Nganjëherë mendoj sa e mërzitshme është për një mësuese të klasës së parë çdo pesë vite të përsëritë gjërat më themelore të njeriut! Të kalojë një javë duke mësuar një shkronjë, një muaj një numër, e një vit të mësojë një fëmijë të lexojë një fjali siç duhet!

Është një zhurnal i kotë, ditë pas dite, vit pas viti, derisa formon gjeneratë pas gjenerate, të cilat vetëm vazhdojnë të jenë pjesë e rrethit vicioz që përsëritet çdo pesë vite.

E them nga përvoja, është e pamundur të sjellësh risi në një sistem të ngulitur thellë. Nuk ia ka dalë as Xhon Kiting, e lëre më dikush nga ne. Fatmirësisht, për të dy, ato ditë janë në të kaluarën.

Nëse parafrazojmë Ajnshtajnin, “nuk mund të zgjedhim problemin me të njëjtën mendësi në të cilën është krijuar.” Duhet të bëjmë diçka të pazakontë, jashtë normales, për të pasuruar normalen.

Robin Williams në rolin e një mësuesi që më shumë se trurin prekë zemrën e nxënësve të tij, është ndër mishërimet më të mira në kinemanë e viteve 1980ta. Është njëri ndër rolet e karrierës së tij, ndonëse për mua pothuajse të gjitha rolet e tija janë të përkryera.

Për ata që nuk e dinë, Williams është një mësues që shtynë nxënësit e një shkolle djemsh të shqyejnë fletat e librave, të recitojnë, të gjejnë pasionin për artin, për dallim nga mësuesit tjerë që u mësojnë vetëm ato të zakonshmet.

Këtu, edhe vetë Kiting, thotë që të gjitha profesionet kanë rëndësinë e tyre, pjesën në enigmën e madhe të jetës. Porse, pak ndiqet zemra, dashuria për artin, për poezinë.

Dhe dikush ankohej “pse duhet të mësojnë fëmija vjershat përmendsh, çka ju kryejnë punë?

Janë pyetje që të shtyjnë në gjynah, që ja bëjnë populli.

Kryejmë 15-16 vite shkollë, punojmë 40 vite tjera, edhe kurrë nuk mendojmë se çfarë na kënaqë shpirtin të bëjmë, pasi mendjen gjithmonë e kemi te ngopja e barkut dhe frika nga uria.

Poezitë e pikturat nuk të shtrojnë sofrën e të mbushin zemrën siç e bën stetoskopi e çekani, por të mbushin zemrën. E zemrën, pak e kanë të mbushur, fatkeqësisht. Është një ndër klasikët më të mirë, goxha emocional. Nota personale: 5/5