Categories
Filma

Crazy Rich Asians (2018) – Recensim

Në vitin 2018, kinezët kanë shpenzuar 8.87 miliard dollarë në kinema. Gati 6 miliard kanë shkuar për filmat vendas, kinez, me pjesën tjetër të ndarë nga filmat e Hollywoodit dhe Bollywoodit. Pjesë nga kjo pite kërkojnë të gjithë, dhe një tentim i mirë ishte ky film.

‘Crazy Rich Asians’ vjen në të njëjtën trajektore me ‘Black Panther,’ porse nuk arrin të bindë kritikët dhe votuesit e Akademisë për rëndësinë e tij artistike. E në fakt, e vetmja rëndësi, risi, është etnia dhe raca e ansamblit të aktorëve.

Në këtë ansambël kemi emra të cilët kemi mundur t’i shohim nëpër projekte të ndryshme të serive dhe filmave, nisur nga Ken Jeong, Michelle Yeoh, e Jimmy O. Yang. Por, historia sillet rreth karakterit të Constance Wu, e cila është e shkëlqyeshme tek seria ‘Fresh Off the Boat’.

Contance Wu tek ‘Crazy Rich Asians’ luan rolin e një aziatikeje që jeton në Nju Jork, e cila është në lidhje romantike me një djalë nga Singapori, për të cilin nuk ka idenë më të vogël se nga cila familje vjen. Si zakonisht në këso romancash, djali është nga një familje e pasur edhe këtu, me të cilën familje Rejçëll (Wu) e ka të vështirë të adaptohet.

Pra, është një histori e zakonshme e filmave rom-kom, por ka atë freskinë e vet që vjen jo vetëm nga etnia e ansamblit të aktorëve. Ka një punë të mirë regjie dhe skenari lustrohet me momente që e shmangin nga bajatet e këtij zhanri të filmave. Janë dy orë të mira filmi. Nota personale: 5/5