“Nuk jam aq introvert, dal shpesh (deri në market)!”
E ju, çfarë keni gënjyer për të fituar simpatinë e një vajze?
Fredi e ka gënjyer Roksin që do t’i siguroj një vend në koncertet e Çikagos së viteve 1920ta, derisa ajo ëndërronte të bëhej sikur Velma. Kur Fred e pranon këtë rrenë, Roksi e vret. E idhullen e saj e takon në burg, ku Velma ka përfunduar pasi ka vrarë bashkëshortin i cili e ka tradhtuar me motrën e saj, me të cilën ndante skenën.
Dy të burgosurat – Roksi e Velma; gardiania e burgut – Mama Morton; avokati të burgosurave – Billi Flin – vijnë në rolet kryesore të portretizuara nga Renee Zellweger, Catherine Zeta Jones, Queen Latifah, e Richard Gere. Që të gjithë këta, dhe tjerët, kanë numrat e tyre muzikor, që e bëjnë ‘Chicago’-n muzikalin e parë që nga ‘Oliver!’ që fiton Oskar, dhe atë në vitin e filmave si ‘The Lord of the Rings: The Two Towers’, ‘Gangs of New York’, e ‘The Pianist’.
Ashiqare, nëse nuk jeni në muzikale, nuk do të ju pëlqejë ‘Chicago’, bile mund të ndjeni një antipati nëse jeni fans i Tolkien, Scorseses, e filmave me temë luftën.
Por, filmi është një kombinim i shkëlqyeshëm i kabaresë, filmit, e teatrit, duke sjellë një produkt artistik të përkryer në fund. Skenari i Bill Condon, të cilin më së miri mund ta njihni nga ‘The Greatest Showman’, me regjinë e Rob Marshall, për të cilin ky është vetëm filmi i parë në një seri të filmave mesatar, që s’do të mund të kalojnë suksesin e ‘Chicagos’ është përpunuar për merak.
Mund të themi që gjërat thjesht kanë ‘ndezur’ me këtë bashkëpunim, dhe falë një ansambli yjesh të viteve ‘90ta.
Richard Gere, Catherine Zeta-Jones, Renee Zellweger – emrat që kanë ‘ndezur’ të ‘90tat, vijnë në një muzikal me pjesë goxha sensuale, deri diku edhe erotike, dhe prisni që s’do të marrin Oskar?! Nuk e njihni mjaftueshëm Hollywoodin.
Për mua është ndër muzikalët më të mirë të viteve të fundit, pasi nuk kemi pasur mjaftueshëm, si dhe një revoltë grash, realizuar nga një ansambël i përkryer para e pas kamerës. Nota personale: 5/5