Në “Kujtime, ëndrra, reflektime,” Carl Gustav Jung dëfton gjërat nga e kaluara e tij dhe si ato kanë ndikuar në jetën e tij më pas, fillimisht duke pranuar që ky libër më shumë i ishte shfaqur si detyrim se sa si dëshirë për ta shkruar.

Në mesin e shumë gjërave në këtë përmbledhje autobiografike ai përmend edhe:

“Vetmia nuk vjen nga mungesa e njerëzve përreth, por nga pamundësia për tu dëftuar mendimet që të duken të rëndësishme ty e janë të papranueshme nga tjerët përreth.”

Kur vdes magnati mediatik, Charles Foster Kane, gazetarë e personalitete të njohura mbeten të ‘trullosur’ nga fjala e tij e fundit – Rosebud!

Si njëri ndër më të pasurit me parajsën e tij personale të krijuar falë pasurisë mediatike, filantropisë, e ndikimit të madh në SHBA, kjo fjalë zgjon kureshtjen e të gjithëve të cilët kërkojnë një domethënie, kuptim, arsye, pse një personalitet si ai do të thoshte një fjalë kaq të thjeshtë e të pakuptimtë për tjerët!

“Kane ishte gjithçka që një njeri do të dëshironte të ishte dhe pastaj humbi të gjitha. Ndoshta Rosebud ishte diçka që s’mund të merrte, apo që kishte humbur.”

Derisa tjerët thellohen në kërkim të kësaj fjale, disa me idenë që do të zbulonte sekretin e tij, apo ndonjë thesar të fshehur, ne zhytemi në të kaluarën e Charles Foster Kane, dhe ngritjen e tij në majën e botës.

Kryevepra e Orson Welles, nga shumë veta cilësohet si filmi më i mirë në historinë e kinematografisë. Ndoshta jo aq shumë për nga përgatitja teknike sa për temën dhe rrëfimin.

Për mua, Citizen Kane është në maje, në mesin e filmave më të mirë që pasqyron karakterin e një njeriu, urinë e tij për të qenë i pushtetshëm dhe i pasur, dhe për të lënguar për një “trëndafil”(Rosebud) në fund!

Citizen Kane është aty, në mesin e abetareve të personalitetit të njeriut, bashkë me librat e Jungut! Film që na bën të shohim më shumë andej kah nuk kemi shikuar moti kohë, dhe frikësohemi të shikojmë ndoshta, kah vetja, në vend se të shikojmë kah bota e jashtme, kah mediat!

Sepse vetëm në vetvete, në kujtimet e ëndrrat tona, mund të gjejmë “trëndafilin” tonë!