Categories
TV Reviews

Dictators Playbook (Sezoni 1) – Recensim

Që nga vegjëlia na mësojnë që çdo e keqe shpaguhet me të keqe, dhe e mira shpërblehet me të mirë. Por, nëse zhytemi më thellë në histori, në këtë rast në këtë seri dokumentarësh, shohim që jo të gjitha të këqijat shpaguhen me të keqe. Shohim se diktatorët, jo gjithmonë përfundojnë para tytave të pushkëve apo në gijotinë. I tillë është rasti i Idi Amin – njërit nga gjashtë diktatorët e shtjelluar në sezonin e parë të ‘Dictators Playbook’.

Është viti 2017, dhe në Spanjë gjysmë shekulli pas përfundimit të diktaturës së Frankos, ende zhgroposen varrezat masive me spanjollë të vrarë gjatë sundimit të tij. Franko është njëri nga pesë diktatorët tjerë pas Amin të cilët përmenden në këto gjashtë episode. Të tjerët janë Sadam Husein, Benito Musolini, Manuel Noriega, dhe Kim Il-Sung.

Ky i fundit del të jetë më i fuqishmi nga të gjithë këta, me nipin e tij i cili vazhdon me gjeneratën e tretë të diktatorëve në Koresë Veriore. Legjendat e thurura për lindjen e Kim deri tek vdekjet masive nga uria, janë një hyrje bizare në këtë seri, e cila mund të zbutet çuditërisht me krimet e Sadamit!

Musolini vjen me një histori interesante të ngritjes në fuqi, e cila mund të ngrehë shumë trajektore me përditshmërinë tonë! Noriega, Franco, e Amin janë treshja që do të ju bëjë të humbni besimin në arritjen e drejtësisë ndaj të këqijve.

Është një seri që duhet të shikohet nga secili që pretendon se di diçka për diktaturën dhe mizorinë! Nuk di a do të ketë sezon të dytë, por e di që bota ka pasur së paku edhe gjashtë diktatorë! Dhe shumë më mizorë se këta ndoshta! Nota personale: 5/5