Nëse i gjej dy veta që e kanë përcjellë këtë seri këtu, do të ishte mrekulli! Nëse dy veta vendosin ta shikojnë këtë seri pas këtij recensimi, do të ishte mrekulli edhe më e madhe! Por, kjo seri meriton një shkrim në shqip!

Para “Allo, Allo” ishte “Dad’s Army” që sot është ndër seritë më të nënvlerësuara të komedisë britanike, së paku tek ne! Ndoshta për faktin se një pjesë goxha e madhe e episodeve janë bardhë e zi, ose së paku kanë qenë kur i kam shikuar para 10-15 viteve.

Ata që janë të paaftë për luftë, të moshuar ose shumë të rinj, ose që vuajnë nga ndonjë gjymtim apo sëmundje, gjatë Luftës së Dytë Botërore, përgatitnin Gardën e Vullnetarëve në pritje të pushtimit gjerman.

Dhe secili nga këta anëtarët e gardës kanë një detyrë ditore, para se të bashkohen për ‘stërvitjet’ që përcillen me shumë ngjarje komike që ngërthejnë në vete një humor britanik – një satirë të zezë vetëkritike.

E tillë është hyrja e çdo episodi kur kemi lëvizjen e tri shigjetave britanike që kalojnë në Francë, por me t’u shfaqur shigjetat e lëvizjeve naziste, ato tërhiqen matanë kanalit nga fillojnë të ‘lehin’, derisa në vargje kërcënohet zotëri Hitler që Britaninë ka kush e mbron.

Këta mbrojtës janë pensionist, veteran të luftës së Sudanit e kasap, bankierë, qivixhi, e çmos si karaktere dytësore.

Në përgjithësi seria nxjerr momente komike nga paaftësia e këtyre vetave për të luftuar dhe serioziteti me të cilin marrin detyrën për të mbrojtur atdheun. Është fund e krye komedi, me çdo episod që trajton nga një çështje që në fakt nuk do të duhej trajtuar nga vetë këta.

Është një episod ku LanceCorporal Jack Jones, i cili gjithmonë thotë ‘Pa panik,” e gjithmonë bën panik, veteran i luftës së Sudanit, të cilën e përmend në çdo moment që mund të hyjë në punë, dhe në moment kur nuk ka nevojë fare për ‘përvojë’ nga kjo luftë, dhe njëherësh edhe kasapi i fshatit, zgjidhet për të qenë fytyra e rekrutimit të pjesëtarëve të rinj. Për shkak të moshës, dhe karakterit të tij, ai nuk është në gjendje të qëndrojë i qetë për 5 sekonda deri në shkrepjen e fotografisë.

Pastaj zënë një grup gjermanësh nga të cilët provojnë të ruajnë sekretet, ushtrimet me armë, me parashute, krijimi i fondit, e shumë tema me çaste komike, që ia arrijnë qëllimit – të sjellin njërën nga periudha më të tmerrshme që kanë përjetuar shikuesit e asaj kohe në një frymë komedie, sepse asgjë sikur e qeshura nuk shëron dhimbjen.

Është ndër seritë që sot nuk keni kohë për ta shikuar, por ndoshta në pleqëri, apo kur të vije BritBox edhe tek ne mund ta shihni.

Episodet shumica janë në YouTube, e me VPN i gjeni edhe te BBC iPlayer e edhe UKTVPlay nëse nuk gaboj. Është njëra ndër komeditë më të mira britanike. Nota personale: 5/5