Categories
TV Reviews

Dark – Sezoni 1 (pa spoilera)

Luani nuk ka fjet javën e kaluar, siç e ka zakon para 11pm. Nuk ka kryer punët e rregullta, ka porositur gjëra të panevojshme në internet, e as nuk e ka pastruar dhomën!

Luani ka humbur veten sikur të ishte një karakter në serinë ‘Dark.’

Dhe krejt këto sakrifica ia kanë vlejtur, pasi gjithçka, gjithçka në sezonin e parë të ‘Dark’ është mjeshtërore. Aktrimi, skenari, tema, fotografia, muzika. Do të doja të përfundonte gjithçka me kaq, pasi sa më shumë shkon, sa më shumë shtjellohet tema, aq më shumë humb madhështia e çiltërsia e serisë.

Ndoshta mund të ju duket si një seri e thjeshtë fantastiko-shkencore, por ka disa arsye pse mua më ka bërë përshtypje kaq të mëdha në javën e kaluar të qershorit!

Dy dekada më herët, kur si një tinejxher, kam provuar të gjejë veten më shumë në religjion. Dhe ndër gjërat fillestare që kam mësuar, para kohe ndoshta, ka qenë që mosha e jetës së amshueshme është 33 vjeçare.

Dhe pastaj vjen Dark me ciklet 33 vjeçare të ecjes në kohë!

Është kjo moshë kur Jezui është ringjallur dhe jeton përgjithmonë deri në kiamet. Si do të jetë e mundshme që të gjithë, nipa e gjyshër të jenë 33 vjeçar? Ndoshta secili shohim paraardhësit si më të vjetër, por pasardhësit më të rinj, ani pse të gjithë jemi një moshë. Tekefundit gjithçka që është jashtë në botë, zhduket në momentin që mbyllim sytë.

A nuk ndodh gjithçka në kokën tonë, aty ku trillohet gjithçka, përfshirë kohën dhe hapësirën!

Si dikush që ka humbur kohë me kësisoj teori e nuk ka pasur një jetë normale me makiato e miq, afërsia e skenarit me ngjarjet e mundshme, probabiliteti i tyre të dalin të vërteta ka qenë i frikshëm.

Karakteret janë të mrekullueshme. Edhe përshtatja në kasting, ngjashmëria e aktorëve të së njëjtit karakter nëpër periudha të ndryshme është e jashtëzakonshme. Fotografia është ndër më të mirat në seriale, përfshirë edhe muzikën që na sjellë disa nga superhitet e muzikës gjermane të para-bashkimit!

Shtrirja e historive është bukur e thurur. Dhe ndoshta na duhet ta shohim nga mbrapa që ta kuptojmë më mirë. Ndoshta, por është shumë e kuptueshme, nga cilado pikë që niseni. Tekefundit, ku është fillimi e ku është fundi?!

‘Dark’ është super-seri. Nota personale: 5/5