Categories
Filma

Die Hard (1988) – Recensim

Nëse ngjarja zhvillohet gjatë Krishtlindjeve, atëherë është film krishtlindjesh!

Por, në mesin e qindra filmave me temë krishtlindjesh, ‘Die Hard’ nuk është i preferuari të shihet me familje që përfshinë fëmijë, apo edhe nëse ka vetëm të rritur. Film krishtlindjesh, por jo zgjedhja e parë.

Jashtë kësaj dileme, të cilën e zgjodhëm suksesshëm :P, ‘Die Hard’ është goxha aksion-triler i mirë, duke kombinuar me sukses të dyja zhanret, derisa na ofron një skenar mirë të shtruar, me një regji po aq të mirë, marrë parasysh një vend-zhvillim pak të pazakontë për një ngjarje aksion.

Filmi sjellë policin Xhon MekKllejn, i cili udhëton nga Nju Jorku për pushimet e Krishtlindjeve në Kaliforni, ku banon pjesa tjetër e familjes. Filmi nis me një ‘antipati’ të MekKllejn karshi Kalifornisë, dhe gjithçka që përfaqëson jeta aty. Në vend-punën e gruas së tij, Nakatomi Plaza, një grup hajdutësh merr në kontroll ndërtesën, udhëhequr nga Hans Gruber.

Dhe kjo luftë në distancë ndërmjet këtyre karaktereve, pos që i jep kuptimin dhe madhështinë që ka filmi edhe sot, lind dy aktorë që do të zënë vend në ekranet tona për vite me radhë. Aktrimi i Alan Rickman është fenomenal, gjersa gjen një stil antagonistësh që do ta ndjekë dhe do t’i sjellë role të mëdha në të ardhmen. Ndërkohë Bruce Willis i shtohet listës së heronjve të filmave aksion-aventurë, duke siguruar një franshizë që do të mbijetojë për çerek shekulli së paku. Ose, ashtu siç thotë Gruber:

“Veç një amerikan tjetër që ka shikuar shumë filma, e që mendon se është John Wayne, Rambo, a Marshal Dillon?”

‘Die Hard’ mbetet zanafilla e një franshize që pasohet me filma goxha të mirë, e ndoshta edhe më të mirë se ky. Sigurisht, ndikim ka edhe frizura e MekKllejn që vetëm sa shkon edhe shkëlqen në filmat pasues, me plot kuptimin e fjalës! Nota personale: 5/5