Categories
Filma

Dashuria e moshës së mesme

Kur niseni në të tridhjetat, vëreni disa ndryshime në veten tuaj, për shembull:

  • S’mund të prisni fundin e Interaktivit se para orës 12 ju merr gjumi
  • Me fjet deri në ora 8 ju shkon dita mbrapshtë
  • Zbuloni eshtra e pjesë të reja të trupit, kryesisht me anë të dhimbjeve
  • Nuk ju pëlqejnë seritë për tinejxherë.
  • Ju shkojnë nerva kur rinia nuk ju respektojnë si për shembull nuk më thirrin ‘axha Luan’

Por, ka sigurisht edhe gjëra të mira, tjera, përpos këtyre që përmenda më lart. E një ndër zbulimet më të mira, për mua, vitin e kaluar ishin filmat e Hallmarkut!

Për ta shpjeguar, Hallmark është televizion dhe produksion amerikan i dedikuar për audiencën e moshës së mesme. Ndonëse është kryesisht për gratë, filmat e Hallmark janë krejt çfarë ju duhen në këtë periudhë izolimi. Për disa arsye:

  • Asnjë film nuk zgjatë më shumë se 80 minuta
  • Të gjithë filmat e kanë një strukturë të thjeshtë
  • Dhe tek të gjithë fundi është i lumtur

Hallmark i ndan filmat në bazë të sezoneve, si zakonisht kapitalizmi sundon edhe filmat televiziv!

Janari është ‘festivali dimëror’ me filma që kanë të bëjnë me borë; shkurti përqendrohet tek Shën Valentini, pastaj vjen ‘zjarri i pranverës’ me filmat pranveror, ‘numërimi drejt verës’ që pason me shumë filma nëpër pushime e dasma, para ‘vjeljeve të vjeshtës’, për të përfunduar me arsyen pse ju kam dhënë shansin këtyre filmave – ‘numërimin drejt Krishtlindjeve’.

Në tërësi janë rreth 50-60 filma në vit, kryesisht të transmetuar të shtunave – dita me më së paku shikueshmëri në televizionet amerikane. Shtoj kësaj edhe kanale tjera si Lifetime, Ion TV, UpTV, e Netflix, shkojnë deri në 100 filma të këtillë e mos më tepër.

Sigurisht, nuk ja vlen të shikoni të gjithë. Unë gjatë verës e shkurtit merrem me filma e seri klasike, të cilat kurrë s’do t’i përfundojë. Por, ‘It’s a Wonderful Life’, ‘Just Friends,’ e ‘Home Alone’ me shoqëri nuk mjaftojnë për pushime dimërore. Dhe oferta e Hallmark, e sidomos e Lifetime gjatë dhjetorit e janarit është goxha e kënaqshme.

Nëse shikojmë gjithmonë filma ‘të thellë’ e ‘serioz’ e mundojmë veten! Filmat janë edhe për të na bërë të ndjehemi mirë, për të na çlodhur, e lazdruar. Kur kemi nevojë për të këtillë, këta filmat që shfaqen në televizione si Hallmakr e Lifetime, janë shumë, shumë më të mirë e të suksesshëm në përmbushjen e kërkesave tona se sa filmat komercial të kinemave!

Nuk di çfarë do të shohë kur të arrij pensionin, nëse e arrij pensionin! Por, ‘Bonanza’ ka mjaft episode, e reprizat e ‘Cheers’ kurrë nuk bëhen bajat. Njëjtë sikur filmat e John Wayne!