Categories
Filma

Ciganët e lumtur (1967)

Me titullin origjinal si ‘mbledhësit e pambukut’, ky film i nominuar për Oskar si film i huaj, i pari nga ish-Jugosllavia, thyen tabunë e deriatëhershme duke sjellë për herë të parë jetën e komunitetit rom në një film. Për më tepër gjuha romane është e përdorur si gjuhë kryesore në film, përsëri risi për atë kohë.

Njëri nga ata që flet gjuhën romane në film është edhe Bekim Fehmiu, i cili vjen në rolin kryesor të Borës. Ai është një shitës pambuku, i martuar dhe me fëmijë, por edhe pijanec. Gjatë biznesit të tij në një komunitet të çrregullt, ashtu siç është i ndërtuar edhe krejt filmi, Bora vendos të martojë Tisën, një tinejxhere e cila ndahet nga burri i saj fëmijë, për të ndjekur jetën e lumtur që ia premton Bora, e më pas edhe televizori.

Në 90 minuta film, kemi një pasqyrë të gjerë të komunitetit rom nisur nga kushtet e mjeruara të jetesës, adetet bizare, shtypjes së brendshme, e sidomos asaj të jashtme ndaj tyre. Është një film i errët, pjesë e një vale të re kinematografike, të pakonkurrencë në Evropën Lindore për pjesën e dytë të shekullit të kaluar, asaj jugosllave, që trajton tema të errëta shoqërore.

Skenari dhe regjia e Aleksandar Petrovic i cili me këtë film ishte nominuar për të dytën nga katër herët për Palmën e Artë në Kanë, nuk është diçka që do të prisnim sot. Por, marrë parasysh kushtet dhe kohën e realizimit të filmit, përkundër tranzicionit të ngutshëm të skenave në disa raste dhe ndjenjës së njëfarë shkëputjeje në rrëfim, del të jetë goxha i mirë.

Kur jemi tek aktrimi, mjafton fakti që kemi dy nga emrat më të mëdhenj të kinematografisë jugosllave, Bata Zivojinovicin, dhe Bekim Fehmiun e mahnitshëm. Aktrimi i tij në këtë film padyshim është puna më e zellshme e bërë në karrierën e tij. E mishëron karakterin e tij aq përkryer sa që është e pamundur ta shohim si një aktor që portretizon një komunitet pjesë e të cilit nuk është.

Me dëgjuar keni dëgjuar, por nëse nuk keni parë filma të ikonës së kinematografisë sonë, atëherë ky është filmi me të cilin duhet ta nisni këtë aventurë. Vetëm të keni parasysh që filmi përmban skena dhe ngjarje të rënda, jo aq të preferuara për këtë kohë edhe ashtu depresive. Dhe përkundër kësaj, mund të shihni ciganë të lumtur! Nota personale: 5/5

Filmin mund ta shihni edhe në YouTube – https://www.youtube.com/watch?v=2isafBhhizY