Më shumë se fjalët e predikuesve të ndryshëm religjioz, sporti më ka shtyrë të jem besimtar. Sidomos nëse merreni me sport, profesionalisht, e dini që përkundër të gjithave që i jepni, në fund, duhet edhe diçka shtesë për të triumfuar, diçka që s’mund të arrihet me stërvitje. Fati?
I mbetur në harresë, ‘Chariots of Fire’ mund të ju kujtohet më shumë nga muzika e filmit, e realizuar nga kompozitori grek, Vangelis. Tema ‘Kalorësit e zjarrit’ është art në vete, marrë parasysh instrumentet dhe stilin e muzikës që përdoret, diçka e pazakontë deri atëherë në film. Përpos kësaj pike që ka zë vend të palëkundur në historinë e kinematografisë, edhe filmi si vepër ka një vend të veçantë në këtë art.
E filmi, sjellë historinë e vërtetë të dy atletëve britanik Lojërat Olimpike të Parisit, në vitin 1924. Harold Abrahams dhe Eric Liddell janë dy vrapues të shpejtë në mesin e shumë të rinjve, pjesë e një rilindjeje kombëtare në Britaninë e pas-Luftës së Parë Botërore. Që të dy vijnë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë.
Haroldi është i biri i një çifuti lituan, i cili gëzon një jetë pak më të privilegjuar si student në Kembrixh. Eriku është një skocez i lindur në Kinë, një pjesëtar i devotshëm i Kishës së Skocisë. Që të dyve, për shkak të kësaj historie, nuk u preferohet të merren me sport, aq më pak të vrapojnë ‘si të çmendur’. Por, që të dytë e shohin vrapimin si diçka krejt tjetër – mënyrë për të kapërcyer pengesën që e shohin në jetën e tyre e kjo për Haroldin është luftimi i anti-semitizmit, e për Erikun dëshmia që dhuntinë që i ka dhënë Zoti ta shpaguaj për Zotin.
Mund të duket film me konotacion fetar, por ma shumë se kaq është një film i dy personave të cilët provojnë t’i dëshmohen botës me principet e tyre, duke sakrifikuar gjithçka, pos nderit dhe idealeve të tyre. Është një film që i mbetet besnik shpirtit të një sportisti, por më shumë shpirtit të një njeriu. Fotografia është e mahnitshme, muzika e veçantë, skenari mjeshtëror. Nota personale: 5/5