Categories
Sport

Dhjetori i Leicesterit! – 5përVikend

  1. Leicester City – Chelsea (e hënë, ora 9)

Pas ndarjes nga Kathy, Chandler ka probleme të vazhdoj jetën. Për të kaluar ish-të dashurën i nevojiten tri faza. E treta është të ëndërroj për vajza tjera. Dhe derisa ëndërron për tri shoqet dhe vajzat tjera nga striptizi në ëndërr i hyn Joshua për t’ia prishur fantazinë e tij më të çmendur.

Sikur ëndrra e Chandlerit, edhe forma e Leicester Cityt duhet të përfundoj këtë muaj. Vërtetë gjenden në krye të renditjes, dhe loja e tyre më kënaq si asnjë ekip tjetër në Premier League këtë sezon, ama të bëhemi real – nuk munden të mbeten as në zonën e Championsit. Sidomos nëse Liverpool arrin të këndellet para Chelseat.

E Chelsea ndoshta mund të kthej faqen tani që problemet kanë dal në pah – raporti i Joses me disa lojtarë, përfshirë Diego Costan. Kur dihet problemi, lehtë gjendet zgjidhja. Në Evropë, dhe vetëm tri javë larg afatit të janarit, Mourinho duket se do të mbijetoj këtë periudhë. Fitorja ndaj Leicesterit do të siguronte këtë mbijetesë. Humbja, do të na bënte të kënaqemi edhe disa ditë me befasinë më të mirë në futbollin evropian këtë sezon – çuditë e Ranierit me dyshen Vardy – Mahrez.

  1. Leverkusen – Monchengladbach (e shtunë, ora 6e30)

Shkarkimi i Favres kam besuar se ka qenë gabim. Ka bërë gjëra të mrekullueshme me Borussinë dhe kam besuar se mund të bëj më shumë. Kam qenë gabim. Dhjetë javë më parë, Borussia ishte e fundit. Tash është e treta, ka mposhtur Bayernin, dhe ka treguar dhëmbët edhe në Champions. Me pak fat do të vazhdonin në Europa League.

Çfarë do të ndodhte sikur të kishin Andre Schubert trajner nga fillimi i sezonit?

Çfarë do të ndodhte sikur Leverkusen të kishte trajner më të mirë?

Sigurisht do të ishin më të suksesshëm. Roger Schmidt nuk është trajner për një ekip kaq të talentuar sikur Leverkusen. Kanë ekip, kanë lojtarë, kanë gjithçka për të qenë më lart se ku janë dhe për të mos humbur pikë nga ekipe sikur më inferiore BATE, Augsburg, e Roma.

Të dyja ekipet luajnë futboll të hapur, tipik gjerman, dhe që të dyja janë mësuar të kenë ndeshje me shumë gola. Një të tillë pres edhe të shtunën.

  1. PSG – Lyon (e diel, ora 9)

Këtë ndeshje nuk do ta llogarisja si të denjë për tu shikuar para të martës. Nëse shohim përbërjen e ekipit të Aulas dhe renditjen e tyre në tabelë, atëherë Lyon mbetet një ekip që po poshtërohet këtë sezon në Francë, ngjashëm si Monaco e Marseille. Këto derbit klasik janë derbi vetëm në letër.

PSG me Blanc po dominon këtë ligë. Do të dominonte edhe me Halilhodzicin apo Tiganan. Por, një trajner më cilësor do të dërgonte ata një nivel më lart në garat evropiane. Ndeshja kundër Lyonit mund të jetë sa për sy e faqe, por, për hatër të historisë mund të ofroj pak paqartësi.

  1. Juventus – Fiorentina (e diel, ora 15n9)

Juventus dhe Inter luajnë ngjashëm – lojë të mbyllur duke u bazuar në mbrojtje për të shënuar një, eventualisht dy gola. Ndodh që ekipi kundërshtar të dëshpërohet psiqikisht me mbrojtjen e tyre dhe të lëshoj më shumë gola.

Fiorentina nuk e ka pasur këtë problem me Interin. Mbetet të shohim se si do të veprojnë kundër skuadrës së Allegrit. Sousa ka nisur të bëj rotacione të shumta në formacion. Europa League, tani edhe Coppa Italia mund tu paraqesin problem – kanë tri ndeshje për shtatë ditë. Ngjashëm si Juventus, por torinezët kanë ekip më të gjerë, më shumë mbulesa për çdo pozicion. Më në fund diçka interesante nga Serie A, e cila shumë lehtë sezonin e ardhshëm mund të kthej pozitën e katërt për në Champions.

  1. Napoli – Roma (e diel, ora 6)

Pres të jetë ndoshta loja më e mirë e javës. Të dyjat luajnë futboll të hapur, megjithëse Roma do të bënte punë shumë më të mirë pa Garcian. Kanë shpëtuar, në fakt i ka shpëtuar De Sanctis kundër BATE-s.

Napoli luan hapur dhe sulmon. Nuk vetpërmbahet. Sarri ka bërë revolucion dhe pa pikë dyshimi është më i mirë se çdo trajner që ka pasur Napoli deri tashti, përfshirë edhe të mbivlerësuar Benitez. Kanë një përbërje të mrekullueshme si ekip. Edhe Roma nuk mbetet mbrapa, por kanë Garcian. Për dallim nga ekipet italiane, asnjëra nuk interesohet të mbrohet. Besoj që na presin shumë gola. Së paku këtë e dëshiroj.