Categories
Filma

Coco (2017) – Recensim

Në dekadën e fundit, film të animuar kreativ sikur ‘Inside Out’ zor është të gjejmë. Ka qenë larg të tjerëve nga kjo kategori, deri këtë vit. ‘Coco’ ka tundur pozitën dominuese të ‘Inside Out’ si filmi më i mirë i animuar. Së paku në listën time personale.

Çfarë ndodh pasi të vdesim? A ju bien ndërmend ata që s’janë më? Ndonjëherë? Vetëm gjatë festave? Epo, bëni mirë nëse i kujtoni, sipas ‘Coco’-s.

Me 2 nëntor të këtij viti, e premte, në Meksikë festohet Dita e të Vdekurve. Këtë ditë, meksikanët vizitojnë varrezat, duke dërguar ushqime, pije të ndryshme, për të freskuar të vdekurit që vijnë këtë ditë nga bota tjetër. Mund të ju duket diçka e ngjashme me manifestimet e besimtarëve ortodoks tek ne!

Në një ditë të këtillë, Migueli pahiri kalon kufiri në drejtimin e kundërt, nga të gjallët tek të vdekurit. Dhe krejt kjo pasi niset në misionin e tij për tu bërë këngëtar. E kënga është rreptësishtë e ndaluar në familjen e tij këpucëtarësh. Nga gjyshja është e ndaluar çfarëdo që ka të bëj me muzikën, derisa stërgjyshja në pleqërinë e vonshme thuhet të jetë arsyeja. Burri i saj e kishte braktisur, dhe ai ishte kush tjetër pos Ernesto de la Cruz!

Ernesto është këngëtari më i madh që kanë njohur në atë vend. Albume platinume, çmime artistike, klikime në YouTube (jo në të vërtetë), gjithçka që e bën një artist të madh. E Ernesto është gjyshi, inspirimi i Miguelit.

Pasi përfundon në anën tjetër të jetës, Migueli duhet të kërkoj Erneston për të marr miratimin e tij për tu bërë këngëtar dhe kthyer në botën e të gjallëve. Pasi takon të gjithë familjarët që kundërshtojnë, Miguel niset në arrati me një kalimtar rasti, Hektorin.

Zëri i Miguelit vjen nga një fëmijë i panjohur deri tani, Anthony Gonzalez, por është një zë që e bën karakterin e Miguelit të dashur për shikuesit. Në pjesën më të madhe së paku. Gael Garcia Bernal e Benjamin Bratt janë dy zërat tjerë kryesor që zërojnë karakteret e Hectorit dhe Ernestos.

Si në skenar, si në regji, si në zërim, e mbi të gjitha në aspektin teknik, filmi është i shkëlqyeshëm. Por, asgjë nuk e kalon idenë, skenarin, me disa detaje sidomos në lidhje me botën tjetër! Filmi eksploron një kulturë të tërë, e gjithçka është e ngjyrosur me tinguj të ëmbël, jo vetëm muzike por edhe kolone zanore gjatë dialogëve të ndryshëm. Ka ritëm që shkon me çdo skenë të filmit.

‘Coco’ është njëri ndër filmat më të mirë të animuar gjatë dekadës së fundit. Nota personale: 5/5