Ah, kjo fjalë aq e frikshme për shumicën, dhe aq e guximshme për një pjesë tjetër. ‘Qofshin-largëtit’ që jetojnë brenda neve! Brenda një pakice prej neve!

Jemi popull bujar. Bashkë-ndjejmë dhimbjen me të tjerët. Të gjitha llojet e dhimbjeve, pos atyre mendore. Ndoshta frikësohemi se mos na ‘ngjiten’ edhe neve dhe pastaj ne s’do të jemi ‘normal’. Alzheimeri është ‘çmenduri’! Edhe ngjitës!

Nuk flasim për këto, e as për tjerat më të përhapura e më të shpeshta.

Deri në vitin 2020, ankesa e dytë pas sëmundjeve kardiovaskulare do të jetë depresioni. Çdo i pesti njeri dikur gjatë jetës së tij preket nga depresioni. Është diçka që zgjat zakonisht katër deri gjashtë muaj. Mund të kthehet. Gratë janë dyfish më të prekura. 350 milionë veta janë prekur çdo vit. Mbi dy miliardë euro harxhojnë në vit në trajtimin e kësaj dukurie Franca dhe Gjermania.

Shifra mund të ofrojmë panda. Ama s’na kryejnë punë. Pse të japim shifra kur shërues të depresionit, ankthit(anxiety) tek ne janë predikuesit fetar! Pse të shpenzosh para kur një hoxhë i zoti me dy tri të fryra dhe disa pëshpëritje të shëndosh.

Ndoshta e fryra e hajmalitë i kanë shëndoshur gjeneratat e kaluara, por këto që tani po rriten, po gjejnë një botë krejt tjetër, është pak e zorshme të bindësh që këto dhe sëmundje tjera janë rezultat i mungesës së besimit! Larje gjynahesh!!!

Por, alternativat janë të pakta!

Psikologët që po diplomojnë nga kudo e sido janë edhe të atillë që krenohen se mund të shërojnë introvertizmin, e gati si hoxhallarët, vetëm se në të kundërtën, fajësojnë besimin në hyjnore si shkaktar i depresionit.

Të ngujuar në dy anë krejt të kundërta, të dyja doktrina të gabuara, të prekurit nuk kanë kah të kthehen. Dhe kjo pastaj mund të shpie tek alternativa të treta të cilat mund të jenë gjithçka pos një zgjidhje afatgjate për këto dukuri me të cilat mund të preket gjithkush.

Shkaktarët nuk janë definitiv. Prej gjeneve, e deri tek dieta. Gjithçka mund të shkaktoj ankth e depresion. Por, jeta në ambiente të zhurmshme në disa studime thuhet se mund të jetë deri 30% shkaktare, krahas gjeneve për shembull që janë 10% shkaktare.

Këto shifra dhe që maji është muaji i vetëdijesimit për këto dukuri do të duhej ti jepnin persona më përgjegjës për këtë fushë. Por, e ceka më lart. Ndoshta janë të zënë me ‘punë tjera’.

Shyqyr që ka alternativa më të mira. Ka edhe rrugë tjera për të përshkruar këto dukuri. Demonët. Edhe vetëm duke imagjinuar dragonjtë –

Nganjëherë, kur ditët bëhen të ftohta, të errëta, dhe asgjë nuk mbetet më për të dhënë, për të ngjyrosur maskën, të gjithë ata që idolizojmë, engjëjt që shohim, që nuk kanë anë të errëta. Ata dalin të jenë fals.

Dhe kur vinë netët pas ditëve të ftohta, për të na copëtuar ëndrrat që kemi. Kur gjaku na ngrinë, kur errësira na mbulon. Ata që na duhen, ata zhduken. Kur demonët na vijnë në konak, të gjithë ikin nën jorganët e tyre.

Provojmë të fshehim të vërtetën. Tu japim siguri tjerëve. Mirëpo, me përbindëshat brenda që janë më të mëdhenj se vet ne, s’mbetet hije për tu fshehur e jorgan për të na mbuluar. Herët a vonë, ata dalin dhe na turpërojmë.

Pa marr parasysh çfarë gjuhe flasim, çfarë lëkure kemi, çfarë gjinie jemi, të gjithë i kemi ato anët e errëta. Ato ‘gjynahet’. Më të guximshmit janë ata që përqafojnë të errëtën. Vetëm ashtu e luftojmë, e kontrollojmë. Jo duke e mohuar.

Dhe kur nuk jemi vetvetja, të maskuar apo të zhveshur, sytë nuk gënjejnë. Aty fshehim të vërtetën, aty fshehim demonët, aty fshihemi.

Dorëzohemi, por jo përgjithmonë. Errësohet, gjithçka zhduket. Bëhet mjegull. Belbëzojmë. Megjithatë zgjohemi prapë. Aty jemi. Pa maskë, pa syze dielli për të fshehur demonët.

S’është lehtë, por s’e bëjmë për veti, sa e bëjmë për ata që i duam. Ata që na duan. Ata që na japin shpresë e jetë. Ata që na e ndezin dritën. Ata që futen nën jorgan me neve, për të na ngrohur shputat e ngrira nga anemia. Ata që për neve japin edhe një copë të vetes. Sa të paktë e sa të mëdhenj që janë.

Këta nuk janë nga ata që na thonë se ‘çfarë mbjellësh korr’. Kurrë s’do të mbillnim errësirën. Çdo pranverë e vjeshtë mbjellim lule e pemë, për të dhënë aromë e dritë kur retë e errëta sorollaten mbi. E kemi në shpirt. E kemi në gjene. Për të mirën tonë, duhet të ju lëmë të shkoni. Për errësirë kemi mjaft. Na duhet të ruajmë atë pak dritë që kemi. Dhe nëse nuk na mban dikush llambën para, vështirë e kemi të lëvizim.

Kjo seri shkrimesh per problemet psiqike eshte e ndare ne kater pjese. Komplet mund ta gjeni si pdf ne demonet e majit

About Author

Writer?!

You might also enjoy:

%d bloggers like this: