Categories
Filma

Dark Waters (2019) – Recensimet

Bazuar në artikullin e New York Times “Avokati që u kthye në ankthin më të madh të DuPont” nga Nathaniel Rich, Todd Haynes sjell në film një histori të një avokati korporatash i cili ka një moment vetëdijesimi kur përzgjedh të marrë përsipër një rast që do t’i shkatërrojë jo vetëm karrierën, por edhe jetën private.

Avokati në fjalë është Rob Bilott, i cili aktrohet nga Mark Ruffalo, një ditë në zyrën e tij në Cincinnati vizitohet nga një fermer, i njohur i gjyshes së saj, i cili me vete sjellë videokasetat, për të cilat Rob nuk ka kohë fillimisht. Por, vizita e tij tek gjyshja, i hapë rrugë tek fermeri i cili i sjellë dëshminë e vdekjeve të çuditshme të 190 lopëve të tija. Për këtë ai fajëson kompaninë DuPont e cila zbraz mbeturinat afër fermës së tij.

I propozuar si një rast dytësor tek shefi i tij, Tom (Tim Robbins), Rob vazhdon të punojë në të duke u zhytur në një botë të pakëndshme me shumë sekrete tjera të cilat nuk duhet të zhgroposen. Në mesin e tyre, edhe një që prek vet Robin dhe gruan e tij të portretizuar nga Anne Hathaway.

Filmi, në përputhje me temën, sjellë një ngjyrë të errët dhe të zymtë përgjatë dy orëve, diçka që më ka pëlqyer, si zakonisht. Historia mund të duket pak e këputur në vende, por nëse i kushtoni vëmendje të mjaftueshme, do të tmerroheni nga fakti që skenari bazohet në një ngjarje të vërtetë, e cila në fakt mund të na ketë prekur edhe neve, ani pse një oqean më larg nga vendi i krimit.

Aktrimi i Mark Ruffalos nuk ndryshon nga rolet tjera të tija në drama. Bill Camp bënë punë të mirë në rolin e fermerit, derisa Tim Robbins e Anne Hathaway janë në formën e tyre të zakonshme.

Marrë parasysh temën, filmi është munduar të mos zgjatet, duke sjellë sa më shumë detaje, diçka që ndoshta e dëmton rrëfimin. Regjia nuk dallon prej nivelit të skenarit, derisa fotografia me gjasë është ana më e mirë teknike e filmit.

Mendoj që na nevojiten sa më shumë filma të këtillë, dhe mbi të gjitha suksesi dhe përkrahja e tyre, marrë parasysh që gazetaria hulumtuese është drejt zhdukjes nga milionerët e klikimeve. Nota personale: 4/5