Njerëzit me të meta nuk kanë nevojë për dhembshurinë e ndihmën tonë sa kanë nevojë për pranimin e tyre si të barabartë në shoqëri.

Dhe ky pranim i njerëzve që kanë mungesë të gjymtyrëve, ndjenjave, apo hendikepe tjera, në shoqërinë tonë ende mbetet tabu, dhe shihet si e metë e një familjeje, diçka për tu turpëruar.

CODA (fëmijët e të rriturve të shurdhër), sjellë historinë e Rubit, e cila është vajza e dy prindërve me mungesë dëgjimi, të cilët kanë edhe një të bir, vëllain e Rubit, Leon.

Familja Rossi merret me biznesin e peshkimit në një qytet të Masaçusetsit, biznes të cilin Rubi pret t’i bashkohet me orar të plotë pasi të përfundojë shkollën e mesme. E gjatë shkollimit, Rubi vendos të provoj talentin e saj në korin e shkollës, ku përkrahur nga udhëheqësi i korit, ajo merr guximin të shfaqë talentin e saj dhe të aplikoj për studime, duke rënë ndesh me planet e familjes së saj.

Kjo e vendos Rubin në udhëkryq – të vazhdojë e ndihmojë familjen e saj të cilët kanë nevojë për dikë që dëgjon ashtu që të jetë përkthyese e tyre me palët e treta, apo të zgjedhë jetën e saj, me një talent të cilin familja e saj kurrë nuk do të mund ta shijojë!

Është një temë prekëse, emocionale, goxha mirë e shtjelluar.

Skenari kujdeset ashtu që të njihemi me nevojat e vështirësitë e njerëzve me mungesë dëgjimi, por njëkohësisht edhe të kënaqemi me jetën e tyre, pasi shohim që përkundër mungesës së dëgjimit, prindërit Frenk e Xheki kanë një jetë të pasur e të hareshme, e edhe Leo nuk e ka problem të gjejë momente të mira.

Në shumicën e kohës kemi një familje ‘normale’, e cila dallon vetëm me mënyrën e komunikimit.

Është një film reflektues, goxha mirë i ndërtuar, i përpunuar si në aspektin vizual ashtu edhe rrëfyes në mënyrë të shkëlqyeshme. Aktrimi është fenomenal, derisa në rolin e Leos është angazhuar një aktor që vërtetë ka mungesë dëgjimi, për dallim nga pjesa tjetër e familjes.

Mendoj që mund të jetë në mesin e filmave më të mirë të vitit, aty në prag të atyre që fitojnë çmime kinematografike. Nota personale: 5/5