Categories
Filma

Contagion (2011) – Recensim

Filmat janë rrena!

Edhe nëse doni të mësoni diçka për pandemi si #COVID19, të shikoni një film si ky është si të pyesni Google çfarë sëmundje keni kur ju dhemb koka!

Që të dyja ju japin të njëjtin rezultat – do të vdisni.

Që të dyja ju rrejnë!

Tek Contagion kemi një virus që sulmon edhe sistemin e frymëmarrjes edhe atë nervor. Për virusin në fjalë, faqet shkencore thonë që është gati e pamundshme të ketë një virus që sulmon ashtu njeriun.

Dhe virusi papritmas nis e vret një njeri dhe të gjithë që kontaktojnë me të, porse njëkohësisht ka edhe imun ndaj virusit, si bashkëshorti i viktimës së parë që shohim në film – Gwyneth Paltrow!

Tashti, nuk është lehtë të përmbledhësh një pandemi nga lindja deri tek vdekja në vetëm një film. E kjo bëhet edhe më vështirë po ta zgjeroni temën në shumë fronte me shumë karaktere që ndërlidhen vetëm me anë të shikuesit!

Kate Winslet e Laurence Fishburne vijnë në një trajektore tjetër – atë të shkencës. Edhe Marion Cotillard përfshihet këtu, ndërkohë Bryan Cranston vjen në pjesën e ushtrisë. Matt Damon e vazhdon rrëfimin e një qytetari, atë të bashkëshortes së tij, Paltrow. Dhe kemi rebelin dhe skeptikun në Jude Law.

Pra, i kemi të gjithë karakteret e nevojshme në një tregim të këtillë – të prekurit, shëruesit, rebelët, kujdestarët. Skenari ndahet mirë nëpër këto pjesë, por trajektorja e zhvillimit, përkundër kërcimeve me kohë prapë nuk përshtatet me kohën reale, sidomos tek vaksina, gjithmonë sipas shkencëtarëve. Realizimi teknik, sidomos me këndet e kapjes së skenave dhe tingujt që shoqërojnë shumicën e tyre janë të përshtatshëm.

Por, është film, dhe filmi nuk duhet të merret si fakt shkencor. Edhe nëse do të ishte dokumentar, e lëre më artistik, do të duhej të merrej me një dozë skepticizmi. Mos e shikoni për të mësuar më shumë për #COVID19, sepse nuk është gjë tjetër më shumë se një film artistik.

Nëse doni më shumë informata, përcillni dhe përmbahuni udhëzimeve të qeverisë, IKSHPK-së, WHO-së, dhe ‘RriNShpi e kqyr filma tjerë, jo këtë.