Categories
Filma

Deadpool 2 (2018) – Recensim

Kur të duhet të shikosh më shumë se 110 filma të vitit aktual çdo vit, dhe kur gati 15% e tyre kanë të bëjnë me super-heronj, atëherë trajektorja e ngjashme të cilën marrin shumica të bëhet bajate. Dhe fjalia e epërme është përdorur vetëm si një arsyetim për nota dhe kritika jo aq pozitive për filmat me super-heronj, dhe asgjë tjetër! Arsyetim të këtillë për ‘Deadpool 2’ s’do të ketë!

‘Deadpool 2’ nis me një mision të shkurtër vetëvrasës të Wade wilson, për t’u rikthyer më pas mbrapa për të zhbërë të gjithë procesin. Dhe që nga momenti i parë e deri në fund të filmit, ngjashëm si tek filmi i parë s’mbetesh i zhgënjyer!

Edhe kësaj radhe, ansambli i ‘Deadpool’ në të dyja anët e kamerës sjell një film të mrekullueshëm duke përzier aventurën, aksionin, dhe komedinë me gojën e prishur të karakterit të Ryan Reynolds. Ndër kombinimet më të mira karakter-aktor duhet të jetë ky i Deadpool me Reynolds. Sikur të ishte lindur për këtë rol, por Reynolds më ka pëlqyer edhe në filma e role tjera, prandaj mund të jetë një vlerësim subjektiv.

Kësaj radhe, Deadpool me ekipin e tij, të cilit përsëri i mungojnë ‘yjet’, duhet të ndalë një cyborg që udhëton nëpër kohë, Cable. Josh Brolin vjen në rolin e këtij antagonisti, duke e bërë një betejë të kënaqshme nga fillimi deri në fund ndërmjet Cable dhe Deadpool. Për komedi aty është edhe TJ Miller, gjersa Morena Baccarin, Russell Collins e Zazie Beets vijnë në rolet tjera bashkë me një numër aktorësh tjerë dytësor.

Gjatë gjithë kohës, Deadpool është në një mision tjetër dytësor – vetëvrasjen e cila për një njeri të pa-lëndueshëm fizikisht është e pamundur. Ndonëse mund të tingëllojë filozofike, fjalia paraprake mund të mishërohet në skenarin i cili është i mbushur me linja komike, të cilat nuk mungojnë as në zjarrin më të lartë të aksioneve.

Është një punë e përkryer, ndryshe nga filmat tjerë të këtij zhanri. Nota personale: 5/5