Categories
Televizioni

Çka me kqyr këtë verë?!

SummerTV_

Si njëri ndër të paktët që pushimet verore i identifikon me moton në figurën e ngjitur djathtas në këtë shkrim, atëherë e shoh si detyrë që për të gjithë ata që preferojnë argëtimin televiziv kundrejt diellit e detit, tu jap disa alternativa për të kaluar edhe më freskët këtë verë mjaft të freskët, shyqyr Zotit.

Dramat

Është mundësia e fundit për tu kapur në vagonin e ‘Breaking Bad’. Pjesa e fundit e sezonit të pestë, finales, nis me 11 gusht 2013. Në katër sezone e gjysmë deri tani janë shfaqur 54 episode, dhe do të ju duhen së paku nga dy sosh në ditë për të qenë gati për finalen e njërit ndër serialet më të zhurmshme kohëve të fundit në televizionet amerikane. Bryan Cranston (Arrested Development, The Middle) luan rolin e një mësuesi kimie, Uollt Uajt i cili pasi mëson për sëmundjen e tij fatale, vendos të shfrytëzoj pjesën e mbetur si një prodhues dhe shpërndarës droge së bashku me studentin e tij, Xhesi Pinkman.

Fansat e serialeve ‘True Blood’ dhe ‘Dexter’ do të kthehen për serialet e tyre të preferuara, për të cilat kam frikë se është vonë të nisni nga episodi i parë. True Blood kthehet edhe sezonin tjetër, derisa Dexter përfundon këtë verë.

Megjithatë nuk është vonë për ‘The Newsroom’. Seriali është ndër dramat e preferuara të mija. Sezoni i parë ishte i jashtëzakonshëm. Jeff Daniels (Dumb&Dumber) është moderator lajmesh në një televizion. Ai dhe skuadra e tij gjithnjë përballen me egon e tyre për të ndjekur rrugën e të vërtetës dhe të drejtës në njërën anë, dhe interesit të korporatës në anën tjetër.

Fansat e ‘The Sopranos’ mund ti hedhin një sy edhe ‘Magic City’, prodhim i Starz. Sjell jetën e një kreu të nëntokës, portretizuar nga Jeffrey Dean Morgan, derisa përkrah tij aktron edhe Olga Kurylenko.

Në fund janë edhe dy dramat verore që kanë debutuar këtë qershor. E para është ‘Under the Dome’, dramë e bazuar në librin me të njëjtin emër të Stephen King. Seriali ka si temë një qytet i cili papritmas e gjen veten të mbyllur brenda një kupole të tejdukshme, por edhe të padepërtueshme. Diçka e ngjashme me atë tek filmi ‘The Simpsons’. Seriali ka disa karaktere në rol kryesor, secila me tregimin e vet, diçka që e bën më interesante zhvillimin e ngjarjeve. Episodi i parë ka qenë debutimi më i shikuar i një drame verore në 20 vitet e fundit në SHBA.

Drama tjetër që tashmë ka filluar të shfaqet është ‘Ray Donovan’. Ky serial është tipik për klasin e serialeve që sjell ‘Showtime’. Rej Donovan është një ‘riparues’ i personave nga fusha të ndryshme të jetës. Fansat e ‘Arliss’ (KTV) mund ta ngjasojnë me karakterin kryesor tek kjo komedi, veçse ka kontrast krejt më të zymtë. Triler i mirë dhe premtues. Ndërthur të gjitha sferat e jetës së karakterit kryesor ndërmjet peripecive të familjes dhe punës.

Për sezonin e tretë kthehet drama legale ‘Suits’ dhe ajo fantastiko-shkencore ‘Falling Skies’. E para sjell gjenitë e ligjit, derisa e dyta sjell njerëzimi në luftë përballë alienëve.

Akoma nuk kanë debutuar (në kohën e përpilimit të këtij shkrimi), por premtuese pritet të jenë edhe ‘The Bridge’ dhe ‘Orange Is The New Black’. Demian Bechir dhe Diange Kruger vijnë në rolet kryesore të dramës në FX, derisa ‘E portokallta…’ që më shumë ngjan në dramedi, në Netflix në rol kryesor ka Taylor Schilling, karakteri i të cilës dëshmon për kohën e saj të kaluar në burgun e femrave.

Komeditë

Hot in Cleveland’ është komedia që do t’ua sugjeroja ta shihnit patjetër këtë verë edhe pse tanimë janë transmetuar 70 episode, ja vlen të ja nisni ti shihni qoftë edhe nga fillimi. Seriali sjell të shkëlqyeshmen Betty White në rolin e një të moshuare që bashkëbanon me tri gra beqare në moshën e mesme. Është shfaqur në Fox Life së fundmi, dhe sigurisht që u ka rënë në sy. Përndryshe, është komedia që DUHET të shihni këtë verë.

Nga serialet që tashmë kanë përfunduar dhe nuk keni nevojë të prisni për episodet e reja çdo javë kemi ‘Arrested Development’ dhe ‘Men at Work’. Derisa i pari kthehet pas një pushimi shtatë vjeçar, dhe jo në nivelin e kreativitetit që kishte në Fox, i dyti kthehet për sezonin e tretë sezonin e ardhshëm. Në total deri tani janë 20 episode të ‘Men at Work’ ku temë janë katër miq që punojnë në një revistë për meshkuj.

Komedi të mira vere janë edhe ‘Anger Management’ dhe ‘Wilfred’. ‘Anger Management’ me Charlie Sheen në rolin kryesor nuk është as afër ‘Two and a Half Men’. Megjithatë kohë pas kohe ka ngjarje komike. Deri tani janë shfaqur rreth 30 episode me 100 në total për tu shfaqur edhe sezonin e ardhshëm.

‘Wilfred’ vjen me Elijah Wood në rolin kryesor. Frodo tanimë është ‘i çmendur’ pasi flet me qenin e fqinjës, Uilfredin. Ai është i vetmi që e sheh Uilfredin si njeri në lëkurën e qenin, derisa të tjerët e shohin si qen. Është serial që tingëllon paksa si në ekstazë, por ka komedi dhe të qeshura në vete.

Akoma nuk ka filluar, por, pritet të jetë interesante edhe blloku i animuar i vonshëm në Fox i njohur si ‘Animation Domination High-Def’. Do të jenë seriale të animuara nga 5 deri 20 minuta. Diçka e ngjashme si blloku i Adult Swim, prandaj mund të jetë joshës për fansat e këtyre zhanreve.

Të mos harroj as ‘The Goodwin Games’. Një komedi me shumë pritje nga producentët e ‘How I Met Your Mother’, e cila arriti të gjej vend në skemën e Fox vetëm në maj të këtij viti. Nuk është komedi e shkëlqyeshme, megjithatë është e lezetshme. Pos producentëve, kemi edhe Becki Newton, ish-e dashura e Barnit tek HIMYM.

Në listë janë përfshirë vetëm serialet që transmetojnë episodet e tyre gjatë muajve të kësaj vere.

Luan Morina
Kritik për TV&Film

 

 

2 replies on “Çka me kqyr këtë verë?!”

Comments are closed.