në fund, kemi sjelljen më shembullore të tifozëve anglez në një Kupë Bote prej viteve, një garë pa incidente, dhe një organizim që së paku nga largësia duket në nivel.

Hija e finales

Kampionatet evropiane e kanë një adet shumë të mirë që nuk ka ndeshje për medaljen e bronztë. Është një dhunë e veçantë të detyrosh 22 lojtarë që ishin një hap larg finales të luajnë si parapërgatitje për finalen e madhe.

Është lojë e kotë, dhe kujtimet nga këto ndeshjet për pozitën e tretë janë minimale, pos ndoshta goli më i shpejtë i shënuar në Kupë të Botës.

E treta

Argjentina ose Franca do të vendosin yllin e tretë në fanellën e tyre nga marsi.

Fitorja e Argjentinës do të ketë edhe atë * me vete nga shumë veta për shkak të gjitha gjërave që kanë ndodhur deri në finale – penalltitë e lehta kryesisht dhe Lahozi në qendër të vëmendjes.

Nuk kemi nevojë për konspiracion të dyshojmë edhe vetë, nëse duam të shohim këtë.

Në anën tjetër Franca ka pasur një rrugëtim më bindës, porse që nuk mjafton të jenë favoritë të qartë, sidomos pas mungesave që pritet të kenë në finale.

Gjersa finalja e vitit 1998 dhe kolapsi i Ronaldos vazhdojnë të përmenden edhe 24 vite pas, finalja dhe vet organizimi i vitit 1978 në Argjentinë akoma konsiderohet si një ndër skandalet më të mëdha në Kupë Bote, 44 vite më vonë.

Prandaj, futbolli, e finalet, jo medoemos janë ndeshjet më të bukura të Kupës së Botës, njashtu si fituesi nuk është patjetër kombëtarja që ka shkëlqyer më së shumti. Por, ky është futbolli.

Të kënaqemi së paku një lojë pa gjëra të dyshimta!

Katari 2022 – Penalltitë (14)

Orsato

Gjithçka që kërkohet nga një gjyqtar në lojë futbolli është paanshmëria. Me Lahoz kurrë nuk ofrohet kjo. Me Orsatton pak më rrallë. Italiani së paku nuk dëshiron të jetë në qendër të vëmendjes, sa vendimet e tija!

Kroacia kundër Brazilit luajti lojën më të mirë në Kupë të Botës që nga fitorja e famshme kundër Argjentinës. Për të siguruar finalen ju duhet të luajnë lojë edhe më të mirë se ajo që bënë kundër Brazilit e shumë më të mirë se ajo para katër viteve.

Në anën tjetër Argjentina është favorite bindshëm më e madhe se Kroacia për shkak të ekipit që kanë. Në një 11she të kombinuar, pos Modriç e Perisic, të tjerët do të ishin lojtarë të Argjentinës.

Por, nervat do të përcaktojnë fituesin, dhe argjentinasit humbën ato shumë në ndeshjen çerekfinale. Ju duhet maturi për të mposhtur kroatët e sotëm!

Mbappe

Anglia ishte shumë më e mirë se Franca në çerekfinale. E francezët bënë lojë të mençur, lojë kampionësh. Është ky mentalitet që u mungon anglezëve dhe të cilin kurrë s’do e sigurojnë me Southgate – një humbës i përhershëm! Gjynah që do ju shkojë gjenerata e Bellingham dëm!

Ngjashëm edhe Maroku luajti lojë të mençur kundër Portugalisë të ngujuar në ‘dick-fight’ të brendshëm. Morën atë që merituan – biletën për në shtëpi. Si me Cristianon, si pa të, Portugalia nuk është ekip.

Humbën me plot meritë kundër Marokut, ashtu siç kishin fituar trofeun e vetëm të 20 viteve të fundit – një gol dhe mbrojtje – veçse dallonte koha e golit!

Maroku

Marokenët janë historia e këtij botërori dhe do të mbahen mend përgjithmonë. Sigurisht, pas titullit të parë të Messit, ose të dytit të Mbappes.

Marokun me Kroacinë mund t’i shohim vetëm në luftë për medaljen e bronztë – një lojë e kotë që është veç humbje kohe!

Argjentina dhe Franca do të jenë sigurisht njëri nga finalistët. Me shumë gjasë edhe tjetri. Por, këto dyja nuk ka shanse as teorike të takohen për pozitën e tretë.

Janë dy ekipe kampione e kampionësh, dhe në kohën e rregullt finalja do i takoj njërës nga këto dyja. Penalltitë janë fat!

Katari 2022 – Lotaria kroate (13)

Penalltitë

Kroacia në këtë Kupë të Botës ka pasur vetëm një ndeshje të bukur – kundër Kanadasë!

Dy barazime të lodhëta, edhe pastaj një turpërim japonez që si zakonisht i dërgoi te penalltitë ku janë mësuar të fitojnë.

Shumë mirë na kujtohet që e ngjashme ka qenë edhe aventura e tyre në Rusi – dy ndeshje me penallti dhe një fitore në vazhdime kundër një ekipi po aq të lodhët.

Deri sot, kroatët kanë qenë e kundërta e Brazilit, të cilët na kanë kënaqur në çdo paraqitje me futbollin e hapur e të bukur. Dhe kjo mund të ju prish planet kundër kroatëve, të cilët të vetëdijshëm për inferioritetin, mund të zgjedhin të mbrohem dhe të na bëjnë një lojë të lodhshme – sikur ndeshja e parë e Brazilit në Katar ku mezi gjetën golin e parë, e pastaj ndodhi ‘joga bonito’.

Pra, po, besoj dhe nuk habitem që Kroacia mund të kalojë Brazilin, sepse kështu e kanë ata!

Flekken

Van Gaal ka deklaruar që vetëm tashti fillon Kupa e Botës për Holandën. Sigurisht, tash do kenë kundërshtarë më të mirë se ata, që do të ekspozojë pikën më të dobët holandeze – portierin.

Mungesa e Mark Flekken, portieri holandez më i mirë dy sezonet e fundit, do të rezultojë me një goleadë të Argjentinës që do të përgatis ose një gjysmëfinale të mahnitshme jugamerikane, ose një reprizë të ndeshjes së grupeve nga Rusia.

Upamecano

Mbrojtësi i Bayernit ka filluar të bëjë shaka me mbrojtjen angleze. Si nuk bëhet me diçka që për lider ka Harry Maguire i cili në lojë është për të rrezikuar të dyja portat, pa dallim.

Anglia ka pasur goxha lojëra të bukura deri tash, befasisht. Njashtu edhe Franca. Do të duhej të ishte një finale para finales, dhe mbase çerekfinalja më e bukur. Kampioni nga kjo ndeshje? Zor!

Gonçalo Ramos

Portugalia është ekip, dhe këtë e dëshmuan me ndeshjen e fundit kundër Zvicrës. Por, kjo ndeshje ishet më shumë një humbje e Zvicrës, e humbur, se sa fitore e Portugalisë.

Kanë talente, por nuk kanë zemër sa kanë marokenët. Kombëtarja e parë afrikane në gjysmëfinale? do të ishte fantastike!

Së paku pres dy ndeshje të bukura, dhe këto të dyja janë të shtunën.

Finalja Brazili me Francën deri sot është më meritorja.

Katari 2022 – Van Gaal (12)

Rebeli

Louis Van Gaal njihet si antagonisti në futbollin holandez, rebel.

Dhe kjo të sjellë këtë epitet kur nuk pajtohesh me mendimin e shumicës. Rebelimi i tij e ka dëbuar nga Ajax për shkak të inateve të personalitetit emrin e të cilit mbanë stadiumi i Ajaxit.

Ndër dallimet kryesore me Cruyff, është që Van Gaal gjen më të mirën te futbollistët që ka në dispozicion duke bërë një ekip që jep maksimumin. Cruyff, figura kryesore në futbollin e Rinus Michels, kërkon nja dy yje rreth të cilëve do të zhvillohet futbolli total.

Kjo qasje, Barcelonën e Cruyff, të mbushur me yjet e kohës, e kishte turpëruar në finalen e 1994tës. Një vit më vonë, Van Gaal me një skuadër talentesh të panjohura kishte mposhtur ata që kishin turpëruar ‘armikun’ e tij një vit më parë.

Mund të vlerësohet si njëra ndër ndeshjet më ‘bajate’ të finaleve të Ligës së Kampionëve, por është titulli i vetëm i Ajax në këtë format.

Amerika

Ngjashëm edhe dje, Van Gaal luajti një lojë të mençur duke shfrytëzuar papjekurinë e lojtarëve amerikan, ndonëse kishte shumë lëshime në vet lojën e Holandës. Një gol i bukur, dhe kualifikimi më tutje, nuk japin shumë shpresa për Holandën kundër një Argjentine tash të xhindosur.

Amerika në anën tjetër mund të fillojë rehatshëm ndërtimin e një ekipi që do të kërkojë medalje në vitin 2026.

Argjentina

Sikur të jetë e shkruar, ky titull do të shkojë për Argjentinën. Atmosfera në tribuna, motivimi i lojtarëve në fushë e në bankinë, loja në fushë, gjithçka është gati për kurorëzimin e shumëpritur, sidomos shorti.

Vetëm presioni psikologjik mund të pengojë këtë kurorëzim. Sot dy javë do të shohim gjithçka.

Rivaliteti 10 vjeçar

Vetëm dy herë në Kupën e Botës janë takuar Franca dhe Anglia, dhe të dy herët kanë fituar anglezët – 1966 dhe 1982. Në këtë të fundit përzgjedhësi jonë ka qenë startues, bashkë me kriminelin Michel Platini.

Këto dy kombëtare në gara të mëdha përballen një herë në dekadë, dhe ndoshta Katari do të jetë pikëtakimi i vetëm i tyre këtë dekadë.

Një përballje e tyre do të duhej të ishte sikur kjo sot ndërmjet Francës dhe Polonisë. Polakët do kërkojnë penalltitë?! Deri kur do të mundohet të luajnë si qyqarë? Deri të marrin medaljen e bronztë?!

Në anën tjetër, Senegali mund të jetë dominues ndaj Anglisë, të cilët si nën Southgate do të mendojnë një hap më tutje, ‘tu e shty me zor’!

Prandaj, Franca dhe Brazili janë kombëtaret e mëdha me futbollin më të mirë në këtë Kupë të Botës deri sot! Do të ishte finale e merituar mes këtyre dyja, por kurrë të dy finalistët janë kombëtaret më meritore!

Katari 2022 – TV Hana (11)

‘90tat

Nganjëherë i dëgjoni disa më në moshë kur thonë ‘ma mirë osht kon ktunihere’.

Fatmirësisht, ata përqendrohen vetëm në një pjesë muhabeti të një pasdarke pas të cilës ke dëgjuar lajmet e orës 11 që ka qenë informata e fundit deri nesër në mëngjes.

Pa telefon, pa internet, pa televizione (nuk ka pasur transmetim natën), e ndoshta ndonjë radio ka qenë si ‘LAJMI I FUNDIT’.

Edhe prej këtyre, në shqip i ke pasur vetëm 2 orët e RTSH, të cilët lajmet e orës 18:30 ia kanë dedikuar më shumë Kosovës, para një ore argëtim, dhe me lajmet e orës 20:00 kanë shkuar në pushim.

Kosova e ‘90tave

Deri në pjesën e dytë të 90tave, 1997-1998, nuk ka pasur as gazetë, as radio, e as televizione shqip. Krejt informatat janë marrë nga thashethemet, të cilat shpeshherë kanë ardhur nga agjentë të fshehur të okupatorit, shumë prej të cilëve në ‘99tën u bënë pjesë e shpëtimtarëve.

Televizioni i parë tokësor shqip që ka qenë në dispozicion në Kosovën juglindore e qendrore ka qenë TV Hana nga Kumanova, që ishte televizioni i vetëm shqip krahas dy orëve të MRT2, derisa RTV Prishtina ka qenë një propagandë e Millosheviqit në gjuhën shqipe.

E shtunë, ora 9 e mbrëmjes

Kur ke braktisur vendin tënd, i detyruar nga akuza bizare e të trilluara – ke shkruar kundër pushtetit, ke armë, ke deviza, nuk e ke kryer shërbimin ushtarak – rrugës për në Perëndim nuk ke pasur si të bëje ‘check-in’ apo të lajmëroje me telefon që kalove këtë mal apo tjetrin, pasi kufiri legal nuk ka qenë i mundshëm.

Kanë kaluar ditë, javë, muaj, e ndoshta edhe vite pa dëgjuar zërin e familjes tënde, pa e ditur a jeni gjallë apo të vdekur.

TV Hana e ka pasur një program të shtunave në ora 9 të mbrëmjes, ku këta që patën dalë në mërgim komunikonin në mënyrë indirekte me familjet e tyre në Kosovë.

Pra, ka qenë njëlloj postieri i cili ka përçuar një telefonatë të fëmijëve të tyre, prindërve që nuk i kanë parë e dëgjuar me vite ata.

E di, duket bizare sot, por ka qenë maksimumi atëbotë.

“Hajde &£”$£…”

Prandaj, ky mllef është i trashëguar, nga ajo mërzi, nga ai mall, dhe një gol i një shqiptari kundër fajtorëve të gjithë asaj dekade, e të cilët akoma na janë ngjitur si rriqra edhe 30 vite pas, na sjellë njëfarë shfryrje!

Është një sharje, si ato që ia lëshoi Graniti, por që shprehen ashtu si u shpreh Xherdani pas golit. Kombinim i përkryer.

Në net si kjo e të premtes, futbolli mbetet në plan të dytë.

Katari 2022 – Konspiracioni (10)

E para që bëjnë kur u tregoni për një dyshim konspiracioni është nënçmimi dhe përqeshja e kësaj ideje.

Të gjithë ëndërrojnë një finale Argjentina – Portugalia, që do të ishte kulmi i njërit prej dy futbollistëve para se të lundronin në pensionim, njëri në Amerikë tjetri në Arabi.

Konspiracione të tilla ka pasur gjithmonë, që nga ajo ideja për të vënë përballë Realin e Barcelonën në finalen e Ligës së Kampionëve, por gjithmonë një gjerman ka prishur këto plane, ëndrra të filmave të Hollivudit.

Herë Gotze, her Bayerni e Dortmundi. E gjermanët kësaj radhe mund t’i prishin planet vetëm Portugalisë, nëse ia dalin të kualifikohen.

Përqeshja

Sigurisht që planet konspirative janë të këndshme për tu diskutuar, e për tu marrë parasysh, por jo për të fjetur mbi to, për tu bërë obsesion. Sigurisht që jo vetëm FIFA, por një pjesë e madhe do të donin një finale të tillë, e më së shumti fansat e Argjentinës që të kishin një arsye për të dëshmuar që i adhuruari i tyre është më i miri.

Polonia

Katër gjuajtje në portë në tri ndeshje është statistikë e turpshme. Edhe më e turpshme është për një kombëtare të ruan disavantazhin prej dy golave me shpresën që Arabia Saudite do i dërgojë ata më tutje.

Këta janë polakët, dhe me këta jemi mësuar në këso gara të mëdha. Nuk është asgjë e befasishme kjo. Fajin e ka vetë Meksika që nuk i mposhti në duelin direkt. Nuk kanë faj as fair-play as Szcsezny, askush pos meksikanëve.

Konspiracioni 2

A mund të themi që Argjentina, dhe sidomos Messi kanë ‘shitur’ ndeshjen ndaj Arabisë Saudite?

Sikur mos të ishte VAR do thoshin, por gjithë ata ofsajda e hedhin poshtë këtë teori, ani pse penalltia e mbrëmshme ishte e falur. Fajin kurrë nuk e ka VAR, fajin e kanë ata që e komentojnë VAR.

Edhe referët evropianë kanë qenë më të dobëtit deri tash.

Belgjika

Është koha t’i themi lamtumirën njërës nga kombëtaret që ka premtuar më së shumti, por ka dështuar në mënyra spektakolare. Nuk meritojnë më shumë. Kurrë nuk kanë merituar.

Do të jetë kënaqësi sikur të eliminoheshin sot!

Katari 2022 – Barcelona (9)

Të fortit fituan dje, bindshëm, edhe tash presin dy kombëtaret që u desh të luftonin goxha shumë për të arritur te fitoret e tyre, gjithsesi të merituara.

Derisa SHBA-të e Senegali prapë do ta kenë zor, për Anglinë e Holandën pritet të jetë pak më zor se që ishte dje.

Që të dyja ekipet po luajnë mençur, nuk po ‘lirohen’ të japin gjithçka, edhe ngjashëm pritet të jetë edhe në vikend, sidomos që janë më pak të lodhura se ekipet kundërshtare që dje deri në fund u desh të ruajnë rezultatin.

Dy me dy

Dy ndeshjet tjera, Senegali me Ekuadorin dhe Irani me SHBA-të ishin më të baraspeshuara. Ajo e para ishte edhe më interesante se kjo e dyta, dhe mund të themi që të dy fituesit ishin bindshëm më të mirë se kundërshtarët e tyre.

Megjithatë, Ekuadori nuk e humbin ndeshjen sa e humbi Irani me idenë e mbylljes totale deri në minutat e fundit të lojës. Ndonëse Lahoz ka qejf të jetë në qendër të vëmendjes, rasti në fund nuk ishte penallti për Iranin.

Nga këto dyja, vetëm Ekuadori do të mund të ishte një kundërshtarë i denjë për Anglinë, derisa fitorja e Holandës ndaj Iranit do të ishte e padiskutueshme.

Barcelona

Sonte përballë janë dy nga emrat më të mirë që kanë veshur dresin e Barcelonës viteve të fundit, ndonëse njëri është legjendë e klubit e tjetri vetëm në fillim të karrierës së tij si blaugrana.

Prapë, ndeshja do të varet më shumë nga Messi se sa nga Lewandowski, dhe gjasat që të dy kombëtaret të kalojnë tutje janë minimale, ani pse jo të pamundura – fitorja minimale e Meksikës dhe barazimi ndërmjet Polonisë e Argjentinës kalon këto dyja në fazën tjetër.

Fakti që Franca e ka të siguruar pozitën e parë në teori, do të shtyjë të gjithë të kërkojnë pozitën e parë në grup që u sjellë një kundërshtarë tjetër nga grupi D.

Edhe ndeshja ndërmjet Arabisë Saudite e Meksikës do të jetë po aq interesante, me arabët që do kënaqen me barazim nëse Argjentina fiton me katër gola epërsi. Pra, edhe kjo ndeshje do të jetë pa kalkulime.

Franca me Tunizinë mund të bëjnë stërvitje, pasi edhe humbja eventuale nuk do të rrezikonte pozitën e tyre sepse Australia nuk mundet të mposht Danimarkën me 4-5 gola diferencë.

Danimarka do të duhej të kalonte tutje si e dyta e grupit, e të shkonte edhe gjatë, me pritjet e mia, por nuk janë çfarë kam pritur.

Katari 2022 – Efekti Katar (8)

Tetë ditë

Pas tetë lodhje me nga katër ndeshje në ditë, tash është koha për përgjysmim të ‘angazhimit’.

Edhe sikur të ishin ndeshje që nuk do të linin të dremitje, katër ndeshje futbolli në ditë janë shumë. Por, këto janë pasojat e një Kupe të Bote kontroverse në shumë aspekte, por prapë, e kënaqshme për mua.

Kupa e Botës në nëntor po na bën të ndihemi sikur të jetojmë në hemisferën jugore. Veç edhe pak borë po na mungon.

Numrat

Më shkojnë nerva numrat. Kosta Rika u ‘dhj*u’ Xg që është ndër statistikat më të kota në futboll. E as mos të flasim për tjerët.

Të vetmi numra që duhet të vlejnë në fund të ditës janë golat.

Por, fitorja e Kosta Rikës rezervoi Gjermaninë që të luajë për barazim pa rrezikuar për fitore. Tash, me një fitore ndaj Kosta Rikës dhe barazim të Japonisë, Gjermania do kalon tutje. Nëse Japonia mposhtë Spanjën, atëherë spanjollët do humbnin pozitën e parë, diçka që nuk do të ‘lejonin’.

Tash, s’ka ma kësi kalkulime.

Katari

Sot, Holanda vendos si përshëndetet Katari. Dhe kjo garë që duhej të ishte për të ndrequr imazhin e Katarit, ka ndrequr imazhin e botës arabe, dhe sidomos ish-armiqve të Katarit deri në këtë vit, Arabisë Saudite. Edhe Tunizia ka pasur kohë të mirë, edhe Irani (e dimë që s’janë arabë), e edhe më shumë janë shtyrë para gjëra që thelbësore të kulturës së Lindjes së Mesme – qëndrimi ndaj LGBT+ dhe çështja e Palestinës.

Më në fund, pa frikë është protestuar rreth këtyre dy gjërave, përfshirë edhe çështje e Ozilit.

Katari do të përfundojë garat sot, por kjo Kupë e Botës ka bërë për Katarin dhe krejt regjionin më shumë se që ka ndodhur me vite. Kjo është fuqia e futbollit, i cili me shumë gjasë do të kthehet pas tetë viteve në Arabinë Saudite!

Personalisht, do e doja këtë, sidomos pas organizimit të kësaj Kupe të Botës, përkundër të gjitha peripecive me të drejtat e punëtorëve. Kjo vetëm sa shpërfaqë më shumë hipokrizinë perëndimore.

Flamuri

SHBA-të, në një veprim skandaloz, larguan shenjën e Republikës Islamiste nga flamuri i Iranit kinse në përkrahje të protestave në Iran. Imagjinoni po të ndodhte e kundërta!

Çuditërisht edhe FIFA inicioi procedurë kundër Serbisë, të cilët tash e quajnë provokim pyetjen e gazetarëve. Nëse askush, së paku ne e dimë hipokrizinë dhe standardet e dyfishta që bëjnë.

Prandaj, sonte, jemi me Iranin!

Katari 2022 – Matematika (7)

Ndonëse rrethi i dytë i ndeshjeve në grupe duhet të jetë më interesant, me më pak kalkulime, gjysma e ndeshjeve të ditës së parë dolën të ishin bajate.

Së pari pasdite, Holanda dhe Ekuadori u pajtuan me barazim, duke i lënë punët për ndeshjet e fundit në grupe që do të jenë jetike për të përcaktuar cila në cilën pozitë kalon tutje.

Pastaj, në mbrëmje, në atë që duhej të ishte ndeshja më e mirë e ditës, dy kombëtare me fansa mediokër, ofruan vetëm një pjesë të parë futbolli, edhe atë të dominuar nga amerikanët.

Në pjesën e dytë amerikanët ishin më të kujdesshëm që të mos lejonin ndonjë befasi të pakëndshme që do të mund tu merrte fatin nga duart e tyre. Si?

Kalkulimi amerikan

Humbja e SHBA-ve nga Anglia do e bënte të detyrueshme fitoren ndaj Iranit dhe shpresën që Uellsi mos të mposhte Anglinë me më shumë gola diferencë.

Tash, fitorja e SHBA-ve u garanton rrethin e dytë pa marrë parasysh se çka ndodhë në ndeshjen tjetër.

Irani

Ju kujtohet Irani që ishte i eliminuar pothuajse në rrethin e parë. Tash ata janë në pozitën e dytë në grup që i dërgon në rrethin e dytë, për herë të parë në histori të tyre në Kupën e Botës.

Ngjashëm mund të ndodhë edhe me shumë kombëtare tjera, përfshirë edhe Arabinë Saudite që ndonëse mposhti Argjentinën mund të mbetet pa rrethin e dytë varësisht sa serioz janë sot.

Vikendi

Së paku vikendi duhet të jetë më i gjallë.

Nga tetë ndeshjet e këtij vikendi, vetëm ato të grupit F – Belgjika me Marokun edhe Kroacia me Kanadanë mund të jenë më të ‘vëmendshme’ nga kombëtaret pasi mund ta shtyjnë edhe këtë xhiro kështu.

Tjerat, s’duhet të ketë kalkulime të mëdha, pos nga liderët e ‘vetmuar’ të grupeve – Arabia Saudite e Franca, të cilët nuk do kërkojnë me çdo mundësi fitoren për shkak të diferencës që kanë ndaj ndjekësve në grupet e tyre.

Shah a?

Pak a shumë! Prandaj shorti ka shumë rëndësi, me kë luan së pari, me kë luan së fundmi, e këto tjera. Fatkeqësisht, kjo na privon nga një futboll i hapur që të kënaqë syrin duke kaluar shpesh në 100 minuta të kotë!

« Older posts

© 2023 Bllog Personal

Theme by Anders NorénUp ↑