Categories
TV Reviews

Dictatorland – Sezoni 1

Dasmat apo çfarëdo feste me mbi 150 veta është e ndaluar. Edhe shpenzimet në dasma janë të kufizuara me ligj, me arsyetimin që njerëzit po shfrytëzojnë këto ngjarje për tu ‘fryrë’. Në Taxhikistan është e ndaluar edhe të mbash mjekër. Një qytetar tregon si pjesëtarë të forcave të rendit e kanë marr, e kanë dërguar në zyre, dy e kanë mbajtur e i treti e ka rruar mjekrën e tij.

Të dyja këto do të përkraheshin nga liderë të caktuar politikë në Kosovë ndoshta. Dhe në fakt nuk është se jemi larg nga diktatura. Diktaturat zakonisht janë në vende të pazhvilluara mendërisht, në ato vende ku diktatura ka qenë e trashëguar që nga kohët feudale.

Seria e parë e serisë dokumentare ‘Dictatorland’ udhëton në Kazakistan, Bjellorusi, e Taxhikistan. Të tri këto vende kanë presidentët e tyre për më shumë se njëzet vite. Por, për çudi bota demokratike nuk interesohet shumë për të drejtat e lirisë dhe shprehjes në këto vende. Së paku jo në Kazakistan.

President i Kazakistanit ka themeluar qytetin e Astanës nga zero për të krijuar një qytet futuristik që ngjan në skenat nga filmat fantastiko-shkencor. Fotografohet me të gjithë liderët perëndimor, derisa disa nga ta si Tony Blair edhe kanë punuar e punojnë për të. Arsyeja? Gazi ndoshta?

Policia sekrete përcjell edhe një tubim të vockël në Minsk. Rregullat e Lukashenkos janë zbutur së fundmi pas shkeljes së Rusisë në Ukrainë. I njohur si ‘diktatori i fundit’ në Evropë, Lukashenko vjen nga fshat me një burim uji të shenjtë nga i cili ka pirë Lukashenko.

Ndërkohë në Taxhikistanin me mbi 80% tokë malore, presidenti ka ndaluar çdo rrjet shoqëror pasi është shfaqur një video derisa presidenti këndonte në dasmën e të birit. Ishte një veprim i turpshëm për një lider aq të rëndë, kështu që koha për tu mbyll gjithçka ku mund të shihet ky ‘turp’.

Sigurisht që diktatura ka anembanë planetit, disa më të buta edhe në vendet e ish-Jugosllavisë ku kemi njerëz që udhëheqin vendet e tyre që njëzet vite. Besoj që do të ketë edhe sezone tjera edhe pse zor të realizueshme.

Episodet janë të shkurtra, rreth njëzet minuta. Provojnë të sjellin një pasqyrë të gjerë, por koha dhe kushtet e realizimit të episodit nuk premtojnë më shumë. Është diçka që duhet të shohim sot, sa jemi të lirë. Një dekadë më pas do të jemi pjesë e këtyre llojeve të dokumentarëve, fatkeqësisht. Nota personale: 3/5