Categories
TV Reviews

Dark Sezoni 3 – Recensim (me spoilera)

Si ithtar i dualizmit, në shumë raste e përdori fjalinë banale ‘ja me mu (luanin), ja me arushën’, ani pse nuk ekziston ndonjë antagonizëm ndërmjet këtyre dy kafshëve as nëpër tregime për fëmijë.

Para syve e kemi pasur, dualizmin, por e kemi vërejtur vetëm në sezonin e tretë. Adami dhe Eva, Jonasi dhe Martha, e mira dhe e keqja. Në një luftë që duhej të përfundonte me fitoren e njërës apo tjetrës, ne përfunduam me të tretën, nga e cila kishin rrjedhë, pahiri, këto dy botë të kundërta.

Artistikisht, seria ka qenë parajsë për shqisat tona.

Fotografia është jashtë kësaj dynjaje!

Kontrasti përshtatet mrekullueshëm me periudhën dhe ‘rrezikshmërinë’ e saj, varësisht se në çfarë ‘qejfi’ kemi Adamin dhe Evën. Kur jemi tek këta dy, mos të harrojmë edhe makijazhin, i cili po mbetet në plan të dytë zakonisht.

Mjeshtëria teknike vërehet në kapjen simetrike të shumicës së skenave, disa prej të cilave mbeten si një natyrë e vdekur për disa çaste, pa lëvizje, pa dialog. Kjo njëkohësisht pasqyron thellësinë filozofike të serisë, ngjarjeve, momenteve, në të cilat thellohen si karakteret në skenë, si shikuesit këndej murit të katërt.

Një sezon kemi pasur një lëvizje në kohë. Në sezonin e dytë kemi pasur disa lëvizje në kohë. Në sezonin e tretë kemi pasur disa lëvizje, jo medoemos në intervale 33 vjeçare, dhe atë në dy botë.

Krejt ky zgjerim i historisë vërehet ashiqare të jetë i përgatitur qysh para fillimit të serisë. Përshkallëzimi ka shkuar në mënyrë të përkryer, duke thithur shikuesin ngadalë por sigurt në historitë e ‘Dark’.

Dy botët, të Adamit dhe të Evës, ndonëse të koklavitura e të pakuptueshme në plan të parë, janë zbërthyer në detajet më të kryesore, në pikat kyçe në episodin e shtatë. Aty kemi udhëtimin më të shpeshtë e më të shpejtë, derisa mësojmë, si ne ashtu edhe karakteret, peshën e vendimeve që janë marrë.

Asgjë nuk humbet! Gjithçka është e lidhur!

Energjia ndryshon formë, ashtu siç e kemi mësuar në klasën e gjashtë të fillores, por megjithatë, ne mendojmë se disa gjëra marrin fund, zhduken, pa gjetur vrimat e zeza.

Vrimat e zeza, fizika kuantike, udhëtimi në kohë, radioaktivitet, energjia nukleare, cesiumi, janë disa nga aspektet shkencore të mbërthyera për mrekulli në seri. Për aq sa kam parë nga dokumentarët, jo gjithçka është e pamundur nga ato që përmenden në këtë seri.

Nuk mund t’i afrohen më shumë se kaq reales, mendoj.

Lëmshi i dy botëve arsyetohet me fundin, kur dëshmohet se të dyja botët janë parazitë të krijuar paqëllimshëm me anë të dëshirës së përhershme të njeriut – zhbërjen e vdekjes.

Tannhaus familjen e të birit, Jonasi të atin, Martha Jonasin – të tri botët nisen në misionin e ringjalljes së më të dashurve të tyre, duke shkaktuar pasoja fatale kur nisin të manovrojnë me kohën.

Këtë më së miri e vërejmë fillimisht në dy botët, e pastaj edhe me vet krijimin e dy botëve. E këto botët majën e arrijnë në episodin e pestë, i cili është më i errëti në tërë serinë. Errësira vazhdoi edhe më tutje me skena gati po aq të llahtarshme edhe më vonë.

Ka shumë gjëra për të diskutuar, për të përshkruar. Tekefundit tri sezone përfshijnë tri botë në një trajektore prej më shumë se 170 viteve. Detaje e detaje, disa dytësore edhe të pazgjidhura, sidomos kjo e Vollerit (nëse nuk ia kam huq emrin, si zakonisht).

Përfundimisht, mund të nxjerrim që vdekja nuk bëhet e as nuk zhbëhet, pos në kohën e saj. Kemi Evën e Jonasin që provojnë të përfundojnë jetën e tyre para kohe!

Koha, materia, vrimat e zeza, fizika kuantike, udhëtimi në kohë, radioaktivitet, energjia nukleare, cesiumi, mund të konsiderohen të arrira shkencore superiore në historinë e njerëzimit. Por, në fund të fundit…

nuk janë më shumë se një pikë, derisa na mbetet një oqean i pazbuluar

Deri në zbulimin e pikave tjera, Dark mbetet njëra ndër seritë më të mira të bëra ndonjëherë. Mendja gjeniale si në trajtimin e temave shkencore, si në përkthimin artistik të tyre në skenar, e Baran bo Odar e Jantje Friese na kanë bekuar jetën me këtë seri.

Pa marrë parasysh çfarë mund t’u thonë, ‘Dark’ është seri e përkryer! Nota personale: 5/5

p.s. mos nënvlerësoni momentet kur keni deja-vu, ashtu siç shumica e nënvlerësojnë këtë seri