Categories
Dokumentarë

Cosmos: Possible Worlds (2020) – Recensim

E dini, nganjëherë kur të laheni, sidomos të dielave, ju bllokohet ujë ose ajër në vesh. Nuk ju dëmton diçka sa ju plas nervat kjo gjë. Por e dini kur të hapet veshi, disi duket sikur po dëgjoni më thellë e më qartë që keni dëgjuar më parë?

I tillë është edhe ky sezon i Cosmosit!

I perceptuar si një udhëtim në botë të pashkelura, përfshirë botët e humbura e ato që do të popullohen, ky sezon na bart në të gjitha drejtimet e hapësirës dhe kohës. Dhe për të gjitha, Neil deGrasse Tyson, falë një skenari të detajuar e inteligjent, na jep të diturat me një stil të ri, e të paditurat me një thjeshtim të thukët.

Kur jemi tek ‘stili i ri’, mendoj në pjesët e vizatuara, të cilat sikur i dedikohen më të vegjëlve, por në fakt përmbajnë informata që i kuptojmë vetëm të rriturit. Është ndoshta një ide të na shpijë në fëmijëri, të na mësojë për gjëra të reja me një teknikë të familjarizuar, por me zgjuarsinë që e kemi sot.

Secili episod, pos pjesës së animuar të rrëfimeve kryesisht nga e kaluara, na dërgon edhe në një të ardhme të afërt apo të largët, me vizione që të kënaqin sytë, nën një narracion që të pushon veshët, me të gjitha të përmbledhura në një seri episodesh që të ushqejnë trurin dhe zemrën.

Me Ann Druyan si producente dhe skenariste e të gjitha episodeve, gjë që kishte bërë edhe në sezonet e kaluara, ‘Cosmos’ në sezoni ne tretë sikur mbyll ciklin. Sigurisht që ka materiale edhe për dhjetëra sezone, por mundi që bëhet në sjelljen e episodeve të këtilla sigurisht kërkon kohë e angazhim, për të ruajtur këtë cilësi.

Sezoni nis me episodin ‘shkallët për në yje’, që sjellë një rishikim të zanafillës së jetës së njeriut. Dhe nga këtu, shqyrtojmë botët e shkatërruara më parë, dhe ato që do të shkatërrohen në të ardhmen, përfshirë tokën dhe diellin.

Sigurisht, nëse ju lëmë kohë e hapësirë para se ta shkatërrojmë vet ne botën. Një pjesë e episodeve merret me rrezikun njerëzor që i kanoset planetit tonë, pastaj për botët ujore e të fshehura brenda në planetin tonë, para se të kalojmë në qiej.

Fundi sikur mbyll ciklin e Tysonit, i cili hedh paralelet me Saganin, dhe pikën e përbashkët – Panairin e Shkencës në Nju Jork, një frymëzim për ta dhe shkencëtarët e rinj. Porse, në fund na dërgojnë në vitin 2039, me një parashikim të afërt të planetit tonë, që është ndër pjesët më frymëzuese në televizion viteve të fundit.

Cosmos: Possible Worlds, sikur dy të parët, është një seri që DUHET SHIKUAR PATJETËR. Nota personale: 5/5 p.s. E gjeni edhe në National Geographic Channel, kryesisht të dielave.