Categories
TV Reviews

Chasing Conspiracies – Sezoni 1

Për vdekjen e Jill Dando, gazetare e BBC-së nuk kemi mundur të dëgjomë ne kosovarët pasi që ka ndodhur në fund të prillit 1999, atëherë kur po numëronim ndoshta orët e fundit të jetës sonë. Por, çka ka lidhje Jill Dando me Kosovën?

E vrarë me një plumb në kokë, para hyrjes së shtëpisë së saj më datë 26 prill, Dando kishte raportuar për krimet serbe në Kosovë, sidomos në Reçak e më pas për BBC-në duke i dhënë një shtytje shtesë intervenimit të NATO-s. Për vrasjen e Dandos ishte dënuar një anglez i dyshuar për përcjellje e ngacmime të femrave, por ishte liruar për shkak të mungesës së provave forenzike pas apelit të tretë.

Nga disa teori për vrasjen e saj, një nga më të besueshmet është që ishte vrarë nga grupet serbe si hakmarrje ndaj bombardimeve të NATO-s, të cilat tri ditë para vrasjes së saj, kishin goditur ndërtesën e Radiotelevizionit serb.

Janë 12 episode, dhe kjo me Dandon është një pjesë e vogël e një episodi të kësaj serie dokumentare të vitit 2016. Për këto dymbëdhjetë episode, kjo seri prek nga teoritë më të njohura të konspiracioneve – Hitleri nuk kishte vrarë veten, Kisha e Shkencologjisë dhe dominimi i Hollywoodit si një organizatë edhe kriminele, fshehtësitë e qeverive për jashtëtokësorët, vrasjet e Kenedive e të ngjashme.

Janë edhe disa teori, që së paku unë personalisht, nuk kam qenë aq i njoftuar si – mbrojtja e kriminelëve nazistë nga kisha, helmime dhe vrasje brenda Vatikanit; roli ndërkombëtar i KGB-së; ndërlidhja e Mafisë me politikën amerikane, inskenimi jo vetëm i 11 shtatorit, por edhe i krimeve tjera të Bin Laden, vdekjet e yjeve të rokut dhe bendet kontroverse, deri tek dyshimet që mbreti anglez Eduardi VII ka qenë një përkrahës i nazistëve.

Është një nga seritë dokumentare më të mira në lidhje me konspiracione të ndryshme. Provon të sjell fakte të besueshme në teoritë e shtjelluara, dhe më e mira është që nuk vonon shumë duke stër-analizuar një ngjarje, apo teori. Shkurt dhe qartazi. Nota personale: 4/5