Gerard Butler ia ka haberin filmave aksion. E ky ‘strofulli i hajdutëve’ është më shumë një film kriminalistik, por me shumë aksion. Aksioni do të vazhdoj edhe në filmin ‘Den of the Thieves 2’, ndonëse filmi nuk ka pasur kushedi çfarë suksesi komercial. E suksesi artistik as që është vënë në konsideratë, qysh në realizimin e filmit me gjasë.

Filmi ka të bëj me një detektiv të forcave të rendit, Nik O’Brajen, i cili vjen në rolin e Gerard Butler. Karakteri i tij ka probleme të shumta. Dhe në krejt këtë mes, skenari provon të na sjell një karakter të dashur për shikuesin, pozitiv, në luftim të së keqes.

Në anën tjetër kemi Pablo Schreiber (Mad Sweeney/American Gods, Pornstache Mendez/Orange Is the New Black), si një lider bande i cili mbledh skuadrën për të realizuar një nga vjedhjet ‘më të mëdha’. Në ekipin e tij ka edhe 50 Cent e O’Shea Jackson Jr, duke e bërë një ansambël të përshtatshëm për filma të këtillë.

Skenari provon të krijoj një tregim të zgjeruar edhe tej temës kryesore, duke u zhytur në jetën private sidomos të Nikut. Dhe krejt kjo del të jetë humbje kohe, sidomos kur filmi zgjat 140 minuta. Gjatë këtyre minutave provohet të shitet një plan i thuktë i vjedhjes, me detaje e kthesa të papritura, për të rënë pothuajse të gjitha në ujë në fund. Dua të them që humb ritmin, me ngjarjen që në momente ndalet së tepërmi, e në momente tjera ka kërcime trehapëshe. Për një fillestar si Christian Gudegast, të cilin mund ta kujtoni nga ‘London Has Fallen’ për skenar, dhe askund për regji pasi është debutimi i tij – gjë që vërehet qartazi, sidomos në pjesët aksion të filmit; nuk është një realizim i dobët. Por, as i mirë. Është tejet, tejet i gjatë. Ka mundur të kryhej gjithçka për 90 minuta dhe do të dilte shumë më mirë. Nota personale: 2/5