Categories
TV Reviews

Cobra Kai – Sezoni 3 (me spoilera)

Pas asaj finale të papritur, nuk e kisha idenë se si do të vazhdohej më tutje me historinë e ‘Cobra Kai’.

Në fund të sezonit tretë, pres edhe dy sezone më së paku, dhe pak a shumë shoh historinë të vazhdojë edhe pas nja 30 viteve tjera!

Pjesa më e këndshme, për mua që ‘Karate Kid’-at origjinal i ka parë në televizor, para internetit, rikthimi i karaktereve, disa nga të cilat më duhet t’i rikujtoj vetëm me anë të rishikimit të filmave, është një pjesë që më kënaqë edhe më shumë në këtë seri.

Në këtë sezon patëm së paku tri karaktere të tilla, të gjitha me hapësirë të mjaftueshme të ofruar në skenë. Më pëlqeu në veçanti që të tria karakteret disi mbyllën gjithçka që kishte pasur të paqartë në historinë e tyre nga filmat origjinal.

Udhëtimi i Danielit në Japoni, kthjellja e Xhonit dhe dedikimi i tij për të rizbuluar veten dhe shëruar Migelin, historia e Kriiz në Vietnam, ishin tri rrugë që nuk linin interesimin tonë të dremiste në asnjë çast të episodeve.

Dua të them që pothuajse çdo skenë ka qenë e pasur me histori e ngjarje që nuk ka kërkuar ndonjë ‘fast-forward’ eventual. Dhe kjo e bën këtë seri të shkëlqyeshme. Nuk ke asnjë moment që të duket humbje kohe, as kohën e Robit në burg, as dialogët e ndihmësve të Larusos, e as boksi i Amandës.

Në veçanti, zhytja në të kaluarën e Kriiz, i bëri të gjitha karakteret në këtë seri të na shfaqen me të dy anët e medaljes së jetës së tyre – të mirat dhe të këqijat. Kjo vlen edhe për Torin, me të cilën patëm edhe një moment pozitiv të Kriiz dhe vet Torit njëkohësisht.

E vërtetë, Kriiz duhet të ndalet, sidomos pas finales së Vietnamit, por, tashti disi e arsyetojmë përbindëshin që është krijuar në të. Në secilin karakter të ‘Cobra Kai’ kemi atë pikën pozitive, qoftë edhe minimale. Dhe pastaj kemi karakteret të cilat i përkrahim, dhe do t’i përkrahim në sezonin e katërt!

Dy sezonet e para kanë qenë të mrekullueshme. Ky sezon shkon edhe një gradë më lartë, ndonëse mbetet e njëjtë nota personale: 5/5