Besoj që shumica do të nisin këtë seri më shumë për Hailee Steinfeld se sa për poezitë e Emily Dickinson. Por, do të ndahen të kënaqur me të dyja – aktrimin e saj dhe poezitë e Emily Dickinson. Ndonëse seria ka më shumë se vetëm këto dy anë pozitive.

Njëra ndër anët pozitive të serisë është skenari, krejt imagjinarë, i cili dërgon Emilyn në një botë që më shumë përshtatet me mendjen e saj se sa fundshekullin e XIX kur edhe jetonte autorja në fjalë.

Dikush mund ta komenton edhe si një tentim për korrektësi politike (PC) pasi kemi një vajzë që shkruan më mirë se një shkrimtar i asaj kohe, por nuk mund të publikohet për shkak se është vajzë. Për këtë arsye, rebelizmi i Emilys ‘ligë’ nënën e saj e cila e konsideron detyrë të femrës shërbimin ndaj burrit dhe shtëpisë. Së paku ka motrën e Emilys për të plotësuar këtë mision.

Dhjetë episode nga maksimum 30 minuta janë një argëtim i këndshëm për një vikend, sidomos nëse keni sadopak dashuri ndaj poezisë. Gjatë këtij sezoni na vijnë vetëm disa nga poezitë e Emily Dickinson, të cilën Hailee Steinfeld e portretizon shumë mirë. Jane Krakowski (30 Rock e Unbreakable Kimmy Schmidt) vjen në rolin e nënës së saj shtëpiake, Toby Huss (Halt and Catch Fire – seri tepër e mirë), në rolin e babait të saj aristokrat dhe një politikani aspirues, mbrojtës i rendit patriarkal.

Në rolet dytësore vijnë shoqja e ngushtë e Emilys, Ella Hunt (Anna and the Apocalypse), e cila fejohet me të vëllain e Emilys i cili vjen nga një aktor jo i njohur, por tepër i përshtatshëm për rolin e tij; si dhe motra tjetër – Anna Baryshnikov (Superior Donuts – komedi solide). Oh, kemi edhe Wiz Khalifan në rolin e vdekjes!

Nuk është diçka e veçantë si seri, por është tepër argëtuese, kryesisht për shkak të karaktereve dhe botës së tyre, e cila është një gërshetim i botës aktuale me shekullin XIX. Pra, në një mënyrë Alena Smith i dërgon të gjithë nostalgjikët e librave të asaj periudhe, në atë kohë por me të gjitha çoroditë që kanë adoleshentët e së tashmes! Nota personale: 4/5