Categories
TV Reviews

Dark – Sezoni 2 (me spoilera)

Aq shumë më kishte kënaqur karakteri i Elizabetës në sezonin e parë, sa që pata vendosur që përfundimisht të nis të mësoj gjuhën e shenjave. Pasi përfundova pjesët kryesore, më shumë se mandarinën, del Elizabeta e së ardhmes si një lidere e pashpirt!

Dhe kur mendon që ke parë më të tmerrshmen rreth saj, në fund të sezonit, vjen në një pikë të pazgjidhur përgjatë gjithë historisë së njerëzimit – kush erdhi e para, veza a pula?!

Tashti, krijon një pritje ekstreme për sezonin e tretë, për të zbuluar si mund të nis cikli i Elizabetës e Sharlotës, kush erdhi e para? Ose ndoshta nga ku erdhi e para?! Oseee ndoshta mbeteni në atë pjesën e zhgënjyer nga seritë si Lost e Game of Thrones që mbeten ndër më të mirat!

Sezoni i parë më pëlqeu më shumë për disa arsye.

E para, ecja në kohë ishte një dukuri për të cilën dinin shumë pak veta.

E dyta, ishte e kufizuar në një kohë prej 66 viteve 1953-2019. Deri në fund!

Në sezonin e dytë, kjo dukuri përfshiu të gjithë banorët që njihnim, para se të kalonim në edhe së paku dy periudha shtesë 33 vjeçare në të dy këndet.

Rrjedhimisht, do të duhej të shkruaja edhe më shumë, dhe të mbuloja të gjitha teoritë, udhëtimet, e karakteret do të ishte e pamundur. Sidomos pas një jave pa gjumë, më shumë duke analizuar teoritë e ngjarjet se sa duke përfunduar dy sezonet!

Finalja e sezonit të parë, me shkuarjen në një botë apokaliptike më bëri skeptik për sezonin e dytë. Ngjashëm edhe finalja e sezonit të dytë, me zgjerimin në universe tjera!

Mezi pres të shoh se si do ta përfundojnë, si do të dalin nga ky kurth Baran bo Odar e Jantje Friese. Por, atë çfarë kanë bërë deri sot është gjeniale! Nuk kam dyshim se do t’ia dalin, pasi që nga episodi i parë, kemi pasur një rrugë të shtruar mirë, ani pse të përzier. E kanë ditur në çfarë do ta nisin e në çfarë do ta përfundojnë, pa e stërholluar e mjelë panevojshëm.

Duket se gjithçka është bërë me plan, është përgatitur para se të nis filmimi i parë, dhe kjo më jep rehati për një super-finale!

Sezoni i dytë ruan magjinë artistike të së parit. Aktrimi është i përkryer, sidomos nga Jonasët, e njashtu edhe nga Adami. Egoni, Ulrihu… nejse, krejt, e bëjnë rolin e tyre, rolet e tyre mrekullueshëm.

Fotografia është superiore, me zymtësinë e shkëlqimin që i jep kontrastin e duhur skenave me ngjarjet. Skenari është fantastik, me dialogë e monologë që ju trazojnë filozofinë që dini. Pastaj kemi skenat ku prindërit takojnë pasardhësit nga periudha të ndryshme, ose në periudha të ndryshme – sidomos dy skenat e Ulrihut me fëmijë në vitin 1986.

E pastaj, muzika! Këngë të përzgjedhura për mrekulli, ndjekur nga instrumentale që ndjekin ngjarjet me ton super të përshtatur.

E vërtetë që duket një sezon më i gjerë e më i përzier, por vlen thënia e Soren Kierkegaardit për këtë seri!

Jeta duhet të jetohet duke shikuar para, por kuptohet duke shikuar mbrapa!

Njëjtë mund të kuptoni edhe këtë seri. Shumëçka po ka kuptim, dhe po aq afër mendjes sa shumica e teorive për këtë dukuri. Por, a do të mund të shkojnë një hap më tutje?

E shohim në fundin e botës. Nota personale: 5/5