Guardiola, Ancelotti, Spalletti, Donadoni, Seedorf, Van Bommel, Gattuso, e edhe ‘ekspert’ futbolli si Pippo Inzaghi ‘rrezikojnë’ stolin e Max Allegrit. Nuk ka ditë që nuk del ndonjë ‘ekskluzivitet’ që lidh Allegrin me lloj-lloj skandali, kërcënimi nga Berluskonët, apo marrëveshje sekrete me Romën.

Krejt këto janë arsye të mjaftueshme për t’ia dhënë çizmen Allegrit qysh në fund të majit.

E vetmja mënyrë për Allegrin për të qëndruar në skuadër është nëse nuk pajtohet të prish kontratën, gjë që do të hiqte përgjegjësinë për ta paguar edhe një vit trajnerin kampion të Italisë. Po, aq koprrac janë Berluskonët.

Eh, Berluskonët…. sa njihni prej tyre?! I ‘çmenduri’ Silvio është… ndalni!

Kjo është le ta quajmë KOLUMNCEPTION! Nuk keni dëgjuar pasi është diçka që posa trillova. Kolumne brenda kolumnës, për ata që nuk kanë nerva të lexojnë tri faqe kolumne për Milanin ku shtjellohen dy tri tema, si dhe për shkak të titullit, kjo kolumne ka një nënkolumne nën vete që mund ta gjeni në këtë link. KOLUMNCEPTION, pra diçka si filmi Inception. Shikojeni, është film bajagi i mirë, por edhe shumë ‘tru-dhunues’.

Thashë që neve si fansa na kanë ardhur në maje të hundës Berluskonët. E Allegri duhet të jetë ‘mazohist’ i çmendur që të duroj gjithë këtë presion. Në fund të fundit të gjithë kemi vetëm një jetë – YOLO, Allegri, YOLO….

Të gjitha këto kanë arritur në një pikë kur të dyja palët do të jenë të kënaqura me ndarjen. Nuk do të mërzitet asnjëra palë për tjetrën. Milani do të nis një eksperiment tjetër me trajner fillestar, do të dështojmë, kualifikimi në Champions do të jetë kënaqësia maksimale, dhe do të vazhdojmë të rindërtohemi, rindërtohemi, e rindërtohemi… deri kur?! Gjithmonë. Do të shndërrohemi në një Arsenal dhe do të shesim shtrenjtë do të blejmë lirë, do të fitojnë Berluskonët, do të vuajmë ne. Futbolli do të jetë biznes dhe jo njëra prej gjërave më të bukura në këtë jetë.

Allegri është kurbani i radhës. Ka arritur të ndajë taborët e rosonerëve, sidomos këtyre të tanëve në ekstrem. Personalisht unë kam urryer metodën e tij të trajnerllëkut në sezonin e titullit. Kemi luajtur shumë lojë defanzive, pa kreativitet, me të vetmin qëllim për të shënuar me Ibrën, për të mbijetuar deri në fund, dhe saherë që kemi pësuar të parët, kurrë nuk jemi rikthyer në lojë. Ka qenë sezoni i parë i tij në një skuadër të madhe dhe i falet, ndoshta. Sezoni i dytë ka qenë dështim total. Sezoni i tretë ka qenë gjëja më e mirë që ka mundur të bëj. Pikërisht tani mbroj Allegrin sepse është ‘dhunuar’ me tërë ato ndryshime të përnjëhershme, dhe i është kërkuar të bëj mrekullira. Thjesht është e pamundur të përfundosh një tranzicion të tillë për një periudhë aq të shkurtër. E vërtetë kemi vuajtur 3 muaj e më tepër për të cilën kohë Allegri asnjëherë nuk ka vendosur të njëjtën vijë në mbrojtje në dy ndeshje radhazi. Ka eksperimentuar, ka eksperimentuar, e ka eksperimentuar për të gjet formulën mbijetuese,  të cilën më në fund ia doli ta gjej disi. Shyqyr që nuk ishte laborator kimik pasi moti kohë do të kishte eksploduar, dhe atë kushedi sa herë.

Sigurisht ka pasur edhe gabimet e tija këtë sezon. Kohë të gjatë i ka besuar llojit të Boatengut e Nocerinos. I pari nuk ka luajtur vetëm në mbrojtje këtë sezon, i dyti ka luajtur mirë vetëm në Pro Evolution Soccer, dhe atë jo në skuadrën time. Një skuadër kur për një gjuajtje të lirë konkurronin Ronaldinho, Beckham, e Pirlo, ekzekutohej nga Acerbi në vjeshtë. Bojani luante qendërsulmues si të ishte një çifut në shkretëtirë. Formacioni ndryshonte nga 4-4-2, 4-2-3-1, në 4-3-3. Të gjitha këto u përmirësuan, pos Boatengut. Nocerino filloi të stilizonte mjekrën dhe të investigonte kolltukët në pankinë, Acerbi u kthye aty ku e ka vendin, Bojani u kthye mbrapa sulmit për të shkëlqyer për ata pak minuta sa kishte, si dhe formacioni u stabilizua në 4-3-3. Vija e mbrojtjes u rehatua, si dhe Antonini u zhduk (më në fund!).

Gabime në formacion, dhe ato që duken si gabime të qëllimshme për shumë kë u bënë në përzgjedhjen e skuadrës në disa ndeshje. Pse po e fut Abaten, pse po e fut Nocerinon, pse po e fut atë, pse po e fut këtë. Kë ta fut në lojë?! Mua?! Të jem i sinqertë para 10 viteve do të isha më mirë se këta dy sot, por tani… jo faleminderit! 😉

Ciao-ciao…

Si përfundim, Allegri ka bërë gjëra të shkëlqyeshme këtë vit. Si skuadër kemi rënë së fundmi, por jo i tërë faji është i Allegrit. Po flitet shumë që do të largohet. Para disa javëve ka potencuar si rrezik kryesor të Milanit skuadrën e Romës. Ndoshta për Champions League, Roma është larg, por destinacioni i ardhshëm i Allegrit 95% i sigurt. Allegri në Inter?! Nuk e ka as frizurën e Leonardos. Edhe pse të fajësojmë Leon… që prej tij Interi nuk është këndellur.

Do të ishte çmenduri nëse Allegri do të vazhdonte edhe një vit me Milanin duke refuzuar skuadra të tjera, sidomos një skuadër të talentuar si Roma. Pse të dëgjoj ‘pordhat’ e Berluskonëve edhe për një vit. Ne do të humbnim më së shumti në tërë këtë tollovi. Allegri do të ia dilte disi, edhe Berluskonët do të përfitonin me një kontratë të ulët për trajner, edhe pse më poshtë se paga e Allegrit vështirë të gjejmë. Do të përfundojmë me njërin nga emrat e lartpërmendur, e asnjëri nga ata nuk kryen punë. Trajner më të mirë me pagë të Allegrit nuk mund të gjejmë. Berluskonët kanë një mani të gjejnë Guardiolan e ri, dhe për këtë po vuajmë që nga koha e Ancelottit. Leonardo dështim total, Allegri fillim i mirë, por jo perfekt. Të tjerët që përmenda më lart do të jenë edhe më poshtë. Më shumë do të pësojmë ne si skuadër se sa Allegri apo skuadra që merr atë në sezonin e ardhshëm.