Categories
Filma

Cherry (2021) – Recensim

Ndoshta fakti që kam shikuar shumë filma, e më tepër talk-show, më ka prishur ‘ëndrrën amerikane’ që shumë veta e lakmojnë!

Kryesisht filma si ‘Cherry’ që trajton problemet e PTSD-së, e që janë të bollshëm. Ndër më të parët që më vije në mend kur trajtohet tema e ushtarëve me PTSD është ‘American Sniper’ me Bradley Cooper!

‘Cherry’ nuk është as afër atij, e filmave të kësaj teme. Për disa arsye.

E para, Tom Holland më çon mallin e Michael Cera, të cilët edhe në shtëpi pensionistësh prapë s’do të kenë pamjen që të bind se nuk janë fëmijë adoleshentë. Ngjashëm duket edhe Ciara Bravo në rolin e Emily.

Tom Holland luan karakterin Cherry, i cili për një mosmarrëveshje ‘shekspiriane’ të Romeos e Zhulietës, regjistrohet për të shërbyer në Irak, derisa Emili heq dorë pas vendimit që të shkonte në studime në Kanada. (kostoja e studimeve – një ndër ‘vrasësit’ e ëndrrës amerikane).

Filmi lëviz ngutshëm, dhe prapë vonon gati dy orë e gjysmë.

Ngutshëm Cherry e Emily vendosin të martohen, dhe pas tërë torturave të luftës, Cherry nuk gjen paqen as kur kthehet në shtëpi. Stresi post-traumatik ndikon në jetën e tyre bashkëshortore, mbijetesën me punë, që i shtynë drejt punëve e adeteve të papëlqyera – krim dhe narkotikë!

Grisjet që t’i shkakton lufta, në cilëndo anë të jesh, nuk shlyhen!

Ky provon të jetë mesazhi i shumicës së filmave të këtillë për luftën! Vëllezërit Russo janë marrë me regjinë, e cila nuk më bind për këtë temë. Ngjashëm edhe skenari. Filmi shkon e zgjerohet shumë, provon të kapë shumëçka duke ndaluar në momente që duken të mos meritojnë kohën që kanë në film, por njëkohësisht është e domosdoshme të kenë atë kohë që marrin në film për tu shtjelluar siç duhet. Kjo nuk gërshetohet siç duhet, dhe rrjedhimisht kemi një film mesatar.

Tentim i mirë i AppleTV+, por ende janë larg cilësisë së serive. Nota personale: 3/5